KryesoreLajme

Shqipëria ushqehet me import, bujqësia në krizë! Për çdo 100 lekë ushqime të blera jashtë, eksporton vetëm 36 lekë

Importet agro-ushqimore rriten më shpejt se eksportet, ndërsa deficiti tregtar thellohet me afro 5 miliardë lekë në vetëm një vit. Shqipëria vijon të mos prodhojë mjaftueshëm për të përballuar nevojat e tregut, duke u bërë gjithnjë e më e varur nga produktet e huaja. Drithërat, mishi dhe kafshët e gjalla janë ndër kategoritë ku varësia nga importet është thuajse totale.

Bujqësia shqiptare vijon të tregojë vështirësi për të përballuar konkurrencën me produktet e importuara. Pavarësisht rritjes së eksporteve gjatë vitit 2026, shifrat e tregtisë së jashtme tregojnë se Shqipëria blen nga jashtë shumë më tepër produkte bujqësore dhe ushqimore sesa arrin të shesë në tregjet ndërkombëtare.

Të dhënat për periudhën janar-tetor 2026 tregojnë se eksportet e produkteve bujqësore dhe agro-ushqimore arritën në rreth 47.1 miliardë lekë, nga 45.8 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja është vetëm 3%, një ritëm dukshëm më i ulët se ai i importeve.

Në kahun tjetër, importet agro-ushqimore arritën në 130.3 miliardë lekë, duke u rritur me 4.9% krahasuar me janar-tetorin 2025. Diferenca mes blerjeve dhe shitjeve jashtë vendit ka bërë që deficiti tregtar të zgjerohet në 83.2 miliardë lekë, nga 78.5 miliardë lekë një vit më parë. Bëhet fjalë për një përkeqësim prej rreth 6%.

Lexo më shumë  Kurti në 27-vjetorin e SHKK-së: Kemi arsye për krenari, por edhe përgjegjësi për të ardhmen

Një tjetër tregues që nxjerr në pah dobësinë e prodhimit vendas është raporti mes eksporteve dhe importeve. Për dhjetë muajt e parë të vitit, eksportet shqiptare mbuluan vetëm 36.2% të importeve agro-ushqimore, ndërsa një vit më parë ky raport ishte 36.8%.

Me fjalë të tjera, për çdo 100 lekë produkte bujqësore dhe ushqimore që Shqipëria importon, arrin të eksportojë vetëm 36 lekë. Pjesa tjetër mbetet një diferencë e madhe që tregon dobësinë e pozicionit tregtar të vendit në këtë sektor.

Drithërat dhe mishi, pothuajse tërësisht në dorën e importeve

Varësia bëhet edhe më shqetësuese kur analizohen kategoritë e veçanta të produkteve. Eksportet e drithërave mbulojnë vetëm rreth 0.25% të importeve, ndërsa për mishin ky raport është 0.28%. Edhe te kafshët e gjalla eksportet mbulojnë vetëm 0.33% të importeve.

Pra, në këto kategori, prodhimi dhe shitjet shqiptare jashtë vendit janë pothuajse të papërfillshme përballë produkteve që hyjnë nga tregjet e huaja.

Edhe produktet bulmetore, vezët dhe mjalti shfaqin një raport të dobët, ku eksportet mbulojnë vetëm rreth 9.5% të importeve.

Zarzavatet mbajnë në këmbë eksportet, por frutat pësojnë rënie

Pavarësisht panoramës së përgjithshme negative, disa produkte shqiptare vijojnë të kenë performancë pozitive në tregjet e huaja. Zarzavatet mbeten kategoria më e fortë eksportuese, me një vlerë prej rreth 14.1 miliardë lekësh në periudhën janar-tetor 2026.

Lexo më shumë  Kurti nga Manastiri: 118 vjet pas Kongresit, shqiptarët duhet të bashkohen përtej dallimeve

Eksportet e tyre janë rritur me 13.2% krahasuar me një vit më parë dhe kanë rezultuar rreth katër herë më të larta se importet e kësaj kategorie.

Por kjo ecuri pozitive nuk është reflektuar në të gjithë sektorin. Eksportet e frutave dhe arrave kanë rënë me 22.1%, ndërsa ato të peshkut dhe produkteve të lidhura me të janë tkurrur me rreth 13%.

Në këtë mënyrë, rritja e eksporteve në disa kategori nuk arrin të kompensojë dobësinë e përgjithshme të tregtisë agro-ushqimore.

Shifrat nxjerrin në pah një problem që shkon përtej bilancit tregtar: Shqipëria vijon të ketë vështirësi për ta kthyer potencialin e saj bujqësor në prodhim konkurrues dhe eksporte me vlerë të lartë. Ndërsa importet fitojnë gjithnjë e më shumë terren, fermerët dhe prodhuesit vendas përballen me një treg ku produktet e huaja zënë një peshë shumë më të madhe se ato shqiptare.

Rritja e eksporteve me 3% mund të paraqitet si një tregues pozitiv, por përballë rritjes më të shpejtë të importeve dhe zgjerimit të deficitit tregtar, ajo mbetet larg një ndryshimi real të situatës.

Rruga Press

YouTube player