Lajme

Organizatat mjedisore padisin institucionet qeveritare për ndërtimin e paligjshëm të aeroportit të Vlorës

Grupimi i organizatave mjedisore kundërshton kontratën mbi ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës si të pavlefshme për shkak të parregullsive dhe shkeljeve së disa ligjeve. Objekti në ndërtim, përbën një kërcënim të madh për ekosistemin natyror të zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë. Leja e zhvillimit është miratuar përpara përfundimit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), gjithashtu vetë procesi i realizimit të VNM-së është i parregullt dhe jo në përputhje me rregulloret, siç e përcakton ligji.

23 Nëntor 2022, Tiranë – Sot, organizatat mjedisore joqeveritare shqiptare, PPNEA dhe AOS, të mbështetura nga organizata joqeveritare ndërkombëtare EuroNatur si dhe komuniteti shkencor ndërkombëtar, po dorëzojnë në Gjykatën Administrative një padi duke sfiduar procesin administrativ të realizuar për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. Ky ndërtim i paligjshëm ndodh në një ndër ligatinat më të rëndësishme dhe me biodiversitet të lartë të vendit, si dhe përgjatë korridorit të Adriatikut, një prej rrugëve më të rëndësishme për shtegtimin shpendëve. Institucionet shqiptare po shkelin ligjet e vendit dhe konventat ndërkombëtare, duke anashkaluar procedurat dhe duke hedhur poshtë vërejtjet e institucioneve ndërkombëtare.

Organizatat joqeveritare do të dorezojnë prova dhe fakte mbi shkeljen e disa ligjeve, si ligji për zonat e mbrojtura, ligj për realizimin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), ligji për planifikimin e territorit, procedurat lidhur me kontartën koncesionare si dhe shkelje të rregulloreve përkatëse. Gjithashtu, pala paditëse do të theksojë ndaj autoriteteve, proceset e paligjshme, mungesën e transparencës dhe përfshirjen e palëve të interesit, si dhe anashkalimin e procedurave thelbësore të procesit. Në mënyrë të përmbledhur, këto vendime e bëjnë ndërtimin e Aeroportit të Vlorës të paligjshëm e të parregullt, gjithashtu të shoqëruar me ndikime negative dhe të pakthyesheme në mjedis.

Lexo më shumë  Video/ Fiksim i hershëm i Ramës për të shktërruar godinën historike të Teatrit Kombëtar

Aleksandër Trajçe, drejtori ekzekutiv i organizatës PPNEA deklaron se: “Ne e kemi ngritur këtë shqetësim që në krye të herës, që me zbulimin e vendndodhjes së ndërtimit të aeroportit. Është e paimagjinueshme që një infrastrukturë kaq e madhe të ndërtohet brenda një zone të mbrojtur, qëllimi i së cilës është të ndalojë pikërisht që projekte të tilla të ndërtohen në brendësi të këtyre zonave. Nëse ky projekt përparon me të gjitha parregullsitë që janë evidentuar, nga shumë ekspertë vendas dhe të huaj, atëherë i gjithë rrjeti i zonave të mbrojtura të Shqipërisë është në rrezik për të ardhmen. Asgjë nuk mund ti ndalojë më tej investimet mbi infrastrukturën gri në zonat e mbrojtura dhe shkatërrojë integritetin ekologjik dhe trashëgiminë natyrore që duhet ta ruajmë për brezat e ardhshëm”.

Ka kaluar më pak se një vit prej fillimit të ndërtimit të Aeroportit të Vlorës. Komuniteti shkencor si dhe organizatat joqeveritare, kombëtare dhe ndërkombëtare, i kanë kërkuar vazhdimisht qeverisë shqiptare të ndalojnë ndërtimin e kësaj infrastrukture. Këto shqetësime janë shoqëruar vazhdimisht me fakte dhe dokumenta, të cilat nuk e justifikojnë këtë ndërtim gri brenda kësaj zone. Megjithatë, nuk është marrë asnjë masë nga qeveria dhe ndërtimi i aeroportit vazhdon pa asnjë shqetësim.

Vjosë – Narta është pjesë e rrjetit të zonave të mbrojtura, me status ‘Peizazh i Mbrojtur’, gjithashtu e njohur si Zonë e Rëndësishme për Shpendët (IBA), Zonë e Rëndësishme për Biodiversitetin (KBA), kandidate zyrtare e rrjetit Emerald si pjesë e Konventës së Bernes si dhe plotëson të gjitha kriteret për tu shpallur si Ligatinë me Rëndësi Ndëkombëtare, si pjesë e Konventës Ramsar. Vjosë-Narta është pjesë integrale dhe luan një rol thelbëror në shëndetin e një rrjeti të gjerë ekologjik. Ndërtimet masive, në zemër të zonave të mbrojtura, do të shkatërrojnë në mënyrë të përhershme ekosistemin natyror.

Lexo më shumë  Arroganca e Ramës e falimentoi 'Albcontrol'-in, mazhoranca tenton shuarjen e skandalit në Parlament

Taulant Bino, presidenti i Shoqatës Ornitologjike e Shqipërisë (AOS) deklaron se: “Është e paimagjinueshme që Shqipëria të njollosi kontrubutin e saj në trashëgiminë natyrore kombëtare dhe ndërkombëtare, duke ndërtuar një aeroport që shkatërron biodiversitetin e zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë si dhe ligatinat e tjera përgjatë Adriatikut. Një aeroport në një zonë të ardhshme Natura 2000 është një Jo për intergimin në Bashkimin Europian”.

Annette Spangenberg, drejtuese e konservimit pranë EuroNatur shton se: “Me ndërtimin e një aeroporti brenda një zone të mbrojtur, qeveria shqiptare anashkalon zbatimin e ligjit duke dëmtuar natyrën dhe favorizuar interesa të caktuara. Procese të tilla duhet të frymëzojnë mosebesim ndaj Bashkimit Europian”.

Shënime për editorët:

Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë është një ndër sistemet ekologjike më të rëndësishme në Shqipëri, ligatina e dytë më e rëndësishme në vend, shtëpi e llojeve të rëndësishëm të florës dhe faunës. Kjo zonë është pjesë e disa rrjeteve ekologjike ndërkombëtare, pjesë e koridorit shtegtues të Adriatikut, me më shumë se 220 lloje shpendësh.

Qysh prej fillimit, organizatat joqeveritare kombëtare e ndërkombëtare kanë kundërshtuar planet për ndërtimin e aeroprtit brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë. Letra të hapura, manifestime, dhe rishikimi i raportit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM) janë vetëm disa nga aksionet e ndërmarra për të kundërshtuar këtë ndërtim të paligjshëm.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *