Bota

Deklarata e Blinkenit në rast se Koreja e Veriut kryen një tjetër provë bërthamore

Kryediplomati i Koresë së Jugut tha të hënën se Koreja e Veriut ka përfunduar përgatitjet për një provë të re bërthamore dhe se vetëm një vendim politik nga udhëheqësit më të lartë të vendit mund ta ndalojë këtë proçes. Pas bisedimeve në Uashington, Sekretari Blinken tha se do të trysnia ndaj regjimit të Phenianit do të vazhdojë derisa ai të ndryshojë drejtim.

Pas bisedimeve me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken në Uashington, Ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Park Jin tha se Koreja e Veriut duhet të paguajë çmimin nëse vendos ta kryejë në ditët në vazhdim provën e saj të shtatë bërthamore.

“Nëse Koreja e Veriut kryen një tjetër provë bërthamore, mendoj se kjo vetëm do të forcojë vendosmërinë tonë dhe sanksionet ndërkombëtare, ndërsa do ta izolojë më tej Korenë e Jugut nga komuniteti ndërkombëtar. Dhe sigurisht, duhet të punojmë për një tjetër rezolutë të Këshillit të Sigurimit për t’iu përgjigjur provokimit të Koresë së Veriut, siç e diskutuam sot”, tha zoti Jin.

Lexo më shumë  ‘Freedom House’: Mosmarrëveshja e zgjatur me Kosovën, Serbia ka pësuar rënien më të madhe në procesin e demokratizimit

Sekretari Blinken dhe zoti Jin theksuan se dera për negociata do të mbetet e hapur për Korenë e Veriut, pa i vendosur asaj parakushte. Por, Sekretari Blinken përsëriti komentet e ditëve të fundit të disa zyrtarëve amerikanë, duke shprehur keqardhje që Koreja e Veriut vazhdon të injorojë ftesat për dialog.

“Jemi të hapur për dialog pa parakushte. Duam të mbështesim popullin e Koresë së Veriut, madje edhe me vaksina kundër COVID-19. Kemi ofruar vazhdimisht ndihmën tonë përgjatë pandemisë edhe gjatë kësaj vale të fundit që po përjetojnë, pas një krize të ashpër ekonomike dhe humanitare. E thënë thjesht, objektivi ynë është një rajon dhe një botë në paqe dhe e qëndrueshme. Derisa regjimi në Phenian të ndryshojë drejtim, do të vazhdojmë të ruajmë trysninë”, tha Sekretari Blinken.

Lexo më shumë  Fabrikat e propagandës serbe rrisin mbështetjen për Moskën

Të dielën, Koreja e Veriut bëri stërvitje me goditje artilerie drejt detit, tha ushtria e Koresë së Jugut, disa ditë pasi udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, bëri thirrje për shtimin e aftësisë mbrojtëse për t’u përballur me rreziqet e jashtme.

Një provë e re bërthamore nga Koreja e Veriut do të ishte e shtata e këtij lloji. Disa ekspertë thonë se Koreja e Veriut ka gjasa ta shfrytëzojë këtë provë për të prodhuar predha që do t’u montohen armëve taktike bërthamore, të destinuara për t’u përdorur ndaj objektivave në Korenë e Jugut.

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *