KryesoreLajme

Pas glorifikimit të Mlladiqit në Serbi, EPP inicon përjashtimin e partisë së Vuçiqit

Asambleja Politike e Partisë Popullore Evropiane (EPP) ka miratuar të hënën një deklaratë për Serbinë, pas ngjarjeve që shoqëruan varrimin në Beograd të Ratko Mladiqit, i dënuar për krime lufte dhe gjenocidin në Srebrenicë.

EPP i ka cilësuar pamjet nga varrimi si “thellësisht shqetësuese”, duke rikujtuar se përgjegjësia penale e Mladiqit për gjenocidin në Srebrenicë dhe krime të tjera të rënda gjatë luftërave në ish-Jugosllavi është përcaktuar nga gjykatat ndërkombëtare.

“Krimet e tij janë përcaktuar nga gjykatat ndërkombëtare dhe nuk duhet të relativizohen, glorifikohen apo harrohen kurrë”, thuhet në deklaratën e EPP-së.

Lexo më shumë  Gola në Asamblenë e KiE: Specialja nuk vërtetoi pretendimet e Dick Martyt, besojmë se Apeli do t’i rrëzojë akuzat tjera

Partia Popullore Evropiane ka kritikuar veçanërisht nderimet publike dhe shtetërore gjatë varrimit, pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë serbë dhe shfaqjet publike të mbështetjes.

Sipas EPP-së, në vend të ballafaqimit me këtë trashëgimi të së kaluarës, në Serbi u panë nderime publike e shtetërore në varrim dhe pjesëmarrje e zyrtarëve të lartë të vendit.

EPP vlerëson se veprime të tilla bien ndesh me vlerat e pajtimit, respektit për viktimat dhe llogaridhënies, të cilat, sipas saj, janë në themel të projektit evropian.

Asambleja Politike tha gjithashtu se i bashkohet dënimit të shprehur nga udhëheqja e EPP-së dhe komuniteti ndërkombëtar.

Lexo më shumë  Mbetjet e 23 personave dhe 13 të arrestuar – zgjerohet hetimi për krimet e luftës në Zubin Potok

Në deklaratë përmendet në mënyrë të veçantë edhe Partia Progresive Serbe (SNS).

“Në kuadër të procesit të vazhdueshëm të shqyrtimit të SNS-së, këto ngjarje të fundit nuk mund të injorohen”, thuhet në deklaratë.

SNS është anëtare e asociuar e EPP-së që nga viti 2016, ndërsa formulimi i deklaratës tregon se statusi dhe veprimet e saj janë aktualisht pjesë e një procesi shqyrtimi brenda familjes politike evropiane.

YouTube player