KryesoreOpinion/Aktualitet

Kërçeli: Koha na tregoi se heshtja është hapi që i paraprin zhurmës së armëve apo bombave të terroristëve

Shkruan Ilir Kërçeli, Ilir Kërçeli, Shefi i Kabinetit të Konjufcës

As retorika mashtruese më e sofistikuar në botë që mund të ketë ekzistuar ndonjëherë nuk do të mund të shpikte një gjuhë të tillë që e shfajëson Vuçiqin dhe shtetin serb. Kur tentuan që Republikën e Kosovës ta kapin në befasi, u kapën vetë në flagrancë, terroristët me armët e tyre të rënda nëpër duar, Vuçiqi me terroristët e tij nëpër këmbë.

Do të donte të kishim vetëm sy apo veshë për të kuptuar se krimineli, terroristi dhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq është zbatuesi i drejtpërdrejtë i direktivave të Vuçiqit për veriun e Kosovës.

Do të mjaftonin vetëm disa të dhëna të aksesueshme nga publiku i gjerë që çdo dilemë e panevojshme të pushonte së mbajturi peng vendimet me rëndësi kyçe për mbarëvajtjen e rajonit tonë. Secili ka akses të shohë lehtazi se:

1. Milan Radojçiqi ishte i ftuar special në inaugurimin e Vuçiqit si president;

2. Lista Serbe ka bërë konsultime të vazhdueshme për çdo veprim me Vuçiqin, të vijuara me qëndrime dhe veprime të akorduara;

3. Radojçiqi është nënkryetar i Listës Serbe, ndërsa Lista Serbe është sateliti i Vuçiqit në Kosovë, jo për të përfaqësuar serbët në veri, por për ta destabilizuar në vazhdimësi veriun, duke i mbajtur peng njëherazi edhe vetë qytetarët e komunitetit serb;

Lexo më shumë  Von Cramon: Nuk ekziston më arsyeja për masat kufizuese të BE-së ndaj Kosovës

4. Radojçiqi lëshoi kërcënim për Kosovën nga faqja zyrtare e Listës Serbe më 14 shtator 2023, ku thoshte: “Koha do të tregojë se kush do të vuajë dhe paguajë në fund”;

5. Radojçiqi dhe Vuçiqi janë bashkërenduar në mënyrë sistematike për deklaratat kërcënuese ndaj Republikës së Kosovës;

6. Vuçiqi në OKB lëshoi mesazhin për Ministrin e Brendshëm të Republikës së Kosovës: “Kush qesh i fundit do qeshë më së miri”;

7. Përmes shpalljes së 27 shtatorit 2023 ditë zie për terroristët e vrarë, Vuçiqi nënkuptoi se ata morën nderime ngaqë u vranë në detyrë, të cilën ai dhe shteti serb ua ngarkoi;

8. Serbia akomodoi dhe u dha trajtim shëndetësor terroristëve, të cilët morën pjesë në vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku dhe sulmin në veri të Kosovës;

9. Në mesin e terroristëve të vrarë është edhe ai që ka qenë truproja i shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulinit, gjatë vizitës së tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013;

Lexo më shumë  Meloni do ta mallkojë atë ditë kur njohu Ramën

10. Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës publikoi dokumentin që provon se ushtria e Serbisë i ka dorëzuar grupit terrorist lansuesin e granatave, të konfiskuar më pas nga Policia e Kosovës.

A po pret faktori perëndimor që të shohë vendim me shkrim nga Vuçiqi për t’u bindur se përgjegjësi kryesor për aktin terrorist në Republikën e Kosovës është pikërisht presidenti serb dhe strukturat shtetërore të kontrolluara prej tij?

Tashmë është krejt e qartë se akti terrorist është rezultati më i fundit dhe më i shtyrë edhe i qasjes përkëdhelëse ndaj presidentit serb, të cilit i hapet gjithnjë e më shumë oreksi sa më shumë që faktorit perëndimor i mbyllen sytë përball akteve të tij kriminale në drejtim të Republikës së Kosovës. Koha na tregoi se heshtja është hapi që i paraprin zhurmës së armëve apo bombave të terroristëve dhe kjo duhet të parandalohet sa më parë duke reaguar dhe vepruar në mënyrë të prerë.

Rruga Press

YouTube player