Lajme

Gazetari britanik kujton filmimin e masakrës që nisi luftën në Kosovë

Gazetari britanik Vaughan Smith tha për BIRN se si ai ishte dëshmitar i sulmit të përgjakshëm të forcave serbe ndaj kompleksit të bashkëthemeluesit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, në mars 1998 – incidenti që shënoi fillimin e luftës në Kosovë.

Vaughan Smith, themeluesi i Frontline Club të Londrës, një vend që mbështet gazetarët e pavarur në mbarë botën, tha të hënën në mbrëmje për emisionin televiziv të BIRN Kosova Kallxo Përnime se si ai filmoi policinë serbe ndërsa rrethonte kompleksin e shtëpisë së bashkëthemeluesit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, në mars 1998.

Sulmi shkaktoi zemërim në mesin e shqiptarëve të Kosovës dhe shihet si incidenti që inkurajoi rezistencën e gjerë të armatosur kundër regjimit shtypës të presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç.

Më 5 mars 1998, Smith tha se kishte arritur të shkonte afër fshatit Prekaz në komunën e Skënderajt, ku Jashari, i cili kishte luftuar kundër sundimit jugosllav mbi Kosovën, jetonte me familjen e tij të madhe.

“Pashë forcat serbe. Nuk e dija se ku ishte dhe çfarë po ndodhte, por ishte e qartë që ishte një lloj operacioni policor dhe sulm ushtarak”, tha Smith.

Gjithsej 59 persona, duke përfshirë gra dhe fëmijë, u vranë në sulmin e forcave policore serbe nga 5-7 mars.

Lexo më shumë  Maqedonci me detaje nga Londra: Sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore për FSK-në e industri e mbrojtjes

Më 6 mars, Smith u kthye në zonë, pas tymit që po ngrihej në qiell.

“U ngjita në një kodër dhe m’u desh të zvarritesha rreth 100 metra para me një kamerë të madhe dhe më pas pashë sulmin që po ndodhte”, tha ai.

Një shtëpi duke u djegur në fshatin Prekaz e filmuar nga ekipi i Vaughan Smith në mars 1998. Foto kortezi e Vaughan Smith.

Ai kujtoi se sa shtëpi ishin në flakë dhe të tjera po shkatërroheshin nga buldozerët.

Smith dhe dy të tjerë që ishin me të u pikasën nga forcat serbe, të cilët hapën zjarr ndaj tyre.

“Një karikator i tërë kallashnikovi prej 30 plumbash erdhi në drejtimin tonë në tre breshëri”, tha ai.

Më vonë, kur vendosi t’i telefononte të shoqes, kuptoi se celulari e kishte shpëtuar nga një plumb në bark.

“Celulari im kishte një plumb në të. Isha gati t’i telefonoja sime shoqeje dhe t’i thosha që isha mirë”, tha Smith, i cili e ka ende telefonin edhe sot e kësaj dite.

Pas xhirimeve në Prekaz, Smith dhe ekipi i tij shkuan në Hotel Grand në qendër të Prishtinës për të montuar pamjet e tyre.

Lexo më shumë  Ngrihet aktakuzë ndaj dy serbëve për krime lufte ndaj shqiptarëve

“Ishte një hotel i lidhur me paraushtarakët serbë, dhe ne po qëndronim atje, por ata nuk e dinin se çfarë kishim në kasetë”, tha ai.

“Mund të paguanim për të përdorur shërbimet e tyre të transmetimit… kaseta do të futej në videokasetë dhe do të transmetohej drejtpërdrejt. Më kujtohen si i shqyen sytë kur panë pamjet, por ishte tepër vonë, tashmë ato ishin transmetuar dhe ata nuk mund ta ndalonin”, shtoi ai.

Pas transmetimit të pamjeve të Smith, shumë media të tjera ndërkombëtare filluan të raportonin për atë që po ndodhte në Kosovë dhe të fokusoheshin në masakrat e mëvonshme në Abri në shtator 1998 dhe Reçak në janar 1999 – një incident që ndihmoi për të bindur NATO-n të ndërhynte ushtarakisht dy muaj më vonë për t’i dhënë fund represionit të presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç.

Smith tha se u është mirënjohës civilëve që vuajtën në luftë sepse “pa fotot e atyre vuajtjeve, Kosova nuk do të kishte pavarësinë tuaj… Ju e dini se ato masakra sollën NATO-n. Ishte një përgjigje për atë vuajtje njerëzore.”/birn/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *