Çmimi i banesave në Shqipëri me rritje mbi normën e BE-së në 10 vite
Çmimet e pasurive të paluajtshme në vend janë rritur me 60% në 10 vite. Norma është më e lartë se në Bashkimin Europian, ku rritja është shënuar 45%.
Në vitin 2013 një banesë në Tiranë kushtonte 62 mijë euro. Vlera e saj është rritur me rreth 60% në një dekadë, ndërsa ndërtimi është bërë sektori kryesor i rritjes ekonomike në vend. Të dhënat ilustrohen sipas `Indeksit Fischer` të Bankës së Shqipërisë, një nga treguesit zyrtarë që matin ecurinë e çmimit të banesave në kryeqytet dhe në rrethe.
Pronat zënë rreth 80% të pasurisë së familjeve shqiptare.
Ato janë burimi më i sigurt financiar për ta, nëse shtojmë faktin se 65% e pasurisë përfaqësohet nga banesa kryesore, dhe mbi 90% e familjeve e zotërojnë banesën ku jetojnë.
Rritja e çmimeve gjatë viteve të fundit ka qenë e ndjeshme në pjesën dërrmuese të vendit, veçanërisht në pjesën qendrore dhe në bregdet.
Ndërkohë, Eurostat ka matur ndryshimin e çmimit të pasurive të paluajtshme në vendet e Bashkimit Europian. Në një dekadë, në të gjithë zonën euro çmimet janë rritur me 45%. Në vende si Hungaria, Estonia e Luksemburgu, vlera është rritur me mbi 130%, ndërkohë që janë vetëm 3 shtete, ku çmimet janë zhvlerësuar, Itali, Greqi e Qipro.
Rruga Press