Art & KulturëSpeciale

Fjalorthi i vogël Godardian

Shkruar nga Cécile Lecoultre, përshtati në shqip Hana Fehmiu

Regjisori francez Jean-Luc Godard përdorte elokuencën si një armë shkatërrimi në masë.

Dëshmia vie nga konferencat e tij për shtyp, të dhëna nëpër festivale.

Gjatë jetës së tij, Godard nuk dështoi në paralajmërimin e testamentit jetësor me disa aforizma dhe mendime që mbeten simbole dhe stema emblematike konferencash shtypi gjatë festivaleve të shumtë, sidomos të atij në Kanë.

Disa nga thëniet e tij mbetën si mbresëlënie kontrastuale për t’i bërë ballë  kohës.

Mbi varfërinë

“Nuk mund të bësh një film mbi varfërinë dhe në të njëjtën kohë të jesh i suksesshëm. Kjo mund të ndodh vetëm një herë – si me “Hajnin e bicikletave” të gjeniut Vittorio de Sica.

“Për fat të mirë ka njerëz të pasur, të paktën në kinematografi. Sepse kjo u jep të varfërve mundësinë të ëndërrojnë teksa qëndrojnë të varfër. Ekzistojnë formula dhe ide për të dalë nga një situatë e tillë. Sepse kur je i pasur, fillon të mërzitesh ngapak. E për ta thyer mërzine ne kemi shpikur festivalet e filmit.”

Mbi kulturën

“Mendova se isha person i kulturuar, sepse lexoja Dostojevskin. Por, jo. Dostojevski është i egër dhe nëse e dua, pastaj dhe unë rrezikoj të bëhem po aq i egër. Kinemaja, Rembrandt apo Stendhal nuk janë kulturë. Ai që krijon kulturë është Hachette. Kultura është si bujqësia: ajo që kultivohet, konsumohet dhe mund të përhapet.”

Mbi profesionin

“Ndoshta shkaku i babait i cili ishte mjek, gjithmonë kam menduar se kinemaja është diçka që mund të lejojë, nëse jo të kurojë, të shohë e shërojë sëmundjen. Të kujdesesh, përmes filmit, pra, edhe për shëndetin. Ndoshta sepse shihja shëndetin nga prizma e lumturisë, ndaj të cilës qasja është pak më ndryshe, dhe për të cilën mendoj se s’ka nevojë të flitet. Ajo thjesht është dhe shprehet vetvetiu”

Mbi trashëgiminë

“E kuptoj që njerëzit kanë marrëdhënie me mua që nuk kam se si t’i shpjegoj, e ndoshta, megjithatë  do të bëja mirë ta shpjegoja pak veten. Raporti paternal ? Qesharak … Ende më quajnë “fëmija i tmerrshëm i Valës së Re”.

Mbi krijimin

“Picasso tha se nëse do të ishte në burg, do të pikturonte me fecesin e tij. Epo, mendoj se në kinema, ka raste kur duhet të bësh edhe gjëra të tilla… të shpikësh gjithçka !”

Mbi valorizimin

“Unë, që numëroj me mbi 300,000 hyrje nëpër tërë Francën, atëherë pse bëjnë shaka? Dhe pse ka mbi njëmijë blica për të kapur momentin e skenës ? Festivali i Filmit në Kanë nuk ekziston, ndërsa, ekzistojnë vetëm dhjetë filma të mirë në botë!”.

Mbi aleancat me Canal+

“Kur Canal+ arrin 2 milionë spektatorë, konsiderohet sukses i madh. Për mua, kur mbush një dhomë deri në 15% është dështim total. Mendova, le të shkojmë te këta njerëz që mendojnë se 15% është sukses i madh, dhe u thashë atyre: “Ju djema jeni të shkëlqyer ! A nuk doni të punësoni një Kasandra për një vit – me rrogën mujore që i jepni Christine Ockrent?”

Për marrëdhëniet mes televizionit dhe kinemasë

“Në pulla postare ne prezentojmë një Picasso më shumë sesa një lokomotivë. Televizioni është pullë postare e dizajnuar mirë. Kinemaja është thjesht si përbërëse e letrës. Ka raste kur mund të ketë një vulë të madhe mbi një letër që thotë : “të dua”. Duhet t’i kesh të dyjat. Duhet ‘të lirohesh’, ashtu siç thonë ata.”

“Kur shkojmë në kinema, ne ngremë kokën. Ndërsa kur shikojmë televizor, disi e refuzojmë atë.”

“Kinemaja ka të dukshmen dhe të padukshmen e saj. Kur filmohet vetëm e dukshmja, duket më shumë sikur po prodhohet një program ose film televiziv.”

Rruga Press

YouTube player