Uncategorized

Skandaloze: Gjykata e zvarrit dhe parashkruan rastin ndaj “ART MOTION”, kompania e Devollëve shpëtohet nga padia e Inspektoratit të Tregut për mashtrim të klientëve me kontrata

Në fillim të muajit janar të këtij viti u bë zhurmë e madhe në opinionin publik, pasiqë operatori  “Art Motion”  i cili sundon tregun kabllor  në Kosovë ndaloi së transmetuari kanalet e platformës shqiptare “DigitAlb”.

Kompania Shqiptare “DigitAlb” doli me një sqarim për opinonin publik duke thënë se Artmotion i ka hequr njëanshëm kanalet e DigitAlb sepse deri në fund të janarit 2024 ka pasur marrëveshje me këtë kompani dhe se nuk kanë arritur të bëjnë marrëveshje të re për shkak se kompania “Art Motion” ka kërkuar ekskluzivitetin e kanaleve “DigitAlb” për Kosovë.

“Artmotion i ka hequr njëanshëm kanalet e DigitAlb sepse deri në fund të janarit 2024 ka pasë marrëveshje me neve. Është e vërtetë që ka pasur negociata për vazhdimin e marrëveshjes. Ne kemi kërkuar nga Artmotion që në marrëveshjen e re kjo kompani të mos e ketë më eksluzivitetin e Digitalb për Kosovë”, thuhet në përgjigjen e zyrtarëve të DigitAlb, dhënë përmes telefonit për Buletinin Ekonomik.

Por edhe pse negociatat mes “Art Motion” dhe “DigitAlb” kishin dështuar në fund të vitit të kaluar operatori “ArtMotion” vazhdonte t’i reklamonte se do të ishin pjesë e programacionit duke i joshur klientët.
Me këtë rast mijëra klientë kishin lidhur kontrata vjetore me kompaninë “Art Motion”  duke marrë oferat sportive që përfshinin edhe “Premier Ligen” por me fillim të muajit janar  kanalet e “DigitAlb” u ndërprenë dhe për pasojë mijëra klientë u mashtruan. 

Pas presionit të publikut Komisioni i Pavarur për Media reagoi dhe në mbledhjen e mbajtur me 19 janar i gjobiti operatorët kabllorë “Art Motion”, IPKO, Kujtesa dhe TELKOS me 100 mijë euro e ku “Art Motion” mori gjobën më të madhe prej 64 mijë euro duke qenë se shumica e ankesave të konsumatorëve kishin shkuar për këtë të fundit.

Inspektorati i Tregut në vitin 2021 kishte paditur “ArtMotion” pikërisht për këto mashtrime por gjykata e pret që të parashkruhet lënda pastaj merr vendimin. 

Pas pyetjeve dhe  kërkesës zyrtare në Inspektoratin e Tregut,  KosovaNeës ka pranuar vendimin e gjykatës dhe padinë që ja kishte bërë Inspektorati operatorit “Art Motion”
Kryeinspektori Naim Hajra ka dhënë detaje nga kjo lëndë duke thënë se si inspektorat për më shumë se dy vite nuk kanë pranuar asnjë ftesë nga gjykata:
“Që nga koha kur është dorëzuar lënda në Gjykatë, Inspektorati i Tregut nuk ka pranuar asnjëherë asnjë ftesë nga Gjykata për të dëshmuar lidhur me ketë lëndë” thuhet ndër të tjera në përgjigjen e z.Hajra dhënë për Kosovaneës

Lexo më shumë  Kurti: Kushtëzimi i anëtarësimit në KiE me Asociacionin është absurd



Pas ankesave të konsumatorëve ndaj operatorit “Artmotion”, 
Inspektorët e Inspektoratit te Tregut të  Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) me datë 14 shtator të vitit 2021 kishin realizuar një inspektim te Operatori Ekonomik “Artmotion”.


Pas analizimit të kontratave me klientët inspektorët e MINT kishin konstatuar se:

1. “Operatori Ekonomik “Artmotion” sh.p.k me rastin e lidhjes së kontratave me klientët  ka vepruar në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 71 të Ligjit nr. 06/L034 për Mbrojtjen e Konsumatorit.

2. Operatori Ekonomik “Artmotion” sh.p.k, me rastin e lidhjes së kontratave me klientët/ konsumatorët, ka vendosur kushte të padrejta në kontratë në kundërshtim paragrafin 1.3 të nenit 72 të Ligjit nr. 06/L034 Për Mbrojtjen e Konsumatorit, ku thuhet: Arritjes së një marrëveshje që është detyruese për konsumatorin, ndërsa ofrimi i shërbimeve nga shitësi ose ofruesi i nënshtrohet një kushti realizimi i të cilit varet vetëm nga vullneti i tij.

Në rastin konkret Operatori Ekonomik “Artmotion” sh.p.k, ka lidhur kontrata standarde në të cilën në nenin 5, paragrafet 5.2 dhe 5.3 i ka vendos kushte të padrejta duke obliguar përdoruesin që t’i paguaj furnizuesit për të gjitha muajt e kontraktuar në rast se ai dëshiron ta shkëpus kontratën, duke mos e paraparë rrethanën kur përmbajtja/ cilësia e shërbimeve do të ndryshonte esencialisht.

Ndërsa në nenin 5, paragrafin 5.2 të kontratës ka përcaktuar që “në rast të ndërprerjes së kësaj kontrate nga përdoruesi para skadimit të afatit të kontratuar, atëherë përdoruesi është i detyruar ta kompensojë Armotion në vlerën e muajve të mbetur të përcaktuar në kontratën kryesore”.

Ky është një kusht i padrejtë në kontratë pasi që nuk mund të detyrohet klienti të paguaj detyrimisht obligimet për muajt e mbetur në kontratë nëse ka ndryshuar esencialisht përmbajtja e shërbimit që ai merr, thuhet në gjetjet e Inspektoratit të Tregut

Lexo më shumë  Ministria e Infrastrukturës mbështet komunën e Ferizajt me dy projekte infrastrukturore në vlerë 600 mijë euro

Kjo pra është një situatë indentike më atë se çfarë ju ka ndodhur klinetëve të “Art Motion” këtë muaj pasiqë operatori në fjalë po detyron klientët t’i paguajnë detyrimisht obligimet për një vit nësë ata duan ta shkëpusin kontraten edhe pse shërbimet kanë ndryshuar esencialisht.

Pas gjetjes së gjithë këtyre shkeljeve esenciale Inspektorati i Tregut me datë 6 tetor 2021  kishte iniciuar procedurë për kundërvajtje ndaj “ArtMotion” në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Por gjykata s’ishte bërë e gjallë deri më datë 15 Nëntor 2023 kur ja kishte dërguar vendimin Inspektoratit të Tregut duke ju thënë se lënda ndaj “ArtMotion” është PARASHKRUAR pasiqë ka kaluar afati prej 2 vitesh për shqyrtim.

Pasi e lejoi të kaloi afati ligjor për shqyrtim gjyqtarja Elheme Jashari e kishte pasur të lehtë të merrte aktvendim për këtë lëndë duke përmbledhur vetëm në një fjali:

PËRFUNDON procedura e kundërvajtës ndaj palës së pandehur Operatorit Ekonomik “Artmotion” sh.p.k me adrese në Rr” Lidhja e Pejës”, me drejtor Valon Shala, në Prishtinë për kundërvajtje nga neni 71,72,73 të të Ligjit nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit, pasi që është shkaktuar parashkrimi absolut për zhvillimin e mëtejshëm të procedurës së kundërvajtjes.

KosovaNews ka dërguar pyetje në Gjykatën Themelore në Prishtinë por edhe në emailin zyrtar të gjyqtares Elheme Jashari për ta kuptuar se pse nuk e kanë mbajtur asnjë seancë gjyqësore duke e lejuar që të parashkruhet lënda ndaj “Art Motion” por me gjithë insistimin nuk kemi marrë asnjë përgjigjie.

Si duket për gjykatat në Kosovë përpara mbrojtjës së interesave dhe të drejtave të qytetarëve është me rëndësi mbrojtja e interesave të kompanive të Devollëve ku mijëra qytetarë u mashtruan dhe po mashtrohen në vazhdimësi në këtë rast mga kompania “Art Motion”. E, këto mashtime po mundësohen edhe nga gjykatat që me ose pa qëllim kur është fjala për kompanitë e Devollëve po lejojnë që lëndët të parashkruhen siç është rasti në fjalë . /Jeton Sopa – kosovanews/

YouTube player