Ish-zyrtarët padisin BIA-n serbe për përgjim të studentëve dhe aktivistëve
Dy ish-anëtarë të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA) kanë paraqitur kallëzim penal ndaj drejtorit të këtij institucioni, Vladimir Orliq, dhe disa zyrtarëve të tjerë, nën dyshimet për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe mbikëqyrje të paligjshme të studentëve, profesorëve dhe qytetarëve.
Kallëzimin penal e kanë dorëzuar profesori universitar Milan Zvezdanoviq, ish-inspektor i pavarur dhe ish-zyrtar i BIA-s, si dhe Mila Stojanoviq, ish-anëtare e këtij institucioni.
Sipas raportimit të mediumit serb Nova.rs, kallëzimi përfshin edhe personat përgjegjës në menaxhimin e Qendrës së Dhjetë Rajonale të BIA-s, ndërsa dyshimet lidhen me shpërdorim të detyrës zyrtare, raportim të rremë dhe vepra të tjera të mundshme penale.
Në kallëzimin penal pretendohet se, nga 1 nëntori 2024 deri më 1 korrik 2026, zyrtarë të BIA-s kanë marrë pjesë në hartimin dhe paraqitjen e propozimeve për zbatimin e masave të posaçme hetimore ndaj disa dhjetëra studentëve, profesorëve dhe aktivistëve.
Sipas pretendimeve të paraqitura nga kallëzuesit, këta persona janë lidhur me shoqata që dyshohej se synonin kryerjen e veprave penale kundër rendit kushtetues të Serbisë, pa pasur prova konkrete dhe të individualizuara.
Zvezdanović dhe Stojanoviq dyshojnë se drejtuesit e njësive organizative të BIA-s, me urdhër ose dijeni të drejtorit Vladimir Orliq, kanë mbledhur të dhëna për studentët dhe qytetarët, si dhe kanë propozuar mbikëqyrjen sekrete të komunikimeve dhe monitorimin e tyre, pa bazë të mjaftueshme faktike.
Dokumentacioni për këto masa, sipas kallëzimit, i është dorëzuar fillimisht menaxhmentit të BIA-s dhe më pas Prokurorisë së Lartë Publike në Leskovc dhe asaj në Vranjë.
Kallëzuesit kanë kërkuar që të hetohet se kush i ka iniciuar, hartuar dhe miratuar propozimet për këto masa, si dhe nëse institucioneve gjyqësore u janë paraqitur të dhëna të sakta dhe të verifikueshme.
Kërkohet hetim për veprim të mundshëm të organizuar
Në kallëzim është propozuar që Zyra e Prokurorisë për Krimin e Organizuar të shqyrtojë nëse zyrtarët e raportuar kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke marrë parasysh dyshimet për koordinim dhe ndarje të roleve.
Po ashtu, është kërkuar sigurimi i dokumentacionit të brendshëm të BIA-s, përfshirë urdhrat zyrtarë, shënimet dhe komunikimet elektronike, për të përcaktuar arsyet e vërteta të propozimit të masave dhe përgjegjësinë individuale të zyrtarëve.
Dy ish-zyrtarët i kanë kërkuar prokurorisë kompetente të bëjë një verifikim të plotë dhe të paanshëm të pretendimeve, të sigurojë provat relevante dhe të përcaktojë nëse kompetencat e BIA-s janë përdorur në kundërshtim me ligjin.
“Aplikantët theksojnë se pjesëmarrja e studentëve në protesta ligjore dhe forma të tjera të veprimeve civile nuk mund të përbëjë në vetvete bazë për zbatimin e masave të mbikëqyrjes sekrete ose për t’i lidhur ata me veprën penale nga neni 309 i Kodit Penal – Thirrje për ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues”, thuhet në deklaratën e tyre.
Sipas kallëzuesve, qëllimi i kësaj nisme është mbrojtja e të drejtave kushtetuese të qytetarëve, zbardhja e plotë e rrethanave dhe garantimi i ligjshmërisë në punën e shërbimeve të sigurisë./The GeoPost
Rruga Press

