Ish anëtarët e UÇK mbesin në parabugrim
Gjykata Speciale mbajti sot tjetër seancë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Në seancë është diskutuar edhe për kërkesat për lirim të përkohshëm. Prokuroria deklaroi se e kundërshton lirimin me kusht të Thaçit e të tjerëve. Ky qëndrim i Prokurorisë u kundërshtua nga mbrojtja, e cila pati ankesa edhe për shumë probleme teknike.
Avokati i Rexhep Selimit, David Young, tha se kishte paralajmëruar rrezikun që procesi i dorëzimit të materialeve të bjerë në një vrime të zezë kompjuterike. Ai kërkoi të theksohet se sa e rëndësishme është kategorizimi i informacionit pasi Prokuroria s’e ka plotësuar këtë dhe se kategorizimi që është bërë deri tani s’është aspak i dobishëm.
Edhe David Hooper, avokati kryesor në rastin e ish-drejtorit politik të UÇK-së Thaçi, duke folur për materialet e dorëzuara nga prokuroria, tha se këto janë krejtësisht të pamjaftueshme dhe të papërshtatshme, sepse nuk ka tregues për informacionin që jepet aty.
Ai ka thënë se janë bërë punë në përgjithësi dhe jo të specifikuara.
Nga ana e saj, prokuroria u shfajësua duke thënë se paketa e materialit special shfajësues u dorëzua nga Prokuroria me datën 10 dhjetor dhe mbrojtja i pati këto materiale në dispozicion që nga ai moment, por për shkak të problemeve teknike-marrëse të këtyre dokumenteve, nuk iu është dërguar një njoftim elektronik.
Prokuroria deklaroi se ka pasur përpjekje të pasuksesshme për zgjedhjen e këtij problemi teknik.
Nga ana e tij, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, foli për përgatitjet e mbrojtjes për çështjen e akuzës në Hagë. Ai tha se mbrojtja do të angazhojë gjashtë hetues për kryerjen e hetimeve në lidhje me pretendimet e prokurorisë së Specializuar.
Emmerson po ashtu tha se mbrojtja është e mendimit që gjyqi të fillojë në fund të vitit 2022 apo në fillim të vitit 2023, duke kundërshtuar ashpër propozimin e prokurorisë që dosjen paragjyqësore ta parashtrojë në korrik e procesi të nisë në shtator 2021.
Ndërkohë, gjyqtari i seancës paraprake, Nicolas Guillou tha se sot nuk është dita kur do të merret ndonjë vendim sa i përket të akuzuarve në kërkesat e tyre për lirim me kusht. Ai shtoi se të gjitha që u thanë në seancë, do të diskutohen edhe në konferencën e ardhshme.
Ndaj këtij vendimi, reagoi avokati i ish-presidentit Thaçi, duke shprehur pakënaqësinë e tij, që mos të ketë seancë dëgjimore për paraqitjen e fakteve për kërkesën për lirim të përkohshëm.
Ai tha se ka menduar që gjyqtari francez do të ketë mirëkuptim bazuar në realitetin e Tribunaleve tjera.
Bazuar në kalendarin e seancave, të premten mbahen edhe dy të tjera, ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, kurse më pas gjykata do të shkojë në pushim për festat e fundvidit.
Rruga Press