Lajme

Gazetarja ukrainase: Asnjëherë s’kam shkruar për Kosovën, do të punoj në forcimin e miqësisë

Gazetarja ukrainase Lyudmila Makey, është shprehur mirënjohëse ndaj Qeverisë së Kosovës për mbështetjen ndaj popullit ukrainas.

Makey të dielën mbërriti në Kosovë në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë në Kosovë (Journalist in Residence in Kosovo)”. Ajo është një nga 20 gazetarët, të cilëve Qeveria e Kosovës u ka ofruar strehë, pagë e kushte pune për 6 muaj.

Deri më tash, në Kosovë ka mbërritur vetëm Makey dhe ajo të hënën ka mbajtur konferencë për media.

Ajo ka thënë se i ka lënë përshtypje mikpritja që i është bërë nga populli i Kosovës.

“Kur zbrita nga avioni ndjeva sinqeritetin dhe mikpritjen e njerëzve që më takuan. Më ka bërë shumë përshtypje se si dhimbja e vendit tim ndihet në zemrën e popullit të Kosovës. Jam mirënjohëse ndaj Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e saj për popullin e Ukrainës në këtë moment të vështirë. Fatkeqësisht puna si gazetar në Ukrainë është bërë shumë e rrezikshme. Nuk kam pasur mundësi më parë të shkruaj për Kosovën sepse nuk kam pasur kolegë nga Kosova që të marr informacione të vërteta nga ta”, ka thënë ajo.

Lexo më shumë  Këlliçi, tjetër denoncim për incineratorin e Tiranës: Ja si u themelua biznesi mafioz i plehrave

Makey ka shtuar se mundësia që i është ofruar për të ushtruar profesionin e saj në Kosovë do të bëjë që të forcohet miqësia mes vendeve.

“Ndjehesha e impresionuar prej bukurisë së Prishtinës pavarësisht motit të ftohtë dhe të vranët por ndjeva ngrohtësinë që më dhanë njerëzit. Kur dëgjova herën e parë për Kosovën vendosa të vij për të parë me sy të mi se si është jeta në Kosovë”, ka shtuar ajo.

Gazetarja ukrainase ka njoftuar se që nga fillimi i luftës më shumë se 20 gazetarë janë vrarë nga rusët.

“Më shumë se 25 kolegë të mi janë zhdukur në Mariupol, nuk kemi kontaktuar me ta dhe nuk dihet fati i tyre”, ka thënë ajo.

Flutura Kusari nga ECMPF-ja tha se kanë edhe kërkesa të tjera nga gazetarët ukrainas për të ardhur në Kosovë.

Ajo tregoi edhe paratë që do të ndahen për një gazetar ukrainas.

“500 euro në muaj për shpenzime mujore, 300 për qira dhe 1000 euro për udhëtim”, tha Kusari.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *