Lajme

“Çorapja e zezë në Beograd”! Një letër e rëndë për ambasadorin Hill ku përmendet edhe Rama

Kryetari malazez i Komitetit të Helsinikit për të Drejtat e Njeriut, ish ministër i punëve të jashtme dhe ambasadori i parë i Malit të Zi në Uashington, Miodrag Vllahoviq, ka dërguar një letër të hapur ambasadorit të ShBA-ve në Sërbi, Kristofer Hill, me rastin e qëndrimeve dhe opinioneve të tij, të shprehur në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.

Gazeta e Podgoricës “Pobjeda”, e datës 24 gusht, e transmeton në tërësi https://www.pobjeda.me/clanak/crna-carapa-u-beogradu

Ekselenca e Juaj, i nderuari ambasador Hill,

Intervista Juaj e fundit për “Zërin e Amerikës” është e mbushur me teza të gabuara, interpretime të pasakta dhe jo korrekte. Të cilat edhe njëherë vërtetojnë politikën tuaj të lëshimeve dhe ledhatimeve ndaj Aleksandr Vuçiqit, respektivisht ndaj politikës zyrtare të Serbisë dhe seriozisht vënë në pikëpyetje motivet dhe qëllimet që qëndrojnë pas një pozicionimi të tillë dhe paraqitjes tuaj publike.

Jo gatishmëria juaj që në çfarëdo mënyre të kritikoni publikisht politikën që personifikon Vuçiqi, po fiton trajta karikaturiale. Është fascinuse, sesi edhe pas kërcënimeve dhe fyerjeve të fundit brutale, që njëra pas tjetrës i janë drejtuar Malit të Zi dhe Maqedonisë Veriore nga Vuçiqi, pastaj nga ministri i mbrojtjes Vuçeviq dhe në fund nga ministri i punëve të jashtme Daçiq, ju nuk dalloni asgjë kontestuese!! Për Ju “nuk ka tentim për destabilizim”?

Cilat janë arsyet e një qëndrimi të tillë, i cili sinqerisht po çudit dhe brengos të gjithë miqtë amerikanë në Malin e Zi, por edhe në të gjitha shtetet tjera të rajonit?!

Nëse deklaratat e tyre nuk janë kontestuese, atëherë as angazhimi Juaj për të ashtuquajturin “Ballkan i Hapur” “nuk është kontestues”, edhe pse tre shtete nga gjashtë të Ballkanit perëndimor, asnjëherë nuk e dhanë pëlqimin e vet, kurse njëri nga dy promotorët kryesorë (kryeministri i Shqipërisë Rama) para pak kohësh e tha qartë dhe përfundimisht se heq dorë.

Por ama, është kaq e habitshme. Për çfarë arsye me muaj të tërë, pa nevojë dhe kot insistoni në këtë formë të pa rregulluar dhe të imponuar të bashkëpunimit, për të cilën të gjithë miqtë dhe aleatë tanë (dhe tuaj) evropianë, janë deklaruar qartë se nuk është në përputhje me agjendën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe as të Procesit të Berlinit?!

Cili është interesi juaj në këtë? Pengimi i integrimeve evropiane të Ballkanit Perëndimor, për të përmbushur oreksin e politikës nacionaliste të Beogradit zyrtarë? Ky është qëllimi?

Ajo që më brengos në intervistën tuaj është konstatimi se politika që tani identifikohet me Ju – edhe pse z. Eskobar, z.Grenel dhe një paraardhës Juaji në Beograd, z. Montgomeri i takojnë të njëjtës “shkollë të mendimit” sipas të gjithave çka flasin dhe bëjnë – është e drejtë por nuk po jepka rezultate?!

Lexo më shumë  Media italiane: Kampet e refugjatëve në Shqipëri do të menaxhohen nga kompania nën hetim për lidhje me mafian

Me gjithë respektin, këtu më duhet t’Ju korrigjoj.  Nuk është e vërtetë se kjo “Pax Americana” në hapësirat tona nuk po sjell rezultate.

E vërteta është krejt ndryshe: Politika që Ju po promovoni po sjell pasoja shumë të rënda. Ajo po destabilizon Ballkanin Perëndimor. Ajo po krijon dhe po thellon kriza dhe po parandalon, që përfundimisht të fillojë zgjidhja e disa antagonizmave dhe çështjeve të hapura. Po marr shembull, – edhe pse jemi të sigurt që Ju dini më shumë dhe më mirë se ne – situatën në Bosnje dhe Hercegovinë, raportet Serbi – Kosovë dhe kahet e zhvillimeve në Mal të Zi.

Prandaj, politika Juaj është thellësisht e gabuar. Ajo po kërcënon që ta komprometojë plotësisht angazhimin pozitiv dhe efikas, disa dekadash të Shteteve të Bashkuara në hapësirat tona.

Ne, në Mal të Zi, jo vetëm për shkak të ripërtëritjes së pavarësisë sonë, nuk do harrojmë asnjëherë mbështetjen dhe ndihmën e madhe dhe miqësore, që kemi pasur pa ndërprerje nga vendi Juaj.

Për këtë arsye, politika Juaj e lëshimeve dhe ledhatimeve ndaj regjimit të Vuçiqit, është e gabuar. Për më keq: është e dënuar në mossukses. Ky mossukses do t’i kushtojë shtrenjtë Serbisë, por edhe të gjithë fqinjëve të saj.

Në këtë paraqitje nuk do humbim kohë, as energji në analizë, a bëhet këtu fjalë dhe sa, për intervenim dhe preferenca tuajat personale apo kjo është politika e Uashingtonit. Jemi të bindur se këtë më mirë e dinë dhe e kuptojnë të tjerë në  Departamentin e Shtetit. Kolegët dhe eprorët tuaj do të dinë të vlerësojnë sa është i suksesshëm qëllimi Juaj, (ai që deklaroni publikisht) që “Serbinë ta shkëputni nga Rusia” dhe, sa e si po i kushton kjo vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Dhe se sa kjo do ndikojë në stabilitetin dhe sigurinë në tërësi.

Neve na duket se nuk është e saktë që, as këtu “nuk ka rezultate”: pasojat e politikës suaj janë pikërisht të kundërta nga ato që publikisht i projektoni. Pra, nuk bëhet fjalë për ngecje. Bëhet fjalë për regres.

Lexo më shumë  Miratohet Projektligji për bankat, Murati: Synohet rregullimi i aktivitetit bankar e financiar

Për ne në Mal të Zi, por edhe për të gjitha forcat politike demokratike dhe pro perëndimore në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë posaçërisht edhe miqtë tanë në Serbi, deklarata se “nuk mund t’i krahasoni Millosheviqin me Vuçiqin” është, të paktën, e habitshme. Dhe fyese për të gjithë ne.

Nuk mund ta krahasoni shefin e një regjimi që ka përfunduar në Hagë me ministrin e tij të propagandës?! Të cilin e mbajmë mend për sulmet brutale mbi mediumet e lira dhe për deklaratat luftënxitëse dhe ksenofobe, duke përfshirë edhe atë që “duhen vrarë 100 boshnjakë për çdo serb të humbur”?!

Mjafton të kujtojmë emrin dhe fatin e Sllavko Quruvijes, të cilin Vuçiqi publikisht e kërcënoi. Ose, në vend që panevojshmërisht t’ju kujtojmë ngjarjet që Ju i dini më mirë se ne, duhet t’Ju pyesim: a shihni ngjashmëri mes fatit të Ivan Stamboliqit dhe atij të Oliver Ivanoviqit? Kjo përputhje tragjike është edhe më e madhe dhe më tragjike sesa ajo mes Vuçiqit dhe Millosheviqit.

Sigurisht, nuk ka nevojë të përgjigjeni në këtë pyetje. Ajo që shihet, nuk ka nevojë për sqarime.

Në fund: nuk ka nevojë që juve si Amerikan, t’Ju sqarojmë se çfarë do të thotë kjo “Black Sox” në titull. Edhe këtë e dini më mirë se ne.

Angazhimi Juaj në Beograd dhe pasojat e tij, mund ta bëjnë të panevojshme që t’Ju kërkojmë atë që të dëshpëruarit thellë, ua kanë dërguar si lutje: “Na thoni se kjo nuk është e vërtetë!”

Jo, nuk duhet të justifikoheni. Do duhej të thoni dhe të bëni atë, që do vërtetonte arsyet dhe parimet me të cilat politika dhe diplomacia e ShBA-ve është identifikuar në pjesën tonë të Evropës.  Mbetemi me shpresë se Jeni të gatshëm për këtë ndryshim.

Me respekt dhe dëshirat më të mira

Miodrag Vllahoviq

Përkthimi: Ali Sh. Mehmeti

P.S. Dy sqarime për lexuesin:
1. “Pax Americana” – paqja që zgjat dhe imponohet nga fuqia ushtarake e ShBA-ve
2. “Black Sox” (çorapë e zezë) – është referencë për një ngjarje të vitit 1919, kur 8 lojtarë të një ekipi të bejsbollit i quajtur “White Sox” (çorapë e bardhë) sabotuan disa ndeshje duke shkaktuar humbje për ekipin e vet, sepse ishin korruptuar me 70-100 mijë dollarë secili./Gazeta Dita

Rruga Press

YouTube player