Bota

Blinkeni refuzoi ta takojë Lavrovin në samitin e Indonezisë, izolim për Rusinë

Samiti i 20 ekonomive kryesore të globit ka bërë bashkë krerët e diplomacisë së Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Megjithatë për shkak të luftës në Ukrainë, sekretari i shtetit Blinken ka refuzuar të takojë ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov.

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov tha të premten se ai nuk do të vraponte pas Shteteve të Bashkuara për bisedime, ndërsa homologu i tij nga Uashingtoni refuzoi ta takonte në samitin e G20 në Indonezi.

“Nuk ishim ne ata që braktisëm kontaktin, ishin Shtetet e Bashkuara. Kjo është gjithçka që mund të them. Ne nuk vrapojmë pas askujt që sugjeron takime. Nëse ata nuk duan të flasin, kjo është zgjedhja e tyre,” tha ai.

Lexo më shumë  Bideni zotohet t’ia dërgojë Ukrainës ndihmat e reja këtë javë

Presidenca indoneziane e G20-s organizon samitin e liderëve të 19 vendeve dhe Bashkimit Evropian lidhur me çështjet financiare ndërkombëtare.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar të izolojnë Rusinë në skenën botërore dhe ndihmësit e Blinkenit thanë se nuk shohin asnjë kuptim të flasin me Lavrovin për sa kohë që Moska vazhdon luftën e saj në Ukrainë.

Lavrovi, duke përshëndetur Indonezinë mikpritëse, denoncoi afrimin e vendeve perëndimore në Grupin e 20, i cili u krijua si një klub i ekonomive kryesore të botës.

Lexo më shumë  Senati amerikan miraton projektligjin që ndalon TikTokun në SHBA, Biden i gatshëm ta nënshkruaj sapo t’i arrijë në tavolinë

Kryediplomatja e Indonezisë kërkoi para Ministrit të Jashtëm rus, dhënien fund të luftës në Ukrainë.

Në nëntor të këtij viti, Indonezia do të presë 20 liderët nga 19 ekonomitë kryesore të globit dhe presidentin e Këshillit Evropian.

Presidenti rus Vladimir Putin, homologu i tij amerikan, Joe Biden dhe kreu i shtetit ukrainas pritet që të jenë pjesëmarrës në këtë samit.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *