BallinaLajme

Erion lëre Albinin, shqiptarët duan vaksinën!

Nga Ilir Levonja

Zevëndëskryeministri i Shqipërisë ka bërë publike një ankesë karshi liderit të Vetvendosjes Albin Kurti. Kjo për faktin se ky i fundit dënoi po publikisht dhunën policore në protestetat e revolucionit të adoleshentëve. Megjithëse e “fituan” betejën e radhës, prapë pasojat janë aty.

Do dali dikush të qahet, dikush duke ofenduar, dikush duke përbuzur, dikush duke çmendur shqiptarët me alergjinë karshi shashkave apo zjarrit të adoleshentëve. Kërcejnë përpjetë sikur janë prej celefoni, megjithëse janë mbrujtur prej atij burimi, prej asaj udhe, duke djegur e shkatërruar sa kanë dashur. Një herë del ai i bashkisë, një herë ndonjë topgop modele nate, ndonjë show girl fushatash aq sa është naive të mendosh se shqiptarët kanë qeveri për punët e tyre.

Doli Erioni i Kryeministrisë dhe iu drejtua publikisht Albinit. Jo ti kështu e ashtu. Jo po ti nuk e di se kush i organizon këta. Po a ke punë për të bërë o zëvendëskryeministër?

Lëre Albinin o njeri, siguroju shqiptarëve vaksinën kundër covidit. Nxito dhe kaq. Adoleshentëve ua gjete anën. Ashtu si edhe studentëve vitin që shkoi. Siguroju shqiptarëve vaksinën pa të tjerat i dinë vet ata.

Lexo më shumë  Regjistrohet edhe Kurti: Ishte proces i thjeshtë dhe i shpejtë

Se po t’i futemi arave Albini është ajo soj race politikani i formuar në protestë. Megjithëse i majtë nuk ka universitet Zërin e popullit, por burgjet e Millosheviçit.

Eshtë një protestues i lindur. Ndofta nuk të kujtohen demonstratat e tetorit 1997-të, e studentëve në Prishtinë. Ishin të Albinit. U dënua me 15 vjet burg, nga regjimi i Serbisë.

Atëherë Bota u indinjua me Millosheviçin, pati plot nota proteste. Pra në raport me kohën, Albini student digjej për Kosovën dhe çështjen shqiptare, kurse kasta jote digjnit Shqipërinë.

Një klasë politike e përgjegjshme nuk do t’ia lejonte kurrë vetes një 97-të si ajo e Shqipërisë. Ishit investitorë tek firmat piramidale, nga ana tjetër dogjët vendin për shkak të tyre. Atëhere djegia ishte standart, hapja e depove të armëve po ashtu. Kurse sot djegia e një peme butaforike është vandalizëm rrugeçërish.

Qe koha kur nga Shkumbini e poshtë shqiptari përndiqej nga shqiptari kurse në Prishtinën e gjakosur, shqiptari ndiqej e burgosej nga i huaji. Qe koha më e mbrapshtë, një 1913-të tjetër. Një 1944 tjetër, gati ta zvogëlonte akoma edhe më Shqipërinë shtetërore. Një formë amorfe mes Tiranës dhe Durrësit. Megjithatë kur ua do mideja flisni me tonin e heroit kombëtar.

Lexo më shumë  SHBA-ja thotë se Rusia ka përdorur “agjentë kimikë” kundër trupave ukrainase

I pordhalisesh Albinit se beson tek drejtësia, ndërkohë ata për të cilët qaravitesh se të kanë djegur Shqipërinë, të kanë vrarë, vetëm publikisht i akuzon. Në pushtet nuk është Albini, por ti. Në raport me kohën, Albini shiti shtëpinë për të paguar programin e tij politik. Kurse ti dhe kasta jote nga një apartament parafabrikat nga koha e kontributit me orë pune, jeni sot të gjithë vilaxhinj.

Nuk u lodhët duke sharë njëri-tjetrin, megjithëse jeni kopja e përkryer e shoqishoqit. Albini erdhi me votë në krye të qeverisë dhe iku me votën e dorës përpjetë. Pa u ankuar, pa u shkumosur foltoreve. U rrëzua për tu ngritur.

Kurse ju vini me votë të vjedhur dhe largoheni duke djegur Shqipërinë dhe shqiptarët. Dhe arsyeja është e thjeshtë, ti dhe kasta jote doni karriken. Kurse Albini, Kosovën. Madje më shumë se kaq, Shqipërinë në rrafshin e saj natyral. Marrë nga boldnews.

YouTube player