BallinaLajme

Filmi “Tuneli” një dramë satirë nga Ilir Harxhi, në Festivalin e Filmit Antikorrupsion


Filma artistikë shqiptarë dhe të huaj janë pjesë e Festivalit të Filmit Antikorrupsion, që ka nisur para disa ditësh. Festivali do të zhvillohet deri më 9 dhjetor dhe programi përmban një përzgjedhje të filmave artistikë të gjatë dhe të shkurtër shqiptarë, por dhe austriakë, rumunë, holandezë, francezë dhe italianë, ku nuk mungojnë dhe ata dokumentarë. Filmat mund të ndiqen të transmetuar online në faqen e festivalit, por dhe në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH Film). Në faqen e “European Union in Albania” shkruhet se prodhuar nga producentë të talentuar dhe të njohur shqiptarë dhe shteteve anëtare të Bashkimit Europian, këta filma synojnë të shpjegojnë pse lufta kundër korrupsionit është e rëndësishme për të gjithë ne. Filmat shqiptarë që po shfaqen në kuadër të këtij festivali online dhe në ekranin e RTSH Film janë prodhime të njohura të kinematografisë shqiptare para viteve ‘90 dhe pas tyre. Mbrëmë ishte radha e filmit shqiptar “Tuneli”, një dramë satirë me skenar dhe regji nga Ilir Harxhi, ku po në këtë festival u shfaq më parë dhe filmi tjetër i tij “Diptik”. Filmi “Tuneli” ishte mbrëmë në program dhe regjisori Ilir Harxhi thotë se festivali merr rëndësinë e tij për problematikën që trajton. “Në dijeninë time festivali zhvillohet nga bashkëpunimi dhe me Ministrinë e Drejtësisë së bashku me KE, që është dhe promotore dhe është viti i dytë që zhvillohet festivali. Por për arsye të kushteve dhe pandemisë nuk është në sallë, por është online dhe filmat shfaqen edhe në ekranin e RTSH Film. Qëllimi i festivalit që po zhvillohet janë të gjitha, duke filluar që nga nepotizmi, sepse kryesisht kryefjalën e korrupsionit e ka nepotizmi. Pra si plagë e korrupsionit është dhe nepotizmi”, thotë regjisori Harxhi. Filmat shqiptarë në program janë “Duaje emrin tënd”, “Hije që mbeten pas”, “Rrethimi i vogël”, “Tela për volinë”, prodhuar para viteve ’90 në Shqipëri, por dhe pas ‘90 me “Pharmakon”, “Diptik”, “Tuneli”, “Dita zë fill” dhe “Të thyer”.

Tema e filmit

Filmi “Tuneli” ishte pjesë e këtij festivalit, por regjisori Ilir Harxhi thotë mes të tjerave se në të trajtohet korrupsioni. “ Ka korrupsionin në vëmendje, në të gjithë piramidën e shoqërisë. Kjo lojë është një lloj skeme mashtrimi, ku përdoret shoferi për të marrë fonde që tjetërsohen duke u bërë fabrika. Fondet që janë marrë nga tuneli, që nuk bëhet kurrë përdoren për të ngritur biznese të tjera”, thotë regjisori Harxhi. Ngjarja në film tregon për Vahitin, një aktivist politik që plagoset gjatë një demonstrate kur partia e tij ishte në opozitë. Ai arrin të punësohet si shofer personal kur udhëheqësi i partisë bëhet kryeministër. Dy miqtë e tij të vendlindjes, njëri anëtar i parlamentit dhe tjetri kryetar i komunës, e nxisin për të siguruar fonde për një projekt të ndërtimit të një tuneli në zonën e tyre. Ata kanë ndërtuar një plan me shumë kujdes për t’u pasuruar me këtë projekt, pa qenë Vahiti pjesë e këtij mashtrimi. Në rolet kryesore interpretojnë aktorë të njohur të kinematografisë shqiptare, si Robert Ndrenika (Muço), Enver Petrovci (shefi), Sokol Angjeli (Agroni) Arben Derhemi (Vahiti), Markela Dede (Burbuqja), Naum Shundi (Vasili), Mehdi Malka (Pilo), Natasha Sela (Shano), Egla Harxhi (Zamira), Albana Sançolli (gruaja shefit). Muzika e filmit është shkruar nga Miron Kotani, montazhi është realizuar nga Gjergj Pano, ndërsa kostumografia vjen nga Oriana Kamberi.

Lexo më shumë  Pa marrëveshje për dinarin, Bislimi: Ishte takimi i kotë, Serbia e painteresuar për marrëveshje
YouTube player