KryesoreLajme

Gafa trashanike e policisë së Tiranës, arrestuan grupin e aktorëve shqiptarë të Kosovës duke i ngatërruar si trafikantë tritoli

Policia shqiptare ka ndaluar një grup artistësh shqiptarë nga Kosova, duke i mbajtur më shumë se 10 orë, pasi i ka ngatërruar me një grup kriminelësh që trafikonin lëndë eksplozive.

Ditën e djeshme drejtori i policisë së Tiranës Tonin Vocaj,  në një konferencë për shtyp deklaroi se policia kishte kryer dy aksione ku në pranga kishin rënë edhe disa shtetas kosovarë që trafikonin lëndë eksplozive nga Kosova për në Shqipëri. Duket se gjatë kapjes dhe aksionit për të arritur tek ata, policia është ngatërruar me aktorët e Teatrit. Mirëpo shefi i policisë vendore nuk deklaroi asgjë rreth këtij gabimi trashanik.

Trupa e tyre kishin shfaqur  “The Handke Project” në “Teatro della Pergola” në Firence më 2 dhe 3 shkurt dhe në datën 4  shkurt zbritën në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas për të shkuar në Kosovë më pas. Ishte ky momenti kur ata u ngatërruan për trafikantë tritoli. Artistët kosovarë kanë treguar se ata janë ndaluar  në vendin ku bëhet pagesa e “Rrugës së Kombit”, rreth orës 00:30. Në një prej makinave ishin tre anëtarë të ekipit të aktorëve. Një prej oficerëve hipi në makinë me ta dhe urdhëroi që të ndiqeshin nga dy patrulla policie drejt Kukësit.

Dramaturgu  Jeton Neziraj e ka postuar ankesën edhe në faqen e tij në Facebook,  ku tregon se gjatë dhjetë orëve artistët nga Kosova kanë qenë pre e një terrori sistematik, ndërsa thekson se janë sulmuar fizikisht e psiqikisht nga “vagabondë të veshur në uniforma policore”.

Lexo më shumë  Konjufca në takim me deputetin italian, Loperfido shprehu mbështetjen e Italisë për rrugën e Kosovës drejt BE-së

“Për një kohë kaq të shkurtër disa-orëshe kemi parë e ndeshur një botë njerëzish që objektivë të parë kanë poshtërimin e uljen e dinjitetit të tjetrit; Që gjuhen seksiste, dhunën psiqike, shakatë pa kripë e kërcënimet i kanë kryefjalë të punës e sjelljeve të tyre. Ne thjesht, ndihemi të turpëruar për sjelljet dhe veprat e tyre. Ndërkohë, atyre qe janë sjellur njerëzisht me ne, u themi faleminderit. Duam të besojmë që këta janë policia e vërtetë e shtetit shqiptar”, shkruan dramaturgu në Facebook.

Në përfundim të postimit Jeton Neziraj falenderon miqtë, kolegët dhe përfaqësuesit e institucionee në Kosovë e Shqipëri dhe të gjithë ata që janë shqetësuar dhe kanë bërë telefonata per të kthyer ekipin e artistëve në Kosovë sa më parë.

Postimi i plotë i dramaturgut

Artistët nga Kosova bëhen subjekt i dhunës policore në Shqipëri

Mbrëmë vonë u kthyem nga Firenze, ku e kishim luajtur shfaqjen tonë “The Handke Project”. Përgjatë rrugës për në Kosovë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza”, një pjesë e ekipit të shfaqjes jemi ndaluar në Kukës, ku jemi mbajtur me dhunë e terrorizuar nga policia e shtetit shqiptar.

U mbajtëm për mbi 10 orë, fillimisht në oborrin e stacionit policor në Kukës, e më pastaj në Drejtorinë Vendore të Policisë në Tiranë. Përfundimisht, u lamë të lirë mëngjesin e sotshëm, pasi u sqarua se ishim arrestuar e mbajtur gabimisht.

Lexo më shumë  Gërvalla: Ndryshimi i kufijve mund të nisë një luftë në Ballkan  

Megjithatë e ndiejmë të nevojshme t’ju informojmë se gjatë kësaj aventure jo të këndshme, megjithëse kemi takuar e njohur punonjës policie të zellshëm, të sjellshëm, profesionalë e dashamirës, pamja e përgjithshme e Policisë së Shqipërisë është ajo e një ngrehine dhune të normatizuar.

Gjatë këtyre rreth dhjetë orëve kemi qenë pre e një terrori sistematik, kemi qenë të sulmuar fizikisht e psiqikisht nga vagabondë të veshur në uniforma policore. Për një kohë kaq të shkurtër disa-orëshe kemi parë e ndeshur një botë njerëzish që objektivë të parë kanë poshtërimin e uljen e dinjitetit të tjetrit; Që gjuhen seksiste, dhunën psiqike, shakatë pa kripë e kërcënimet i kanë kryefjalë të punës e sjelljeve të tyre.

Ne thjesht, ndihemi të turpëruar për sjelljet dhe veprat e tyre. Ndërkohë, atyre qe janë sjellur njerëzisht me ne, u themi faleminderit. Duam të besojmë që këta janë policia e vërtetë e shtetit shqiptar. U themi faleminderit edhe miqëve, kolegëve, përfaqësuesve të institucionev në Kosovë e Shqipëri dhe të gjithë atyre që janë shqetësuar e kanë bërë telefonata per të na kthyer në Kosovë sa më parë dhe krenarë, ashtu siç po ktheheshim nga Firence e Italisë, ku ishim dhe e shfaqëm me sukses shfaqjen ‘The Handke Project’ në Teatro di Rifredi atje.

Ekipi i shfaqjes The Handke Project.

YouTube player