KryesoreOpinion/Aktualitet

Gratë, jeta, liria dhe e majta

Katër ngjarje të përqendruara te gratë kanë qenë kryetituj gjatë muajit të shkuar: fitorja zgjedhore e Giorgia Melonit në Itali, vdekja dhe funerali i Mbretëreshës Elizabeth II, publikimi i filmit “The Woman King” dhe protestat e përhapura në Iran pas vrasjes së Mahsa Aminit nga policia e moralit e vendit. Marrë bashkërisht, të katër këto rrëfime i nxjerrin në dritë veçoritë thelbësore të një terreni politik.

Teksa e majta po dështon që të ofrojë një përgjigje adekuate kundruall krizës së demokracisë liberale, ngritja e qeverive të reja të krahut të djathtë në Evropë nuk është veçanërisht befasues. Por roli qendror i grave në këtë lëvizje ende duhet që ta marrë vëmendjen e merituar. Liderët e krahut të djathtë, si Meloni dhe Marine Le Pen në Francë, po e paraqesin veten si një alternativë më të forta karshi teknokratëve tradicionalë mashkullorë. Ato i mishërojnë si ngurtësinë e krahut të djathtë ashtu edhe tiparet që rëndom ndërlidhen me feminitetin, siç është përqendrimi te përkujdesja dhe familja: fashizmi me një fytyrë njerëzore.

Tani kijeni parasysh spektaklin televiziv nga funerali për Elizabeth II, i cili nxori në pah një paradoks interesant: përderisa shteti britanik ka rënë bukur më poshtë statusit të tij të dikurshëm prej superfuqie, zotësia e familjes mbretërore britanike për ta frymëzuar ëndrrën imperiale vetëm sa është rritur. Nuk do të duhej ta mënjanonim këtë si një ideologji që i maskon marrëdhëniet aktuale të pushtetit. Përkundrazi, vetë fantazitë monarkike janë pjesë e procesit, nëpërmjet të cilit marrëdhëniet e pushtetit e reprodukojnë vetveten.

Vdekja e Elizabeth II na rikujtoi dallimin modern midis mbretërimit dhe sundimit, me ç’rast mbretërimi kufizohet vetëm me detyra ceremoniale. Nga monarku pritet që të rrezatojë dhembshuri, dashamirësi dhe patriotizëm, si dhe të qëndrojë larg konflikteve politike. Në këtë sfond, monarkët nuk e përfaqësojnë superioritetin e ideologjisë, por më tepër ideologjinë në formën e saj më të pastër. Për shtatë dekada radhazi, roli i Elizabeth II ishte që të shërbente si fytyra e pushtetit shtetëror. Koincidenca e vdekjes së saj në kohën e ngritjes në pushtet të kryeministres Liz Truss mund të ketë qenë shumë e rastësi, porse ishte njashtu një simbolikë e thellë e kalimit prej Mbretëreshës te “Woman King” (Gruaja mbret). Në rolin e saj të ri, Trussi i ka paraprirë pjesërisht të majtës, duke i ndërthurur subvencionet e energjisë me uljen e taksave për të pasurit.

“The Woman King” i Gina Prince-Bythewoodit e trajton po ashtu logjikën politike të monarkisë. Filmi epik historik për Agojie, një njësit i përbërë krejtësisht nga ushtaret gra që e mbrojnë mbretërinë e Afrikës Perëndimore të Dahomeyit nga shekulli i shtatëmbëdhjetë deri në atë nëntëmbëdhjetë, në rolin kryesor e ka aktoren Viola Viola Davisin si gjeneralen imagjinare, Nanisca. Ajo i nënshtrohet vetëm mbretit Ghezo, një figurë kjo reale që e sundoi Dahomeyin nga viti 1818 deri më 1859, dhe që u përfshi në tregtinë me skllevër në Atlantik krejt deri në fund të mbretërimit të tij.

Lexo më shumë  Aktivisti nga Lugina, Muharrem Salihu kandidati i parë nga Italia për zgjedhjet në Parlamentin Evropian

Në film, armiqtë e Agojies përfshijnë trafikantët e skllevërve, të udhëhequr nga Santo Ferreira, një karakter imagjinar i frymëzuar tërthorazi nga Francisco Félix de Sousa. Por, në fakt, de Sousa ishte një trafikant bazilian skllevërish që e ndihmoi Ghezon ta merrte pushtetin, ndërsa Dahomeyi ishte një mbretëri që i pushtoi të tjera shtete afrikane dhe që i shiste njerëzit e tyre në tregun e skllevërve. Derisa Nanisca përshkruhet se i kundërvihet mbretit në kundërshtim të tregtisë me skllevër, Agojie e vërtetë i shërbeu atij.

“The Woman King” e promovon kësisoj një formë feminizmi të favorizuar nga klasa e mesme liberale perëndimore. Sikurse lëvizja feministe e së sotmes #MeToo, luftëtaret e Amazonës nga Dahomeyi do të dënojnë në mënyrë të pamëshirshme të gjitha format e logjikës binare, patriarkatin dhe gjurmët e racizmit në gjuhën e përditshme; por do të jenë tejet të kujdesshme që të mos i trazojnë format më të thella të eksploatimit që e përforcojnë kapitalizmin modern global dhe këmbënguljen e racizmit.

Ky qëndrim e ngërthen nënvlerësimin e dy fakteve themelore mbi skllavërinë. Si e para, tregtarët e bardhë të skllevërve mezi se duhej të shkelnin në tokën afrikane, ngase afrikanët e privilegjuar (si mbretëria e Dahomeyit) ua siguronte atyre një furnizim të bollshëm me skllevër të freskët. Dhe, si e dyta, tregtia e me skllevër ishte e kudondodhur jo vetëm në Afrikën Perëndimore por edhe në pjesët e saj lindore, ku arabët skllavëruan me miliona, dhe ku institucioni zgjati më tepër sesa në Perëndim (Arabia Saudite nuk e shfuqizoi atë zyrtarisht deri në vitin 1962).

Ç’është e vërteta, Muhamed Kutbi, vëllai i intelektualit mysliman egjiptian, Sejid Kutb, e mbrojti fuqishëm skllavërinë islamike nga kritika perëndimore. Duke argumentuar se “islami u dha të drejta shpirtërore skllevërve”, ai i përplasi tradhtinë bashkëshortore, prostitucionin dhe seksin e rastësishëm (“që është forma më e urryer e animalizmit”) që gjenden në Perëndim me “lidhjen e pastër dhe shpirtërore që e lidh një shërbëtore [një vajzë skllave] me padronin e saj në islam”. Të këtilla muhabete ende dëgjohen nga disa dijetarë konservatorë salafistë, siç është sheiku Saleh Al-Fawzan, një anëtar i organit më të lartë fetar të Arabisë Saudite. Por askush nuk do ta dinte këtë nëse dëgjon vetëm liberalë perëndimorë të shtresës së mesme.

Fatmirësisht, ndërlidhjet historike të islamit me skllavërinë nuk duhet t’i nxjerrë pengesa potencialit emancipues të shoqërive kryesisht myslimane. Protestat masive në Iran kanë rëndësi historike botërore, ngase i ndërthurin betejat e ndryshme (kundër shtypjes së grave, shtypjes fetare dhe terrorit shtetëror) me një unitet organik. Irani nuk është pjesë e Perëndimit të zhvilluar, dhe slogani i protestuesve “Zan, Zendegi, Azadi” (“grua, jetë, liri”) nuk është thjeshtë një degëzim i largët i #MeToo apo feminizmit perëndimor. Ndonëse ka mobilizuar me miliona gra të zakonshme, ato flasin për një betejë shumë më të gjerë dhe e shmangin tendencës antimashkullore që rëndom zë vend në feminizmin perëndimor.

Lexo më shumë  Kryeziu: Shtensionimi ka ndodhur, masat e BE-së duhet të hiqen

Burrat iranianë që po bërtasin “Zan, Zendegi, Azadi” e dinë se beteja për të drejtat e grave është njashtu betejë për liritë e tyre – se shtypja e grave është thjeshtë manifestimi më i dukshëm i një sistemi më të gjerë të terrorit shtetëror. Për më tepër, ngjarjet në Iran janë diçka që ende na presin neve në botën e zhvilluar perëndimore, ku tendencat drejt dhunës politike, fundamentalizmit fetar dhe shtypjes së grave po përshpejtohen.

Ne në Perëndim nuk kemi të drejtë ta trajtojmë Iranin si një vend që po përpiqet dëshpërimisht të na arrijë.

Përkundrazi, jemi ne ata që duhet të mësojmë nga iranianët nëse duam që të kemi ndonjë shans për t’iu kundërvënë dhunës së krahut të djathtë dhe shtypjes në Shtetet e Bashkuara, Hungari, Poloni, Rusi dhe shumë shtete të tjera. Cilido qoftë rezultati i drejtpërdrejtë i protestave, gjëja kryesore është që lëvizja të mbahet gjallë, me anë të organizimit të rrjeteve sociale që mund të vazhdojnë së operuari nën tokë në rast se forcat e shtypjes shtetërore e arrijnë një fitore të përkohshme.

Nuk mjafton që thjesht ta shprehim simpatinë apo solidaritetin me protestueset iraniane, sikur ato t’i përkisnin një kulture të largët ekzotike. Të gjitha llomotitjet relativiste rreth specifikave dhe ndjeshmërive kulturore tani janë të pakuptimta. Ne mundemi dhe duhet ta shohim betejën iraniane si një sinonim me të tonën. Nuk na nevojiten figura prijëse grash apo Mbretër gra; na nevojiten gratë që do të na mobilizojnë të gjithëve për “gruan, jetën, lirinë” dhe kundër urrejtjes, dhunës dhe fundamentalizmit.

(Slavoj Žižek, profesor i Filozofisë në European Graduate School, është drejtor ndërkombëtar i Institutit Birkbeck për Shkenca Njerëzore në Universitetin e Londrës dhe autor i librit më të fundit: “Heaven in Disorder”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *