Diaspora ukrainase në Shtetet e Bashkuara tregon unitetin kundër agresionit rus
Ukrainasit që jetojnë në Shtetet e Bashkuara po tregojnë unitetin e tyre si një komunitet i diasporës, përkundër agresionit rus ndaj vendit të tyre të origjinës. Njofton nga Çikago korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh.
Megjithëse ka jetuar në Shtetet e Bashkuara për mbi 20 vjet, Maria Dziuma ruan ende lidhje të ngushta me Ukrainën.
“U bëra shtetase amerikane në vitin 1999, por zemra ime është ende me atdheun tim”, thotë ajo.
Megjithëse gjendet e sigurtë në Çikago, mijëra kilometra larg Ukrainës, zonja Dziuma mendon për miqtë dhe të afërmit në Ukrainë, që tashmë mund të bëhen objektiv i forcave ushtarake ruse.
“Lëndohem vërtet. Vetëm mendimi se tanket ruse gjenden në kufirin e atdheut tim të bukur më bën për të qarë”, thotë ajo.
Përshkallëzimi i tensioneve e ka bërë Yuriy Sorokan të mendohet nëse duhet të qëndrojë në Çikago apo të përgatitet për të luftuar në Ukrainë.
“Këto mendime më vijnë çdo ditë”, thotë ai.
Ajo çfarë e ka mbajtur në Shtetet e Bashkuara deri më tani është se miqtë i thonë se Ukrainës i duhen aktivistë në mbarë globin.
“Kemi djem të fuqishëm që dinë të luftojnë mirë. Na duhesh në Shtetet e Bashkuara duke vazhduar punën tënde”, i thonë atij.
Për këtë arsye, ata iu bashkuan qindra anëtarëve të komunitetit të madh amerikano-ukrainas në shtetin Illinoi, për të treguar unitetin në përvjetorin e revolucionit të Maidanit në Ukrainë, që kërkonte lidhje më të forta me Bashkimin Evropian.
“Ndezim qirinj në përkujtim të ‘100 qiellorëve’. Këta janë civilët që u rrahën brutalisht në 20 shkurt 2014”, thotë Lydia Tkaczuk.
Ajo është presidente e Muzeut Kombëtar Ukrainas në Çikago, që po shërben si një epiqendër kulturore për komunitetin e diasporës gjatë krizës që vazhdon të përkeqësohet mes Kievit dhe Moskës.
“Nuk ka shumë gjëra që mund të bëjmë. Mund të tregojmë mbështetje. Mund të lutemi. Mund t’i marrim në telefon. Por nga kaq larg sa jemi, është shumë e vështirë për ne”, thotë zonja Tkaczuk.
Ajo thotë se shumë ukrainas amerikanë ndjehen të pafuqishëm.
“Shumë prej tyre kanë fëmijë në Ukrainë, nipër, gjyshër, nëna, motra dhe nuk munden të bëjnë më shumë për ta”, thotë zonja Tkaczuk.
“Si komunitet jemi shumë të fortë. Po bëjmë ç’të mundemi që të ndihmojmë Ukrainën. Jemi në pozitën e duhur për t’i ndihmuar financiarisht miqtë dhe familjet tona në Ukrainë”, thotë zoti Soroka.
Ai mirëpret përqëndrimin e mediave tek ky konflikt.
“Tashmë që gjërat po përkeqësohen kemi marrë më në fund vëmendjen e shtypit amerikan dhe kjo është gjë e mirë”, thotë ai.
Ndërsa lutet për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë, Maria Dziuma nuk është e sigurtë nëse duhet të qëndrojë në atdheun e saj të ri duke e vështruar krizën nga larg.
“Atë pyetje ia bëj vetes, se çfarë do të bëja? Dhe nëse do të mundesha p.sh. të shkoja vullnetarisht atje”, thotë ajo.
Udhëtimi drejt Ukrainës do të ishte një tjetër sfidë. Shumë linja ajrore i kanë anulluar fluturimet, ndërsa retë e luftës vazhdojnë të mblidhen.
Rruga Press