Bota

Ish-perandoresha e Iranit risjell kujtimet e para-revolucionit

Dy vjet para se ngjarjet e vitit 1979 në Iran të shembin botën e saj, ish-perandoresha e Iranit, Farah Pahlavi, botoi kujtimet e saj për herë të parë.

Më 1979 burri i saj, Shah Mohammad Reza Pahlavi, u rrëzua nga pushteti duke i dhënë fund monarkisë së Iranit.

Pahlavi, ishte 38 vjeç kur shkroi rrëfimet e saj për jetën e saj magjepsëse si mbretëreshë, e njohur për iranianët si Shahbanou.

Atëbotë për të ideja e një revolucioni islamik dhe jetës në mërgim ishte e paimagjinueshme.

“Në kohën kur shkrova kujtimet e mia, nuk e kisha idenë se çfarë do të vinte”, tha ajo në një parathënie për ribotimin në anglisht të kujtimeve të saj “1,001 Ditët: Kujtimet e një Perandoreshe”. Libri, i cili do të publikohet më vonë këtë muaj, do t’ju shërbejë edhe gjeneratave të reja të dinë më shumë për jetën para revolucionin.

Jetë përrallore

Atëbotë jeta e saj ishte si një përrallë; një grua 21-vjeçare që u martua me një mbret dhe u bë mbretëresha e një vendi të lashtë.

Ajo u takua për herë të parë me Shahun në Ambasadën iraniane në Paris, ku ajo ishte duke studiuar për arkitekturë.

Shahu ishte kurorëzuar më 1941 dhe u kthye në pushtet më 1953 pas një grusht-shteti të mbështetur nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës e SHBA-së (CIA).

Në vitin 1959, ata u martuan dhe ajo u bë gruaja e tretë e monarkut 40-vjeçar.

Në librin e saj Pahlavi kujton se si Shahu i tregonte asaj për përgjegjësitë që do të kishte si gruaja e tij. Megjithatë, ajo ishte e befasuar me gamën e gjerë të detyrave të saj.

Ajo rriti katër fëmijë – duke përfshirë princin e kurorës Reza, i lindur vetëm 11 muaj pas martesës së saj.

Ajo i ka kushtuar shumë kohë kauzave sociale dhe çështjeve kulturore, duke përfshirë promovimin e artit iranian dhe perëndimor, që i siguroi asaj një popullaritet të gjerë.

Kurorëzimi si një perandoreshë

Në vitin 1967, ajo u kurorëzua si perandoresha e Iranit – Shahbanou – nga shahu, i cili gjithashtu e kurorëzoi veten Mbreti i Mbretërve, ose Shahanshah.

Ceremonia e kurorëzimit ishte luksoze.

Ajo thotë se ende e kujton këtë si një moment historik për gratë.

“Unë gjithmonë kam thënë se dita kur u kurorëzova [Perandoreshë e Iranit] ishte dita që përfaqësoi kurorëzimin e çdo gruaje në vendin tim”, tha Pahlavi në një intervistë për Shërbimin e Iranit të Radios Evropa e Lirë, në të cilën ajo foli për librin e kujtimeve të saj.

Një jetë me përkushtim

Angazhimi i Pahlavit ishte i gjithanshëm në çështje humanitare dhe kulturore. Ajo mbështeti shumë aktivitete humanitare dhe institucione, duke përfshirë ndihmën në themelimin e Institutit për Zhvillimin Intelektual të Fëmijëve dhe Adoleshentëve.

Lexo më shumë  Ligji për “agjentë të huaj” para Kuvendit të Republikës Sërpska më 22 maj

Ajo udhëtoi në të gjithë vendin e saj, duke vizituar rajone të largëta ndërsa takohej me vendasit dhe ata në nevojë, duke përfshirë të sëmurët nga lebroza.

Shumë shpesh gazetat dhe revistat i publikonin në ballina vizitat e saj në jetimore, spitale dhe rajone të vendit.

Historiani Robert Steele thotë se Pahlavi u bë “fytyra e vërtetë, njerëzore” e monarkisë.

“Sigurisht, kjo ishte një propagandë e kujdesshme, e cila ishte mjaft efektive, por Farah e mori shumë seriozisht këtë rol të ‘nënës’ së popullit iranian”, tha Steel, një hulumtues në Shkollën Ekonomike të Londrës.

Ajo, gjithashtu, u shoqërua me liderë botërorë e personalitete të famshme të asaj kohe.

Artisti i njohur si Andy Warhol, në vitin 1976 udhëtoi për në Iran dhe i bëri asaj një fotografi, e cila do të shndërrohej në një portret ikonik.

Në vitet 1970, ajo ndihmoi në blerjen e mbi 300 kryeveprave nga artistë bashkëkohorë perëndimorë, duke përfshirë Alberto Giacometti, Henry Moore, René Magritte, Pablo Picasso, Jackson Pollock, Pierre-Auguste Renoir dhe Mark Rothko.

Koleksioni mbresëlënës, i vlerësuar në 3 miliardë dollarë, mbahet në Muzeun e Artit Bashkëkohor të Teheranit, i përuruar më 1977.

Gjatë atyre viteve, Pahlavi ishte plot shpresë dhe energji, duke iu përkushtuar një vendi që e dashuronte dhe të cilin donte ta shihte të përparuar.

“Nuk dëshiroja të humbisja nga vëmendja historinë e lavdishme të Iranit. Ajo ishte një histori aq e nderuar nga e gjithë bota. Por, në të njëjtën kohë doja që bashkatdhetarët e mi të përfitonin gjithashtu nga arsimi, shëndetësia, industrializmi dhe moderniteti”, shkruan ajo në parathënien e kujtimeve të saj të ribotuara.

Steel thotë se Pahlavi gjatë kohës sa ishte perandoreshë, qëndroi larg politikës dhe u fokusua në pasionin e saj për artin, letërsinë, muzikën dhe arkitekturën.

“Një nga arsyet që ajo mbeti një figurë e njohur, edhe pas revolucionit, ishte sepse ajo qëndroi e shkëputur nga bota e errët e politikës iraniane”, tha Steel.

Megjithatë, sipas tij, në fund të fundit, pavarësisht nga rëndësia e tyre kulturore, ngjarjet që organizoi Farah dhe veprat e artit që ajo mblodhi kontribuan në akumulimin e pakënaqësisë ndaj regjimit.

“Në kohën kur grupet e opozitës dënuan ‘frymën perëndimore’ të popullsisë iraniane, në fokus ishin shijet evropiane të oborrit Pahlavi dhe dashuria për kulturën perëndimore”, tha ai.

Revolucioni dhe jeta në mërgim

Kundërshtimet ndaj Shahut kishin filluar për shkak të përpjekjeve të tij pro-perëndimore dhe të laicizmit, represionit politik dhe një hendeku në rritje mes të pasurve dhe të varfërve.

Lexo më shumë  Blinken kritikon planet e luftës të Izraelit

Gjithashtu, festat e tij luksoze kishin krijuar pakënaqësi.

Në festimin e 2.500 vjetorit të perandorisë më 1971 ushqimi ishte sjellë nga Parisi.

Pahlavni mbron këto ceremoni.

“Nuk kishte asnjë gabim të vogël dhe ne ishim shumë të lumtur”, tha ajo në një bisedë të fundit online të organizuar nga Universiteti i Harvardit.

“Ne u kritikuam shumë nga shtypi perëndimor sepse ata nuk e kuptuan se ky ishte një vend me histori kaq të madhe, ata mbuluan vetëm detajet e ushqimit, çadrave, e kështu me radhë”, shtoi Pahlavi.

Në të kaluar ajo ka minimizuar shkeljet e të drejtave të njeriut nën sundimin e Shahut, duke pretenduar se policia sekrete e frikshme, SAVAK, angazhohej për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit të vendit.

Në janar të vitit 1979, pas disa muaj grevash dhe protestash të dhunshme, Pahlavi dhe burri i saj u larguan nga Irani.

Pjesën tjetër të jetës ata e kaluan në mërgim.

Vetëm disa ditë pas arratisjes së saj, Revolucioni Islamik rezultoi i suksesshëm duke e kthyer Ajatollah Ruhollah Khomeinit në pushtet. Ai krijoi një republikë islamike, e cila edhe sot përballet me kritika për politika represive dhe abuzime serioze të të drejtave të njeriut.

Humbjet tragjike

Tetëmbëdhjetë muaj pasi u largua nga atdheu i saj, burri i Pahlavit vdiq nga sëmundja e kancerit në Egjipt.

Rreth 20 vjet më vonë, më 2001, vajza e saj më e vogël, Leila 33-vjeçare, vdiq nga një mbidozë në Londër.

Njëmbëdhjetë vjet më vonë, djali i saj më i vogël, Alireza, bëri vetëvrasje në moshën 44-vjeçare, pasi luftoi me depresionin për disa vjet.

“Jeta ime ka qenë interesante, e bukur dhe e vështirë në të njëjtën kohë”, tha ajo.

Pahlavi, në muajin tetor mbushi 83 vjeç. Ajo ende i përcjellë me përkushtim ngjarjet në vendin e saj.

Edhe sot në Iran është e përhapur nostalgjia për epokën e Pahlavit madje edhe te gjeneratat që u rritën pas revolucionit të 1979-s.

Ajo i tha Radios Evropa e Lirë se dëshira e saj më e madhe është “liria për Iranin”.

Sipas saj, dashuria dhe lidhja me vendin e saj kanë mbetur të fuqishme pavarësisht se për më shumë se katër dekada jeton në mërgim.

“Shpresën gjithmonë dua të mbaj gjallë, nuk dua ta lejoj hidhërimin në zemrën time dhe gjithmonë them se shpresoj se drita do ta mposhtë errësirën”, tha ajo. /REL/

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *