Lajme

Ditmir Bushati për “marrëveshjet pa nënshkrime”: Strategjikisht, Kosova ka arritur një fitore

Në një prononcim për gazetarin Artur Zheji në emisionin “Lufta dhe Paqja” në diskutimin sa i përket marrëveshjeve pa nënshkrim në Bruksel dhe në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësit evropianë dhe mbështetjen amerikane, ish-ministri për punë të jashtme të Shqipërisë, z. Ditmir Bushati u shpreh se në negocim parimisht nuk ka të fituar absolut, e megjithatë strategjikisht ka fituar Kosova, sepse e ka sjellë veten e saj në një pozicion më të favorshëm sa i përket gadishmërisë për bisedime.

“Mendoj se strategjikisht Kosova ka arritur një fitore me vullnetin që ka dëshmuar për të nënshkruar dokumentin, qoftë në Bruksel, pra marrëveshjen bazë, ashtu edhe planin e zbatimit, në dallim nga Serbia.  Së dyti, për herë të parë kemi BE-në që merr përsipër për të trupëzuar angazhimet në heshtje të shtetësisë së Kosovës. Së treti kemi dokumentin e 9 shkurtit të këtij viti, ku të gjitha vendet anëtare të BE-së, përfshirë edhe pesëshen që nuk e njeh Kosovën, mbështesin nismën gjermano-franceze, që omethënë, Plani Franko-Gjerman tanimë mund të konsiderohet si plan europian me mbështetje të SHBA-së.

A mund të kemi një autonomi serbe brenda Kosovës dhe çfarë sjell kjo në bazë të marrëveshjeve që po bëhen? E para, unë nuk kam besuar kurrë që në kushtet aktuale se si janë pozicionuar aktorët ndërkombëtarë, çështja e Kosovës të mund të zgjidhet në OKB. Edhe sikur presidenti i Serbisë, pavarësisht se si mund ta ketë emrin sot, Vuçiq apo një emër tjetër nesër, të binte dakord të njihte sot për sot Kosovën dhe ta ndante mendjen që ta drejtonte vendin vetëm me vështrim nga e ardhmja, nuk besoj se Rusia e Vladimir Putinit në kushtet aktuale të luftës në Ukrainë do të ishte e gatshme për të mos bllokuar apo për të lejuar praninë e Kosovës në OKB.

Lexo më shumë  Dita kombëtare e të zhdukurve, Osmani: Pas anëtarësimit në KiE, familjarët e të pagjeturve do të mund të padisin Serbinë

Mendoj se çelësi i suksesit në këtë proces e ka emrin SHBA dhe BE. Në rast se 5 shtetet anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën do të lëviznin drejt njohjes 24 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe do të unifikonin qëndrimin e tyre për karshi jo thjesht Kosovës dhe shtetësisë së saj, por rendit të sigurisë në Evropë kjo do të ishte një përgjigje mjaft e mirë dhe do të kishte pasoja pozitive edhe për përgjigjen që do të duhej BE dhe bota euro-atlantike Rusisë në lindje të kontinentit; sepse do të ishte e pamundur për të përballuar Rusinë në lindje të kontinentit pa adresuar pasojat e konfliktit në ish Jugosllavi.

Lexo më shumë  Bashkëshorti i ministres Delina Ibrahimaj qëllon me thikë në mes të Tiranës drejtorin e Përgjithshëm të ATK-së

Së dyti nuk mendoj se do të kemi një Republika Serbska në Kosovë. Përkundrazi! Me dokumentin e rënë dakord nga ana e Kosovë i hiqet alibia e çdo situate destablizimi dhe çdo situate instrumentalizimi në veri të Kosovës (nga Serbia). Nuk mund të ketë ngritje të një asosacioni apo vetëadministrimi për sa kohë që vetë serbet e Kosovës i kanë bojkotuar institucionet. Vetëadministrimi dhe autonomia nuk janë e njëjta gjë. Edhe marrëveshja e 2013 dhe 2015, si parakusht ndaj Serbisë shihte shkrirjen e strukturave paralele në Kosovë.”

Një model, sipas tij, që mund të ndiqej ishte modeli kroat, me këshillin e komunave me shumicë serbe, pa kompetenca ekzekutive, i cili është krejt e kundërta e modelit të Republika Serbska në Bosnjë.

Megjithatë sipas ish-ministrit këto duhet të shtrohen në tryezë në përputhje me Pakon Ahtisari, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe vullnetin e Kosovës për integrime në BE.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *