Lajme

Flet iniciatorja e vendimit të hapjes së urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë

Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, Aida Ferati-Doli, e cila i ka parashtruar sot këtij kuvendi kërkesën për hapjen e urës mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve dhe lëvizje të lirë të qytetarëve, ka thënë se kjo është bërë pas kërkesave të shumta të qytetarëve.

Ferati-Doli ka thënë se është më se e nevojshme të mundësohet liria e lëvizjes nëpër urën që ndan anën veriore dhe jugore të qytetit, pasi bllokohet komunikacioni për të gjithë qytetarët.

“Po bllokohet komunikacioni. Nënat me fëmijë kanë shumë probleme të lëvizin lirshëm. Është kërkesë e qytetarëve të Kosovës. E kam kërkuar të futet në rend dite. Nuk ka ndonjë tendencë përveç funksionalizimit të kësaj ure, bëhet jeta e mirë për qytetarët”, ka thënë Ferati – Doli, për RTV Dukagjini.

Lexo më shumë  Ministrja Gërvalla në Bruksel: Kosova kampione e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor

Lidhur me reagimet Listë Serbe se mund të ketë përshkallëzim të situatës nëse ura hapet për qarkullim, asamblistja Ferati-Doli ka thënë se nuk është e nevojshme të bëhen reagime të tilla, pasi sipas saj kërkesat e qytetarëve duhet të dëgjohen dhe të merren parasysh nga secili që i përfaqëson ata.

“Këto reagime nuk ka qenë nevoja të bëhen. Ne si përfaqësues të popullit që na kanë votuar, i propozojmë si pika të rendit të ditës, me secilën kërkesë merremi secili asamblist. Qytetarët janë të kënaqur me këtë, bëhet një lirim i komunikacionit”, ka thënë ajo.

Ndryshe, Kuvendi Komunal në Mitrovicën Veriore të premten ka marrë vendim për hapjen e urës mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Një vendim i tillë ka ardhur pas propozimit të delegates Aida Doli për hapjen e urës dhe qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe automjeteve.

E pas vendimit të kuvendit komunal të veriut të Mitrovicës, ka reaguar edhe Lista serbe, të cilët kërkuan që KFOR-i, EULEX-i dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare të pengojnë zbatimin e këtij vendimi.

“Duam të paralajmërojmë se hapja eventuale e urës padyshim që do të ketë incidente në këtë zonë, gjë që duket se është edhe synimi i Prishtinës”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Më tej thuhet se ky vendim do të ketë pasoja të mëdha për paqen, sigurinë dhe bashkëjetesën në atë zonë.

YouTube player

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *