Art & Kulturë

Gjon Kamsi dhe rrënjët e familjes së tij mesjetare

Çfarë zbulohet nga testamenti i gjetur në arkivin shtetëror të Zarës dhe kush janë pasardhësit e tij deri në ditët e sotme…? Në arkivin shtetëror të qytetit të Zarës, në fondin e noterit të Zarës, Bartolomeo Ferrari kemi gjetur testamentin e kanonikut të Zarës, don Gjon Kamsi, që daton nga 8 shkurti i vitit 1775. Është karakteristik jo vetëm për faktin se i takon një personaliteti të lartë të hierarkisë kishtare që kishte lindur në Shkodër, por që kishte arritur të krijonte pasuri të luajtshme e të paluajtshme mjaft të madhe dhe në të njëjtën kohë, kjo pasuri u ndahet trashëgimtarëve shqiptarë që jetojnë në qytetin e Zarës, pa harruar edhe bashkëkombësit shqiptarë që ndodheshin në Shkodër, të cilët ishin nën sundimin osman, por edhe qytetarëve të Zarës, që ishin nga familje fisnike të nderuara…

Një studim i mirëfilltë për familjet fisnike mesjetare shqiptare mungon edhe sot e kësaj dite. Janë bërë përpjekje të herëpashershme që të shkruhet ndonjë studim e më rrallë ndonjë monografi ku janë ndriçuar aspekte të ndryshme të ndonjërës prej këtyre familje. Botimi i monografive ose studimeve kompetente për familjet shqiptare mesjetare është shumë i vështirë dhe kërkon përgatitje e lartë profesionale dhe punë këmbëngulëse mjaft të gjatë kohore. Është e ditur tashmë se pothuajse të gjitha materialet burimore të shkruara, ruhen nëpër arkiva e biblioteka të ndryshme të Evropës ose janë pronë private. Më e keqja është se ne ende nuk kemi një bibliografi shkencore të vendndodhjes së këtyre burimeve me rëndësi të veçantë për ndriçimin e mesjetës nga shumë aspekte, qoftë ekonomike, politike, ushtarake, kulturore, sociale, etnografike dhe në fund edhe heraldike.

Migrimet e shqiptarëve nëpër qendra të mëdha të kohës janë më se të zakonshme dhe ato nuk paraqesin ndonjë risi të panjohur më parë. Por, ngulitja e tyre, jeta, ambientimi, përditshmëria dhe kontributi në vendbanimin e ri janë me shumë interes, sepse përveçse aty ndjekim trungun gjenealogjik të familjes përkatëse, aty gjejmë të ruajtura edhe lidhjet me atdheun, krahinën apo qytetin-komunë nga ku janë shpërngulur, ndërsa në anën tjetër mund të ndiqet pozita dhe gjendja ekonomike që arrihet në shoqërinë e re, ndikimi i madh politik, ekonomik e kulturor që arrihet duke u bërë pjesë e një mekanizmi të tërë të pushtetit vendor dhe më gjerë.

Jo rrallëherë, pjesëtarë të këtyre familjeve fisnike patronomike shqiptare janë shumë më të njohur në vendbanimin e ri ose edhe më gjerë se sa në vendlindjen e tyre. Kjo ndodhë, për fat të keq edhe në ditët e sotme, kur për këto familje ne nuk kemi asnjë informacion apo studime kapitale siç është p.sh. “Histori e Shqipërisë” apo ndonjë monografi për mesjetën ato nuk përmenden fare! Natyrisht, faj për këtë kemi ne vetë, sepse mungojnë kërkimet shkencore nëpër arkiva e biblioteka të ndryshme.

Gjatë sundimit venedikas, grupet e popullsisë së shpërngulur të besimeve dhe përkatësive të ndryshme etnike, përbënin një segment të rëndësishëm të jetës së përditshme shoqërore të qyteteve bregdetare nga Kreta deri në Istria dhe të atyre të hinterlandit. Njëra nga qendrat më të rëndësishme dhe tërheqëse për grupe të tilla ishte qyteti i Zarës si kryeqendër e sundimit Venedikas për Dalmacinë, e pushtetit administrativ, ekonomik, politik, e kulturor i cili ishte i rrethuar me mure të forta dhe të larta, ku jetonin popullsi me përkatësi të ndryshme kombëtare e fetare, që gjenin strehim dhe siguri nga përndjekjet e pushtuesve gjatë periudhave të ndryshme të mesjetës. Që nga shekulli XIV, për të mos thënë më herët, në lëndën arkivore të ruajtur në arkivin historik të qytetit të Zarës gjejmë të dhëna për familjet feudale shqiptare të cilat kishin gjetur strehim dhe ishin vendosur në qytetin kështjellë të Zarës. Familjet më të njohura që jetuan në ambientin e ri dhe krijuar emër e respekt janë: familja e Nikollë Mesilit, Mark Gjinit, Mikel Lindit, por edhe familjet tjera në zë edhe në Shqipërinë e asaj kohe si familja Kruta, Albanese, Dukagjini, Gjergji, Dushmani, Delvesi, Skarpa, dhe Kamsi.

Në këtë shkrim do të përqendrohemi tek një pjesëtar i familjes së njohur feudale shqiptare që bëri emër, respektohej dhe nderohej në tërë qytetin e Zarës, don Gjon Kamsin (don Giovanni Campsi).

Sipas burimeve arkivore të njohura dhe të përdorura deri tani familja Kamsi, ka qenë e njohur që prej shekullit XVII, ndërkohë që sipas burimeve arkivore të Vatikanit, përkatësisht nga Arkivi Sekret i Vatikanit, të dhënat për të i gjejmë që nga fillimi i shekullit XV, përkatësisht viti 1404, (shih dokumentin faksimile që po botojmë si ilustrim). Nga kjo familje që mesa duket është degë e familjes Engjëllore të Drishtit, kanë dalë personalitete të shquara të jetës kishtare, si kryeipeshkvë, ipeshkvë, kanonikë, legatë, priftërinj, etj. por edhe tregtarë dhe ekonomistë të zotë, njerëz të pendës e të fjalës, studiues të mirëfilltë shkencorë e diplomatë të nderuar.

Arkivi i Zarës burim i vlershëm për mesjetën shqiptare

Përveç arkivit të Dubrovnikut, njërit prej arkivave më të rëndësishëm për historinë shqiptare është edhe arkivi shtetëror historik i Zarës i cili ruan thesare të vërteta të burimeve dokumentare për mesjetën shqiptare, por edhe për historinë e mëvonshme, veçanërisht për shekullin XVIII dhe XIX, kohën e shpërnguljeve dhe ngulitjeve të shqiptarëve të rrethit të Liqenit të Shkodrës në Zarë, të cilët edhe sot e kësaj dite ruajnë traditën, zakonet dhe gjuhën shqipe. Studime të mirëfillta, sistematike dhe të organizuara nga ndonjë institucion shqiptar deri me sot në këtë arkiv nuk janë bërë. Botimi i burimeve dokumentare ka qenë i pjesshëm, fragmentar ose i rastësishëm nga studiues të huaj të cilët nuk e kanë pasur për objekt studimi Shqipërinë dhe shqiptarët.

Duke bërë kërkime në arkivin shtetëror të qytetit të Zarës, në fondin e noterit të Zarës, Bartolomeo Ferrari (1763-1783), vëll. II, filiza (busta) 5 e regjistrit të testamenteve, nr. 54, f. 32v-34v, kemi gjetur testamentin e kanonikut të Zarës, don Gjon Kamsi, që daton nga 8 shkurti i vitit 1775. Ky testament është shkruar në kohën e Dogjit venedikas Alvisea Mocenig (1763-1778) dhe princit të Zarës, Gjergj Marinit (Zorzia Marini) në vitet 1774-1776, në prani të autoritetit zyrtar të autorizuar nga pushteti komunal i qytetit, fisnikut vendas, doktorit të drejtësisë, Ivan Antun Fanfonjës (Ivana Antuna Fanfogne). Testamenti është shkruar në shtëpinë e don Gjon Kamsit që ndodhej në lagjen e S. Maria del Castello. (Në kishën e kësaj lagjeje, që mban po këtë emër, është varrosur i mirënjohuri kryeipeshkvi i Zarës, Vinçenc Zmajeviqi, i cili organizoi Kuvendin e Arbrit në vitin 1703).

Lexo më shumë  Kartolina, dritarja prej ku bota u njoh dhe u magjeps me bukurinë e gruas dhe veshjen tradicionale shqiptare

Ky testament është njëri nga testamentet e shumta që ruhet në këtë arkiv dhe që kanë përpiluar shqiptarët. Është karakteristik, dhe si të tillë e zgjodhëm për botim, jo vetëm për faktin se i takon një personaliteti të lartë të hierarkisë kishtare që kishte lindur në Shkodër, por që kishte arritur të krijonte pasuri të luajtshme e të paluajtshme mjaft të madhe dhe në të njëjtën kohë, kjo pasuri u ndahet trashëgimtarëve shqiptarë që jetojnë në qytetin e Zarës, pa harruar edhe bashkëkombësit shqiptarë që ndodheshin në Shkodër, të cilët ishin nën sundimin osman, por edhe qytetarëve të Zarës, që ishin nga familje fisnike të nderuara. Nga studimi i kujdesshëm i testamentit dalin të dhëna me interes si për trungun gjenealogjik të familjes Kamsi, ashtu edhe për vetë pozitën shoqërore të përpiluesit, don Gjon Kamsit, i cili i takonte Urdhërit të “Beate Vergine del Buono audio” i themeluar në vitin 1510, Urdhër në radhët e të cilit asnjëherë nuk kishte më shumë se 12 anëtarë (që simbolikisht paraqisnin 12 apostujt) dhe veprimtarinë e tij e ushtronte në katedralen e qytetit. Në testamentin e tij, don Gjoni i kushton një rëndësi të veçantë këtij Urdhëri duke i lënë një pjesë të mirë të trashëgimisë së tij dhe njëkohësisht duke shprehur dëshirën që të varroset pranë anëtarëve të tjerë të këtij të tij në katedralen e qytetit, vend ky i rezervuar vetëm për anëtarët e këtij urdhëri dhe personalitetet më të larta kishtare. Gjon Kamsi shkruan në testamentin e tij të gjitha hollësitë procedurale që dëshironte t’i kryheshin që nga momenti i vdekjes deri në çastin e varrosjes.

Kush ishte don Gjon Kamsi?

Don Gjon Kamsi lindi në Shkodër në maj të vitit 1693. Mësimet e para në teologji i mori në ipeshkvinë e Shkodrës, kurse studimet i vazhdoi në Kolegjin Ilirik të Loretos. Sipas regjistrave që ruhen sot, në këtë kolegj ai mbrojti me sukses doktoratën në filozofi dhe në të drejtës kanonike. Shugurohet prit në moshën 23 vjeçare (në vitin 1716) dhe fillimisht shërben në Treviso për 6 vjet dhe më vonë edhe në Venedik për 8 vjet të tjera. Më 15 mars të vitit 1730, me nismën e kryeipeshkvit të Zarës, Vinçenc Zmajeviqit, zgjidhet kanonik i Zarës, përkatësisht i Mitropolisë së qytetit të Zarës, përkundër faktit, se ligji venedikas i vitit 1719, e ndalonte që një i huaj (pra ata që nuk ishin qytetarë të Zarës) të mund të zgjidhej kanonik në qytetin apo katedralen e Zarës. Kjo njëherësh tregon ndikimin e madh që kishte Zmajeviqi në Venedik dhe autoritetin e lartë që gëzonte don Gjon Kamsi në Zarë, por edhe në Republikën e Shën Markut. Një e dhënë tjetër mjaft interesante është fakti, që në vitin 1739 papa Klementi XII (12 korrik 1730-6 shkurt 1740) e emëroi ipeshkëv të Shkodrës don Gjon Kamsin, gjë që ai e refuzoi me ‘përvujtësi’, edhe përkundër shumë përpjekjeve dhe lutjeve të Vinçenc Zmajeviqit që ta pranonte këtë detyrë dhe post shumë të rëndësishëm në hierarkinë kishtare. Ai nuk pranon për asnjë arsye duke dëshiruar të shërbente në Zarë si kanonik. Pas refuzimit të don Gjon Kamsit, si ipeshkëv i Shkodrës emërohet Pal Kamsi (25 maj 1742 -1771) një kurshëri i don Gjonit. Që nga viti 1730, don Gjon Kamsi, është njëri ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të kryeipeshkvit të Zarës Vinçenc Zmajeviqit. Ky i fundit, duke pasur respekt dhe besim të madh te don Gjoni, dhe në testamentin e tij të vitit 1745, e emëron atë si njërin nga zbatuesit e testamentit dhe njëherësh e shpërblen me një pjesë të pasurisë së tij të paluajtshme që kishte në Sukoshan afër Zarës. Duke qenë njeri i respektuar dhe i nderuar, i afërt dhe i sinqertë, i dashur dhe i kujdesshëm me të gjithë, e në mënyrë të veçantë me koloninë shqiptare të Zarës (Arbneshi, Arbanasi, Borgo Erizzo) emrin e tij e ndeshim në shumë dokumente arkivore, veçanërisht në testamente të bashkëvendësve të tij, si zbatues i testamentit apo si njërin nga dëshmitarët kryesorë për zbatimin e tyre. Kjo gjë tregon se sa shumë e çmonin arbneshasit don Gjonin. Pas një shërbimi pastoral prej rreth 45 vitesh në Zarë, don Gjon Kamsi vdes po në Zarë më 16 shkurt 1775, dhe varroset sipas porosisë së tij në kishën katedrale të Zarës.

Përmbajtja e testamentit të Gjon Kamsit

Testamenti i don Gjon Kamsit në fillim mban shënimin e noterit që personi në fjalë ishte psiqikisht dhe shpirtërisht i aftë, megjithëse shumë i moshuar dhe pothuajse i palëvizshëm (mosha e tij me rastin e përpilimit të testamentit ishte 82 vjeç). Përveç këtij shënimi, në testament gjejmë të dhëna biografike për të dhe për familjen e tij si p.sh. emrin e të atit, Mark Kamsi, të xhaxhait të tij, Jak Kamsit, emrin e të nipit, djalit të Jakut, Pjetër Kamsit; të motrës Margaritës së tij dhe të vajzës së saj, Paulina, etj.

Titulli dhe funksioni i saktë që mbante don Gjoni në hierarkinë kishtare të kryeipeshkvisë metropolitane të Zarës përshkruhet me këto fjalë: dekan i kanonikëve të metropolisë së këtij qyteti (“canonico decano della Metropolitana di questa Città”).

Tre zbatuesit dhe mbikëqyrësi e testamentit të kanonikut don Gjon Kamsi emërohen nga ai vetë: shërbëtorja e tij Gele, prifti shqiptar nga Sapa, Mark Delvesi dhe qytetari i Zarës po me origjinë shqiptare, Gjergj Galeni. (Mark Delvesi kishte lindur në Sapë, qytet sufragan i kryeipeshkvisë së Tivarit, dikur në mes të shekullit XVII. Dokumentet e arkivit të Zarës e përmendin si këshilltar të kryeipeshkvit të Zarës, Vinçenc Zmajeviçi. Ky i fundit (Zmajeviçi) i kishte lënë Delvesit edhe trashëgimi në testamentin e tij, një shumë që arrinte 200 dukatë si dhe të gjitha kafshët që ishin pronë e Zmajeviçit në kryeipeshkvinë e Zarës.)

Në vazhdim të testamentit, Gjon Kamsit deklaron qartë se pasuria e tij nuk ishte e trashëguar nga i ati dhe nga familja e tij, por që ishte e krijuar dhe e blerë nga vetë ai, gjatë jetës dhe shërbimit të tij 45-vjeçar në qytetin e Zarës, dhe për këtë arsye ai dispononte të gjitha të drejtat ligjore që ta ndante atë sipas dëshirës së tij. Kështu, një pjesë të pasurisë së tij ai ia lë pjesëtarit të familjes fisnike të Zarës, Anton Maria Benjës (Anton Maria Begna), si dhe Perine Arnjakoviçit (Perine Argnacovich), sepse ata i kishin ndihmuar pjesëtarët e familjes së tij, veçanërisht Pjetrin e Jak Kamsit. Shuma që ai u lë trashëgimi atyre arrin 500 cekina. Duke rikujtuar shërbimin dhe besnikërinë që kishte treguar ndaj tij prifti shqiptar Mark Delvesi, kanoniku don Gjon Kamsi i lë atij shumën prej 130 cekinash. Të njëjtën shumë i lë edhe shërbëtores së tij Gele, ndërkohë që qytetarit zaras me origjinë shqiptare Gjergj Galenit i lë 50 cekina si dhe tabakanë e argjendtë të praruar me flori. Nga pasuria e Kamsit, zbatuesit dhe mbikëqyrësit e saj janë të detyruar që të ndajnë nga 2 cekina në vit për ndonjërën prej familjeve shqiptare që jetojnë në Shkodër ose në ndonjë pjesë tjetër të Shqipërisë që jeton nën sundimin osman dhe që për shkak se nuk mund të paguajë taksën ndaj turqve rrezikon të konvertohet në myslimane. Kjo pagesë bëhet me qëllim që të ruhet tradita e besimit të krishterë në Shkodër dhe në Shqipëri.

Lexo më shumë  Kartolina, dritarja prej ku bota u njoh dhe u magjeps me bukurinë e gruas dhe veshjen tradicionale shqiptare

Një pjesë e pasurisë u ndahet të varfërve të qytetit të Zarës, azilit të pleqve si dhe grave të varfra, përkatësisht ato të ardhura që vileshin nga dyqani i tij që ishte në qendër të qytetit të Zarës (në Kalelarga), përballë kishës së S. Barbara. Këtë dyqan, Gjon Kamsi ai e kishte blerë nga fisniku zaras Gjon Krisogon Françesku (Giovanni Grisogona Franceschi) me një çmim prej 100 cekinash.

Pasardhësit shqiptarë – trashëgimtarë kryesorë

Trashëgimtarët kryesorë të të gjithë pasurisë së don Gjon Kamsit emërohen nipi, Pjetër Kamsi, dhe mbesa Paulina, vajza e motrës tij të ndjerë, Margaritës. Në rast se Pjetri dhe Paulina do të vdisnin para kanonikut don Gjon Kamsi, atëherë e tërë pasuria do t’u mbetej trashëgimtarëve të tyre ligjorë, si në linjën mashkullore ashtu edhe në atë femërore, me të vetmin kusht që asnjëri prej tyre nuk duhet të pengonte zbatuesit e testamentit Gelën, Mark Delvesin dhe Gjergj Galenin në punën e tyre.

Në fund të testamentit gjejmë të shënuar edhe emrin e noterit Bartolomeo Ferrarit (Bartolomeo Ferrari), firmën dhe vulën zyrtare të tij si dhe emrat e dëshmitarëve të pranishëm, qytetarëve zaras Anton Danese, Giovanni Batistta dhe Mateo Adrianos nga Vrana, të cilët dëshmojnë për vërtetësinë e fjalëve të don Gjon Kamsit që përshkruhen me saktësi në testament. Në të majtë, anash, gjendet edhe vula e zyrtarit të qytetit të Zarës, Ivan Anton Fanfonjës, i cili e zyrtarizon testamentin dhe e bën atë të vlefshëm para ligjit.

Vetëm tre ditë më vonë pas legalizimit të testamenti, më 11 shkurt 1775, kanoniku don Gjon Kamsi bën një plotësim në testamentin e tij në prani të noterit Bartolomeo Ferrarit si dhe të dëshmitarëve Anton Simon Dorçiqit dhe Antun Ivan Adrianos nga Vrana, të dy qytetarë zaras. Përfaqësues zyrtar në këtë plotësim ishte sërish Ivan Anton Fanfonja. Në këtë plotësim thuhet: “gjithçka që është thënë më lart në testamentin e datës 8 shkurt 1775 është e saktë dhe konfirmohet,” por Kamsi saktëson “se pas vdekjes së tij dëshiron të mbahen 300 mesha për shpëtimin e shpirtit të tij, dhe me këtë rast ndan nga një lirë për çdo meshë. Meshat duhet të mbahen në kishat e ishujve të Zarës.”

Kanoniku don Gjon Kamsi vdiq më 16 shkurt 1775 në Zarë, vetëm pesë ditë pas përpilimit përfundimtar të testamentit të tij. Një ditë pas vdekjes së tij, më 17 shkurt 1775, tre zbatuesit e testamentit, Mark Delvesi, Gjergj Galeni dhe shërbëtorja Gele, e hapën testamentin zyrtarisht në prani të zyrtarit Fanfonja dhe të noterit Ferrari si dhe në prani të zejtarëve zaras Mateo Antonio Brunac dhe Simon Simon Skarpa dhe të interesuarve që përmenden në testament.

Edhe pse me një pozitë mjaft të lartë kishtare në qytetin e Zarës, don Gjon Kamsi ka qenë i rrethuar nga shqiptarë gjatë jetës së tij, me të cilët ka pasur lidhje mjaft të ngushta si sociale ashtu edhe ekonomike.

Shqiptarët në Zarë që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në të gjitha segmentet e jetës dhe veçanërisht në hierarkinë kishtare që nga mesjeta e hershme. Duke pasur pozita shumë të rëndësishme në këtë qytet, qendër administrativo-politike e pushtetit Venedikas për tërë Dalmacinë, ata ndihmonin bashkëvendësit e tyre shqiptarë që të strehoheshin në këtë qytet, pas përndjekjeve nga turqit, duke u përkujdesur që të kishin kushte dhe jetë normale dhe njëherësh ndihmonin njëri-tjetrin në forma të ndryshme duke mos harruar asnjëherë origjinën shqiptare dhe duke mos shkëputur lidhjen me atdheun Shqipërinë.

Kolonitë shqiptare në brigjet e Adriatikut janë mjaftë karakteristike. Në to pasqyrohen shumë elemente të veçanta dhe mjaft të rralla të identitetit shqiptar, të cilat nuk i hasim në diasporën tjetër shqiptare. Numri i këtyre kolonive nuk është i vogël, edhe pse janë përballur me rrebeshet e kohës, nga ku disa janë asimiluar madje, dhe për ta nuk dihet shumë përveçse faktit se kanë ekzistuar. Njëra nga këto koloni që veçohet më së shumti dhe që ka një identitet të fortë si e tillë, është Arbneshi i Zarës – Borgo Erizzo. Përveç këtij emri, të themi zyrtar, sipas dokumenteve që ruhen në arkivin historik të Zarës, kjo lagje njihej në fillim me emrin Eriçin Varosh /Ericovo selo/ nga popullsia kroate, e më vonë me emrin Arbanasi; dhe Arbnesh, nga banorët shqiptarë. Vetëm në vitin 1721, nga fshatrat rreth Liqenit të Shkodrës, Brisk, Shestan Ljajre, u shpërngulën 32 familje shqiptare me 227 frymë, dhe u vendosën në paralagjen e Zarës. Shkaqet e shpërnguljes duhet kërkuar në prizmin e ngjarjeve të kohës dhe të rrethanave politiko shoqërore. Ndër këto shkaqe mund të përmendim luftërat e shumta, sëmundjet, plaçkitjet, detyrimet e të rinjve shqiptarë për rekrutë në ushtrinë turke, kushtet e rënda ekonomike dhe varfëria e madhe, trysnia e ushtruar nga ana e Perandorisë për të ndërruar fenë, etj. Varësisht nga pikëpamjet dhe orientimet e tyre, studiues të ndryshëm i trajtojnë analizat dhe shqyrtimet e materialit arkivor në mënyra të ndryshme, e shpeshherë edhe kontradiktore. Sido që të jetë, pranohet nga pothuajse të gjithë që iniciator kryesor për këtë shpërngulje të shqiptarëve ishte kryeipeshkvi i Zarës, Vinçenc Zmajeviqi.Dielli

Nga Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies – Budpaest

RRuga PRess

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *