Opinion/Aktualitet

Dështimi i një interviste që intervistë nuk ishte

Nga Ervin Goci

Intervista e një të kërkuari nga drejtësia te Syri, nga ana e mënyrës se si u zhvillua, është një model i keq për misionin e medias. E lansuar si diçka ekskluzive, pa pasur asgjë ekskluzive, u dha kushtrimi që diçka e madhe do ndodhte, ndërkohë që e gjitha ishte për të mbledhur klikime, të cilat, ç’dreq e di se çfarë i sjellin gazetarisë, klikimet e shumta, thjesht.

Në intervistë doli qartë se porositesi ishte i intervistuarit, që me gazetarin kishin rënë dakord që mos të përmendet asnjë emër. Sigurisht, pyetjet ishin edhe ato dakordësuar, pra i kërkuari nga drejtësia ka menduar se ka më shumë legjitimitet moral për të kërkuar gjëra se sa media, që shfrytëzon frekuencat publike për t’i shërbyer publikut. Me sa u pa, nuk e ka patur dhe aq keq.

I kërkuari nga drejtësia e kishte trajtuar veten me kujdes, ishte veshur elegant, duke shfaqur shenja burrërore, dhe nuk ka hezituar fare të tregojë autoritetin duke therrmuar autoritetin e gazetarit dhe politikanit, të cilët lypnin ndonjë përgjigje të fortë. Dy autoritete të therrmuara. Politikani, që kishte marrë mijëra vota, përpiqej të vidhte ndonjë përgjigje ndaj një të kërkuari nga drejtësia për ta përdorur për luftë politike, duke vulosur dobësinë e vet. Ndërkohë gazetari ishte fare pa linjë, nuk kishte marrë garanci paraprakisht për asgjë, se ç’ila do të ishte e reja në intervistë dhe ktheu median, sigurisht pa dashje, në një mjet shantazhi, larje hesapesh mes të inkriminuarve. Asnjë reflektim nuk dëgjova të nesërmen.

Çfarë mesoi publiku nga intervista? Asgjë! Përveç flokëve të mbjellura të të kërkuarit nga drejtësia. Madje, në shumë raste u tha që paratë kanë avulluar, janë incineruar në eter, dhe dorëzanët janë të kulluar, ashtu siç shfaqen në pasqyrën narcisiste të televizionit me licencë publike.

Intervista ishte e mbushur me kontradikta: e quajnë “presta nome” dhe e trajtojnë sikur po intervistojnë Toto Rinan. Akuzojnë SPAK-un se po arreston thjesht emra, ndërkohë vrapojnë edhe vetë ndaj emrave, që më shumë se dëshmitarë, nuk kanë asnjë pushtet tjetër. Tirana ndodhet sot thuajse në kolaps mjedisor pasi ka shpenzuar 100 milion euro. Vendgrumbullimi i Sharres është kthyer në vendin ku derdhet gjithfarë lloj llumi korrupsioni, ndërkohë paratë vazhdojnë të qarkullojnë, asnjë kontratë nuk anullohet, asnjë pagesë nuk ndërpritet. Nëse ka një gjë që media duhet të merret me të, është vetëm kjo; të tjerat janë efekte speciale për të shmangur vemendjen.

Thelbi është një dhe vetëm një: çdo qindarke që del nga buxhetet publike dhe përgjegjësi për këtë nuk merr vendime për të ndaluar gjakderdhjen, ai shkon në burg. Përpos korrupsionit fillestar të shpikjes së një modeli për menaxhimin e mbetjeve që nuk ekziston në botë, dhe që nuk e perballojnë vende me GDP dhjetra herë më të lartë se Shqipëria.

YouTube player