Lajme

Ish-kryeministri Alexander Stubb zgjidhet president i Finlandës, e uron Osmani: Pres me padurim të punojmë

Ish-kryeministri konservator i Finlandës, Alexander Stubb, ka fituar zgjedhjet presidenciale të së dielës, tregojnë rezultatet përfundimtare, raportoi të hënën BBC-ja.

Ai ka arritur t’i sigurojë 51.6 për qind të votave, ndërsa rivali i tij i Partisë së Gjelbër, Pekka Haavisto, ish-ministri i Jashtëm, ka mbledhur 48.4 për qind, i cili po ashtu e ka pranuar humbjen.

Këto janë zgjedhjet e para që kur Finlanda i është bashkuar aleancës ushtarake të NATO-s.

Stubb, 55 vjeç, ka një qasje të ashpër ndaj Rusisë, me të cilën kombi nordik ndan kufi të gjatë tokësor.

Ai më parë ka thënë se bashkimi me NATO-n është “marrëveshje e përfunduar” për vendin e tij sapo presidenti rus Vladimir Putin filloi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.

Lexo më shumë  Rusët i futen tregut të pronave në Shqipëri, zyra biznesi në zonat bregdetare

Në një konferencë për shtyp të dielën në mbrëmje, Stubbi e përshkroi fitoren e tij në zgjedhje si “nderin më të madh të jetës”.

“Pra, unë nuk shoh asnjë lloj komunikimi me Putinin ose me lidershipin politik rus në të ardhmen e afërt. Të gjithë duam të gjejmë një rrugë drejt paqes, por më duket se kjo rrugë ndodh vetëm përmes fushëbetejës”, ka thënë ai.

Stubb do të marrë zyrtarisht detyrën më 1 mars, duke zëvendësuar Sauli Niiniston.

Lexo më shumë  Borrell e uroi qeverinë e re serbe, eurodeputeti gjerman nuk përmbahet: Si mund ta bëjë një budallallëk të tillë

Presidentja Vjosa Osmani e ka uruar Alexander Stubbin në zgjedhjen e tij si president i Finlandës.

Në urimin e saj për tashmë homologun finlandez, Osmani ka thënë se pret me padurim që të punojnë së bashku për të ndërtuar lidhje të mira mes vendeve.

“Urime për Alexander Stubb në zgjedhjen e tij si President i Finlandës! Pres me padurim të punojmë së bashku për të ndërtuar mbi lidhjet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Finlandës, dhe për të mbrojtur vlerat tona të përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe drejtësisë”, ka shkruar ajo në platformën X.

YouTube player