KryesoreLajme

Pasi dështoi me Kukësin e Vlorën, Rama shpall procedurat për aeroportin e Gjirokastrës

Legjenda thotë se, kur Sulltan Mehmeti II po pushtonte Kostandinopojën në vitin 1453, njerëzit e ditur, ata që kishin në dorë fatet e vendit, diskutonin me zjarr për “seksin e ëngjëjve”. Është një paradigmë e përdorur shpesh në literaturë dhe publicistikë për të treguar rastet kur drejtuesit shtetërore shkëputen tërësisht nga realiteti.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, e ka përdorur shpesh këtë histori në leksikun e tij publik, kryesisht për të ironizuar veprimet e opozitës politikë ose grupeve shoqërore që vendosin në pikëpyetje qeverisjen e tij.

Në këto ditë të nxehta proteste, Rama, i përballur gjithnjë e më shumë me kërkesën e rinisë studentore për të dhënë dorëheqjen nga posti që e mban prej vitit 2013, ka vendosur të flasë për “seksin e ëngjëjve”. Natyrisht, në mënyrë metaforike.

Operatori i Blerjeve të Përqëndruara, një strukturë në varësi direkte të kryeministrit, ka shpallur në fillim të kësaj jave thirrjen për “Studim Tregu” për ndërtimin e aeroportit të Gjirokastrës.

Në foto: Qeveria shpall thirrjen për “Studim Tregu” për aeroportin e Gjirokastrës

Idea nuk është e re. Rama e ka shpallur vizionin e tij për ndërtimin e aeroporteve rajonalë në Shqipëri prej disa vitesh tashmë.

Por, koha e përzgjedhur për shpalljen e procedurave dhe, sidomos, dështimi spektakolar me projekte të ngjashme në Kukës dhe në Vlorë, e vendos kryeministrin shqiptar në një realitet paralel, shumë larg asaj që po ndodh në vendin tonë.

Procedurat për aeroportin e Gjirokastrës

Komiteti i Përzgjedhjes së Projekteve të Koncesioneve dhe Partneriteteve Publike-Private, në 18 mars 2026, ka filluar procesi për përgatitjen e Studimit të Fizibilitetit për projektin e Aeroportit të Gjirokastrës.

Projekti synon të vlerësojë fizibilitetin e zhvillimit të infrastrukturës aeroportuale në Gjirokastër dhe, nëse fizibiliteti konfirmohet, të përcaktojë bazën teknike, operacionale, ekonomike, financiare, mjedisore dhe institucionale për fazat pasuese të zhvillimit të projektit.

Lexo më shumë  Zelensky thotë se Putini është “vrasës”, pasi Trumpi e quajti atë mik
Në foto: Pamje nga projekti paraprak për aeroportin e Gjirokastrës

Sipas qëllimeve fillestare të Studimit të Fizibilitetit, projekti do të konsiderohet si zhvillimi i një aeroporti rajonal, që potencialisht do t’u shërbejë operimeve të brendshme dhe ndërkombëtare.

Idea duket joshëse, por në një vend si Shqipëria, me krizë ekonomike të thellë, zhvillimi i projekteve luksoze, aq më tepër me destinacion tërësisht të panjohur, nuk është asgjë më shumë se “diskutimi për seksin e ëngjëjve”.

Dështimet me Kukësin dhe Vlorën

Në idetë futuristike të kryeministrit Edi Rama, Shqipëria mund të shndërrohet në një destinacion të preferuar për miliona turistë, të cilët mbërrijnë në vendin tonë në rrugë ajrore.

Sipas vlerësimit të tij, turistët nuk kanë pse të mbërrijnë në Tiranë e më pas të udhëtojnë në qytete të tjera, por atyre mund t’u sigurohen pole më të afërta fluturimi me pikat tërheqëse të Shqipërisë.

Në një Shqipëri me territor të kufizuar, krijimi i tre aeroporteve lokalë, krahas atij kryesor, Rinasit, duket një ide aspak e goditur në aspektin ekonomik.

Sinjalet për këto dështime tashmë janë dhënë prej kohësh.

Aeroporti i Kukësit

Në prill të vitit 2021, vetëm pak javë para zgjedhjeve parlamentare, kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë e përurimit të aeroportit të Kukësit. Si pjesë e spektaklit ishte edhe fluturimi i një avioni të vogël nga Tirana drejt qytetit verior, në të cilin kryeministri shoqërohej nga një grup të përfaqësuesve të medias.

Në foto: Kryeministri Rama në përurimin e aeroportit Kukës

Në euforinë e momentit, Rama deklaroi nga Kukësi se aeroporti i ri do t’u vinte në ndihmë “çunave të Londrës për të ardhur më shpesh pranë familjeve”, duke iu referuar grupit të madh të qytetarëve nga Veriu që kanë emigruar në Britaninë e Madhe.

Lexo më shumë  Pas marshimit në rrugët e Tiranës, protestuesit pozicionohen para Kryeministrisë

Pas ceremonisë së përurimit, aeroporti i Kukësit mbylli dyert. Prej më shumë se 5 vitesh nga shfaqja propagandistike e Ramës, kompleksi aeroportual nuk ka parë asnjë këmbë turisti, ndërkohë që i gjithë investimi i deritanishëm nuk është funksional.

Aeroporti i Vlorës

Ajo që po ndodh me aeroportin “në tentativë” të Vlorës është akoma më e rëndë. Sërish në vigjilje të zgjedhjeve parlamentare, po kësaj radhe atyre të vitit 2025, kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë e përurimit të aeroportit të Vlorës.

Për këtë rast, ishte sajuar edhe ulja e një avioni të vogël në pistën e re. Mediat u detyruan ta shihnin nga një largësi shumë e madhe këtë event. Për Ramën, aeroporti i Vlorës do të shërbente për të afruar sa më shumë turistët e huaj me bregdetin jugor të vendit.

Në foto: Rama dhe Balluku në ceremoninë e përurimit të aeroportit Vlorë

Pas ceremonisë së përurimit, edhe aeroporti i Vlorës mbylli dyert. Ai nuk ishte përfunduar dhe, me ato që po ndodhin edhe aktualisht, nuk dihet se kur mund të bëhet operativ.

Prej muajsh, një përplasje e fortë mes aksionerëve të aeroportit, ka bllokuar të gjithë punimet. Mes ish-ortakëve po zhvillohen një seri përplasjesh ligjore e gjyqësore dhe, herë pas here, në këtë histori përmenden emrat e kryeministrit Edi Rama dhe ish-vartëses së tij më të preferuar, Belinda Balluku. /boldnews.al/

YouTube player