Lajme

Konfiskimi i kompleksit në Banjskë, ministri Sveçla jep detaje

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë të mërkurën se Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) është pronare e kompleksit Rajska Banja në Banjskë të Zveçanit.

“Për këtë [pronësinë] nuk ka asnjë dyshim. Pse dikush ka investuar jashtëligjshëm, mendoj qe është mësim për të gjithë ata, të cilët dëshirojnë të investojnë jashtëligjshëm, se nuk mund ta bëjnë. Sa i përket menaxhimit të atij kompleksi, Ministria e Punëve të Brendshme është rezultat i bashkimit të dy ministrive, të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Administratës Publike, e ish-Ministria e Administratës Publike e ka departamentin e menaxhimit të objekteve të këtilla, në pronësi të shtetit. Kjo është arsyeja pse e kemi marrë në menaxhim dhe destinacionin final të këtij objekti do t’ia paracaktojmë ndërkohë”.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka reaguar pas aksionit në Banjskë, duke thënë se Qeveria e Albin Kurtit “rrëmbeu” kompleksin në Banjskë “para syve të komunitetit ndërkombëtar”.

Lexo më shumë  Mbi 1 milion qytetarë të regjistruar – këtë javë pëfundon procesi i Regjistrimit të Popullsisë në Kosovë

“Kompleksi ‘Rajska Banja’ është ndërtuar ekskluzivisht me para të Qeverisë së Serbisë, që ka investuar përmes Zyrës për Kosovën. Ky kompleks është hapur në vitin 2019 dhe institucionet e Kosovës nuk kanë investuar asnjë dinar dhe nuk kanë bazë ligjore për pretendimet se janë pronarë të kompleksit”, ka thënë Lista Serbe përmes një njoftimi.

Rindërtimi i këtij kompleksi ka filluar në vitin 2015 nga Qeveria e Serbisë, përmes Zyrës së saj për Kosovën. Në atë projekt janë investuar rreth 7 milionë euro.

Drejtori i atëhershëm i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq, kishte nënshkruar marrëveshje për restaurimin e banjës me Dioqezën e Rashkës së Prizrenit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe kryetarin e Autoritetit të Përkohshëm Komunal, Ivan Todosijeviq.

Lexo më shumë  Sveçla viziton policin e plagosur në Klinë: Hetimet po zhvillohen me intensitet të lartë

Kështu, kompleksi “Rajska Banja” ka kaluar në pronësi të Qeverisë së Serbisë, Kishës dhe Autoritetit të Përkohshëm Komunal të Zveçanit.

Ky kompleks gjendet në afërsi të manastirit të Banjskës, në vendin me të njëjtin emër, në komunën e Zveçanit. Në këtë vend ka burime uji të nxehtë dhe sulfuror. Në Kosovë, ky kompleks është i regjistruar si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar në emër të Aleksandar Zllatkoviq. APK-ja menaxhon të gjitha ish-ndërmarrjet shoqërore të Kosovës dhe pretendon se është pronarja e vetme e atyre pronave.

YouTube player