Opinion/Aktualitet

Gjorgje Martinoviqi si fantazmë në Parlamentin e Serbisë

Shkruan Enver Robelli

Sot nga fundi i ditës, pas gati 11 orë cirku politik, në Parlamentin e Republikës së Serbisë e mori fjalën Snezhana Paunoviq, deputete e Partisë Socialiste të Serbisë (SPS). Kjo është partia e Sllobodan Millosheviqit. Snezhana P. është nga Peja, e lindur në këtë qytet më 1975. Ajo foli e foli, gënjeu e gënjeu, numëroi (sipas saj) “vuajtjet” e serbëve në Kosovë nga Lufta e Dytë Botërore e tutje dhe – me një rast – si shembull të “vuajtjeve” të mëdha të pakicës serbe përmendi “rastin e Gjorgje Martinoviqit”. Për gjeneratat e reja të kosovarëve duhet tash një shpjegim.

Gjorgje Martinoviqi ka qenë punëtor në Shtëpinë e Armatës në Gjilan. Më 4 maj 1985 gazeta “Politika” e Beogradit njoftoi se më 1 maj 1985 në një fshat afër Gjilanit dy persona të paidentifikuar paskëshin “masakruar” Gjorgje Martinoviqin. Thuhej se ky serb ishte sulmuar ndërsa po mbillte fasule. Gjorgje Martinoviqi tregoi se e paskëshin sulmuar dy persona që flisnin shqip.

Çfarë i bënë ata? E paskëshin lënduar rëndë duke ia futur një shishe në anus.

Martinoviq u dërgua në spital në Gjilan, pastaj u transferua në Prishtinë. Policët hetues (atëherë quheshin milicë) pas shikimit të vendit të ngjarjes arritën në përfundimin se Gjorgje Martinoviqi nuk ishte lënduar nga persona të tjerë. Në përfundim të njëjtë arritën edhe mjekët në Gjilan. U mobilizuan mediat serbe, mjekët serbë, politikanët serbë, ushtria jugosllave e dominuar nga serbët, shërbimet sekrete, të gjithë u mobilizuan për të “dëshmuar” se Gjorgje Martinoviqin e paskëshin sulmuar shqiptarët. Duke ia futur në prapanicë një shishe të thyer! Pastaj, tha Martinoviqi, kishte humbur vetëdijen.

Lexo më shumë  Kur do ketë Tirana guximin t’i kujtojë Athinës gjenocidin grek në Shqipëri në 1914?

U mblodh partia për të diskutuar për ngjarjen. Edhe mjekët në Prishtinë njoftuan se dyshojnë që Martinoviqi kishte lënduar veten, pra nuk ishte lënduar nga persona të tjerë. Më 5 maj me Gjorgje Martinoviqin zhvilluan një bisedë komandanti i Garnizonit të Gjilanit, Novak Ivanoviq, dhe një oficer i shërbimit sekret ushtarak. Martinoviqi më vonë tha se ata i kishin bërë presion të pranojë se kishte lënduar veten.

Më 7 maj 1985 Sekretariati i Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Gjykata e Qarkut në Gjilan njoftuan se Martinoviqi e kishte lënduar veten si pasojë e tentimeve për vetëkënaqësi. Pastaj kishte shqiptarë që pasi pinin birrën e Pejës në dyqane e restorante të Kosovës, e thyenin shishen me arsyetimin se mund të dalë ndonjë Martinoviq i ri dhe ta keqpërdorë me qëllim të akuzimit të shqiptarëve.

Lexo më shumë  Afrimi i Kinës me Rusinë dhe bashkërendimi kundër Amerikës, Xi do të vizitojë Serbinë

Në gazetën “Vjesnik” të Zagrebit gazetarja Nadira Avdiq Vllasi, bashkëshortja e funksionarit të atëhershëm komunist Azem Vllasi, e akuzoi Martinoviqin se kishte kryer vetë një vepër të turpshme për t’i akuzuar shqiptarët. Më 7 maj 1985 Gjorgje Martinoviqi u transferua në Spitalin Ushtarak në Beograd. Tani e tutje mediat e Beogradit të shkretin Gjorgje Martinoviq e shndërruan në simbol të “vuajtjes së serbëve në Kosovë”.

Në Spitalin Ushtarak në Beograd Martinoviqi mbikëqyrej 24 orë nga ushtria. Familja e Martinoviqit kontaktoi Dobrica Qosiqin, një shkrimtar ultranacionalist serb, i cili ndërmjetësoi kontaktin me një avokat të Beogradit. Martinoviqi tha se ishte shtyrë nga prokurori Gradimir Popoviq dhe gjykatësi hetues Vukashin Trumpiq nga Gjilani të pranojë se kishte lënduar veten. Sidoqoftë, Martinoviqi vazhdoi të përdoret edhe më tutje nga propaganda serbe për të acaruar situatën dhe ndezur urrejtjen antishqiptare. Në Gjilan nuk u kthye më. Vdiq në Serbi në vitin 2000. U varros pa shishen me të cilën kishte lozur në arat e një fshati të Gjilanit…

Sot deputetja serbe Snezhana P. u përpoq ta ringjallë në parlamentin e Beogradit. I keqpërdorur si i gjallë dhe i keqpërdorur si i vdekur. Kjo është, pak a shumë, biografia e Gjorgje Martinoviqit.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *