Lajme

Kamberi: Ndërkombëtarët po i japin hapësirë Vuçiqit që ta vazhdojë politikën destabilizuese

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se urrejtja ndaj shqiptarëve është e instaluar dhe po kultivohet përditë nga të gjitha institucionet e shtetit serb.

Ai ka përmendur rastin e familjes nga Maqedonia e Veriut e cila u keqtrajtua dhe u dënua nga autoritetet e Beogradit sepse djali i asaj familjeje shqiptare kishte të veshur një bluzë me shqiponjë, si dhe ndalimin e shfaqjeve të filmave të autorit shqiptar.

Ai ka thënë se këto dy akte që i ka ndërmarrë Beogradi “legjitimojnë ksenofobinë antishqiptare e cila është instaluar në të gjitha instancat e shtetit të Serbisë”.

“Të njëjtat institucione që po nxisin dhe ushqejnë ksenofobinë me program shtetërore, për vite me radhë, po ndërtojnë kulturën e mohimit të krimeve të luftës e glorifikimit të kriminelëve të luftës, me polici po ruajnë muralet e kriminelëve të dënuar nga Tribunali ndërkombëtar për krime lufte dhe përmes projektit të ‘Botës serbe’ po vazhdojnë me politikën e aspiratave territoriale ndaj Kosovës, Malit të Zi e Bosnjës”, ka shkruar ai.

Kamberi ka theksuar se këtë po e bën edhe pse Serbia formalisht është në proces të integrimit në BE.

Lexo më shumë  Mos-përfshirja në agjendën e Komitetit të Ministrave, Kusari-Lila: Kosova ka përjetuar padrejtësi të natyrave të ndryshme nga BE

“Paradaoksale. Derisa BE është definuar si komunitet në të cilin dallimet konsiderohen pasuri, shteti aspirant për këtë komunitet, ato i sheh si kërcenim, ndalon diversitetin dhe shqipton dënime përmes gjyqësorit të kontrolluar. Liria e qarkullimit të njerëzve, mallrave e ideve është premisa elementare e BE-së. Kjo liri po cenohet hapur sot në Serbi”.

Kamberi ka shtuar se presidenti serb Aleksandër Vuçiq me politikën e mohimit të krimeve të luftës, nxitjen e ndjenjave neonaciste, ksenofobisë dhe aspiratave territoriale ndaj fqinjëve, ishte sabotues i idesë së bashkëpunimit multilateral në Ballkanin Perëndimor.

Ai ka deklaruar se marrëveshja e Ohrit e rregullon çështjen e njohjes së simboleve shtetërore mes të dyja shteteve dhe se Serbia me veprimet e fundit e ka shkelur atë. E për më tepër, ka thënë Kamberi, kjo po ndodh para ndërkombëtarëve, teksa ka pyetur se pse pas gjithë këtyre akteve “bashkësia ndërkombëtare hesht”.

“Shqiponja në bluzën e djaloshit të mitur të familjes shqiptare nga Maqedonia, nëse edhe është një simbol shtetëror, ajo është simbol i Republikës së Shqipërisë. Simbolet e Republikës së Kosovës janë krejtësisht tjera. Cila është arsyeja pra e ndalimit të shprehjes publike të këtyre simboleve, nëse Serbia shënon siç thuhet ‘ngritje në raportet me Shqipërinë’. Mohimi i gjithçkaje që është shqiptare. Mohimi i simboleve, gjuhës e identitetit është politika që po e proklamon Serbia në raport me shqiptarët. Dhe gjithë këto akte dhune, ksenofobije, urrejtje, shovenizmi e neonacizmi po zhvillohen në sytë e Bashkësisë ndërkombëtare”.

Lexo më shumë  Kurti merr pjesë në ceremoninë e përurimit e renovimeve në Klinikën e Onkologjisë: Është shtuar buxheti për blerjen e barnave

Kamberi ka potencuar se bashkësia ndërkombëtare po i jep hapësirë Vuçiqit që ta vazhdojë politikën destabilizuese në Ballkanin Perëndimor. Duke e krahasuar me kriminelin e luftës Slobodan Millosheviqin, Kamberi ka thënë se historia mund të përsëritet e se çfarë do të ndodhë, ai ka theksuar se do të varet nga reagimi i ndërkombëtarëve.

“Të shohim e presim ama edhe Millosheviqin pas Dejtonit e patën shpallur ‘garant të paqes në Ballkan’. U desh të kalonin katër vjet e të ndodhnin krimet kundër njerëzimit në Kosovë për ta shpallur ‘Kasap të Ballkanit’. Historia mund edhe të përsëritet”, ka përfunduar Kamberi.

Rruga Press

YouTube player