KryesoreLajme

Vrasja e Arlindës, Sveçla mirëpret arrestimet: Drejtësi jo vetëm ndaj kryesve, por edhe ndaj të gjithë atyre që mund të kenë kontribuar apo lehtësuar kryerjen e këtij krimi

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se janë arrestuar edhe katër persona të dyshuar për përfshirje në vrasjen e Arlinda Zekajt.

Përmes një reagimi publik, Sveçla ka kërkuar që hetimet të shtrihen në të gjitha dimensionet e rastit, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave dhe vënien para drejtësisë jo vetëm të autorëve të krimit, por edhe të personave që mund të kenë kontribuar apo lehtësuar kryerjen e tij.

Ai ka theksuar se vrasja e grave nuk mund të ketë asnjë justifikim dhe se autorët duhet të marrin dënimin maksimal të paraparë me ligj.

Në këtë kontekst, Sveçla ka përmendur edhe dënimin me burgim të përjetshëm të konfirmuar një ditë më parë ndaj Naim Murselit për vrasjen e Liridona Ademajt, duke e cilësuar atë si dëshmi të rëndësisë së ndëshkimit të merituar për krime të tilla.

Në reagimin e tij, ministri ka ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi përgjegjësinë e personave që mund të kenë qenë në dijeni të rrezikut me të cilin përballej Arlinda Zekaj, por që nuk kanë ndërmarrë veprime për ta mbrojtur.

Lexo më shumë  Kurti për The Irish Times: Kosova e gatshme për anëtarësim në BE

Sipas Sveçlës, duhet të hetohet edhe fakti që, pavarësisht kërkesës së saj për të jetuar e sigurt, madje edhe në pronën e saj, disa persona kanë zgjedhur të mos ndërhyjnë.

“Asnjë përgjegjësi nuk duhet të mbetet pa u hetuar dhe asnjë shkelje pa u trajtuar sipas ligjit”, ka përfunduar Sveçla.

Reagimi i plotë:

Sot u arrestuan edhe katër të dyshuar të përfshirë në vrasjen e Arlinda Zekaj. Hetimet për këtë rast duhet të vazhdojnë në të gjitha dimensionet, deri në zbardhjen e plotë të tij. Mirëpres çdo hetim dhe veprim institucional që ndihmon në zbardhjen e plotë të rastit dhe sjelljen para drejtësisë jo vetëm të kryesve, por edhe të të gjithë atyre që mund të kenë kontribuar apo lehtësuar kryerjen e këtij krimi.

Vrasja e grave nuk mund të ketë asnjë justifikim dhe autorët duhet të marrin dënimin maksimal të paraparë me ligj. Dënimi me burgim të përjetshëm i konfirmuar dje ndaj Naim Murselit për vrasjen e Liridonës është një dëshmi e rëndësisë së ndëshkimit të merituar për krime të tilla.

Mbetem në mbështetje të plotë të institucioneve tona në zbardhjen e çdo rrethane dhe në vënien para përgjegjësisë të secilit që ka pasur dijeni për rrezikun me të cilin përballej Arlinda, përfshirë edhe ata që, përballë kërkesës së saj për të jetuar e sigurt, madje edhe në pronën e saj, kanë zgjedhur të qëndrojnë spektatorë në vend se të veprojnë për mbrojtjen e jetës së saj.

Asnjë përgjegjësi nuk duhet të mbetet pa u hetuar dhe asnjë shkelje pa u trajtuar sipas ligjit.

Lexo më shumë  Zelensky publikon pamjet e sulmit ndaj anijes ruse në Libi
YouTube player