KryesoreLajme

Blushi dhe Kosova që nuk pranon të përkufizohet prej tij

Shkruan Vigan Qorrolli

Në diskutimin e fundit mbi Kosovën, Ben Blushi ndërtoi një “tezë” që meriton të merret seriozisht pikërisht për shkak të peshës së përfundimit të saj: Kosova, sipas tij, po largohet nga Shqipëria, ky largim po shfaqet edhe në politikë edhe në mënyrën e artikulimit identitar, prej këtu vjen një gjendje e “dëshpërimit kombëtar” dhe, në shkallën tjetër të argumentit, një rrezik për vetë ekzistencën e Kosovës; për rrjedhojë, bashkimi me Shqipërinë paraqitet si “e vetmja zgjidhje”.

Kosova e ka një ves që ua prish çdo tregim profetëve të saj: ajo ekziston.

Ekziston me historinë e saj, me kujtesën e saj, me qytetarët e saj, me institucionet e saj, me plagët e saj, me gabimet e saj, me konfliktet e saj dhe me një shoqëri që, për të mirë e për të keq, vazhdon të vendosë vetë se çfarë mendon për veten.

Këtu kemi një përfytyrim të çuditshëm për Kosovën, të një elitisti të molisur, i cili, pasi është lodhur mjaftueshëm nga zhurma e popullit, duket se ka vendosur të lodhet edhe në emër të tij; dhe kështu, nga lartësia e një intelektualizmi që e ka harruar prej kohësh lagjen, rrugën, familjen dhe njeriun e zakonshëm, na njofton se Kosova qenka duke humbur veten, shqiptarinë, shpresën dhe, në fund, ekzistencën.

Lexo më shumë  Ekonomia në Shqipëri mbahet më këmbë nga shteti dhe taksat neto, sollën 70% të rritjes në TII, zbehet ndërtimi

Shqiptarit dardan të Kosovës nuk ka nevojë t’i shpjegohet se është shqiptar. Këtë e ka ditur kur shqiptaria nuk ishte dekor për studio televizive, siç e mësove ti, por arsye për të cilën paguhej një çmim. Nuk ka nevojë t’i shpjegohet as Dardania, as Kosova, as Shqipëria, as historia e vet; këto nuk i ka mësuar nga kolumnat e askujt, por nga shtëpia, familja, kujtesa dhe vetë jeta.

Kush të dha ty, Ben, të drejtën të vendosësh se kur një kosovar është ende shqiptar e kur, sipas termometrit tënd publicistik, ka kaluar në “anti-Shqipëri”?

Kush të dha ty, Ben, çelësat e kasafortës ku ruhet shqiptaria e kosovarëve? Kush të autorizoi të përcaktosh se kur një shqiptar është “pak shqiptar” ose “mjaftueshëm shqiptar”?

Lexo më shumë  FMN: Shqipëria po diplomon studentë që nuk i duhen kujt, rrënjët e problemit që në sistemin e arsimit parauniversitar

Kosova mund të ketë një shtet, një përvojë politike dhe një vetëdije të veçantë shoqërore, pa pushuar së qeni shqiptare; ashtu si njeriu mund të ketë një emër, një mbiemër dhe një histori familjare pa pushuar së qeni ai që është.

Kosova, për fat të mirë, është më e vjetër se tezat që ndërtohen për të dhe, për fat të profetëve të saj, më kokëfortë se përfundimet e tyre.

Blushi bën këtu një gabim të rëndë, madje paradoksal dhe politikisht ogurzi: përpiqet të interpretojë një popull përmes qëndrimit të tij antipatik ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke e shndërruar një mosmarrëveshje politike me një individ në premisë për të gjykuar identitetin, orientimin dhe vetëdijen kombëtare të një shoqërie të tërë.

Dobët, Ben, siç bën çdoherë dobësira të tilla, saherë që merresh me Kosovën!

YouTube player