Incidenti pas kamerave/ Si u shoqërua në polici qytetari që e kundërshtoi Edi Ramën
Në disa vizita të shpejta që bëri në zonat e përmbytura, Edi Rama u shfaq nga Shkodra, në Lezhë e pastaj në Sukth për të treguar se “kanalet dhe portalet” e paraqisnin situatën më të rënduar nga sa ishte në të vërtetë.
Video-montazhi i Edi Ramës për vizitën në Sukth
Me kamerat e ERTV, ai solli një peisazh krejt ndryshe. Për shembull në Sukth dhjetëra qytetarë e falenderonin, ndërsa kryetarja e Bashkisë tha se përmbytjet ishin parandaluar, kurse qytetarët ishin të rimbursuar.
Kështu dukej edhe në videon 3-minutëshe, që Rama e mbyll me krahasimin e lavamanit. “Po e çove të gjithin me furi, bllokohet lavamani” u tha kryeministri disa grave të zonës, që e falenderuan në kor për këtë shpjegim popullorçe.
E gjitha do të kishte qenë një video bajate e ERTV-së, nga ato që prodhohen me qindra në montazhet e kryeministrisë, sikur një ditë më pas të mos kishte dalë dëshmia e një qytetari të Sukthit, Mit’hat Azbiu.
Incidenti pas kamerave me Edi Ramën
Sipas Mit’hat Azbiut, banorët e lagjes së tij në Sukth ishin lajmëruar se do të vinte kryeministri dhe do t’i takonte. Në vend se të rrinte në rresht si gjithë të tjerët, Mit’hat Azbiu i tha “Kryeministër nuk ishte e nevojshme të vini sot, na keni përmbyt tre herë. Shpërblimet nuk i kemi marrë, i kanë marrë të tjerët”.
Pas këtyre fjalëve, thotë ai, Rama doli nga kontrolli, nisi ta kapë me duar dhe ta ofendojë: “Filloi me këmbë e me duar duke më kërcënuar, duke më prekur me duar. Më tha: Ti je i shëndoshë! Unë jam i shëndoshë, i thashë, se i kam ngrënë lekët, nuk i kam ruajtur si puna jote. Aty i dha urdhër gardës të më izolojë me forcë dhe tha qe do vinte në komisariat të më denonconte për shpifje. Forcat e Gardës më morën më çuan te forcat e policisë së Durrësit. Ato më kontrolluan banesën sikur të isha kriminel” ka thënë Azbiu në një intervistë për gazetarët e Durrësit.
Më pas, në një video të dytë, Azbiu del i filmuar në një shtrat të spitalit të Durrësit duke treguar të njëjtën histori. Pasi policia e kishte mbajtur disa orë, kishte ndjerë shqetësim dhe e kishin çuar në spital. “Kryeministri e kishte humbur fare. Merret me popullin që debaton. Ai do popull që t’i vijë pas valles. Unë nuk i vij dot pas valles se është turp për ne të na talli një i mbaruar. Merreni futeni në burg tha, se do bëj kallëzim për këtë” tregon Azbiu në videon e dytë.
Shoqërimi në polici i gruas nga Tirana
Nuk është rasti i parë policia shoqëron në komisariat qytetarët, sepse sjellja e tyre nuk i pëlqen Edi Ramës. Në Tetor të vitit 2020, një grua e quajtur T.Baçi sapo kishte dalë nga puna pranë Kalasë së Tiranës, kur dëgjoi Edi Ramën t’i thërrasë nga larg. Meqënëse nuk arriti të kuptojë çfarë i tha kryeministri ajo e kaloi me një të qeshur. Por gruaja u habit më pas kur policët e ndaluan dhe e shoqëruan në komisariat për të dhënë sqarime.
“Isha duke dale nga puna qe ndodhet ne Kalane e Tiranes dhe pashe kryeministrin, ku pasi ai tha dicka qe une nuk e degjova mire , qesha me ze te larte” tregoi ajo në komisariat.
Policët, të zënë ngushtë me kërkesat e gardës i vunë një gjobë për mosmbajtje të maskës.
Incidentet e Ramës në takimet me qytetarët
Incidentet e Edi Ramës me qytetarët janë të shumtë përgjatë takimeve publike. Kryeministri është i njohur për natyrën impulsive dhe aspak të vetëpërmbajtur në komunikim me qytetarët.
Nervozitetin e ka shfauqr përmes batutave, ndonjë përgjigjeje harbute apo edhe me kërkesat për t’i larguar nga takimet persona të caktuar.
Përdorimi i policisë dhe shoqërimi në komisariat për ata që e kundërshtojnë është një mënyrë e re reagimi për të hequr qafe ata që i prishin skenarin e parapërgatitur për videot e ERTV./Lapsi.al
Rruga Press