KryesoreLajme

Ministri Çeku: Për të gjitha stadiumet është siguruar buxheti

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar raportin e auditimit të performancës “Renovimi dhe rikonfigurimi i stadiumit të qytetit në Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë”. Ministri Hajrulla Çeku bëri të ditur se për të gjitha stadiumet është siguruar buxheti.

Ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ka theksuar se pajtohet pjesërisht me auditimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Ministri Çeku raportin e tij e nisi me stadiumin e Gjilanit mbi të cilin njoftoi për shkëputjen e kontratës me operatorin që ka qenë duke i realizuar punimet . Sipas tij, në koordinim me Komunën e Gjilanit shkëputja është bërë para se të bëhet raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit.

“Kemi nisur analizën e gjendjes dhe kemi nisur procedurën e prokurimit të hapur të rregullt për kontraktimin e operatorit për hartimin e projektit zbatues, sepse në operatorin e kaluar nuk kishte projekt zbatues final”, ka deklaruar Çeku.

Lexo më shumë  Bislimi për Planin e Rritjes së BE: Kosova mund të përfitojë deri në 945 milionë euro

Ministri Çeku ka thënë se plani është bërë dhe se bashku me Ministrinë e Financave është hartuar dhe ndarë buxheti për këtë stadium që kap shifrën rreth 15 milionë euro. Ndërsa ka thënë se me Komunën e Gjilanit është arritur një memorandum në zbatimin e procedurave të prokurimit.

Çeku bëri të ditur se për të gjitha stadiumet është siguruar buxheti, duke përfshirë edhe stadiumin “Adem Jashari”, në Mitrovicë, për të cilin janë siguruar rreth 13 milionë euro.

Ministri Çeku më tej shtoi se janë trajtuar edhe rekomandimet e ZKA-së lidhur me kategoritë, konsultave me UEFA-në dhe të tjera. 

Lexo më shumë  Kurti pret në zyrë ambasadorët e QUINT-it

Pas raportimit, ministri Çeku iu përgjigj pyetjeve të deputetëve e njëra nga to ishte për memorandumin e arritur me 16 komuna të Kosovës për infrastrukturën e sportit, konkretisht futbollit, në Kosovë.

Sipas ministrit, është duke u bërë një punë e mirë në bashkëpunim ndërmjet kryetarëve të komunave, të FFK-së dhe ekspertëve të UEFA-s.

Ministri Çeku bëri të ditur se stadiumi nacional duhet përfundimisht të caktohet lokacioni, që sipas tij duhet të jetë si rezultat i një master-plani, i cili, sikundër njoftoi ai, duhet të hartohet më së largu gjatë verës.

YouTube player