Lajme

Biserko: Vuçiqi me qëllim nuk po i zbaton marrëveshjet

Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi, ka deklaruar se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po e përdor si strategji shtyrjen e zbatimit të marrëveshjeve me Kosovën, me qëllim që sipas saj, të ndryshojë konteksti gjeopolitik në botë.

Ajo ka deklaruar se Perëndimi e ka intensifikuar situatën mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që proceset të finalizohen dhe të hiqen shqetësimet për sigurinë e Ballkanit.

“Kjo është strategjia e pritjes dhe shtyrjes së vendimmarrjes në raport me Kosovën. Por gjërat janë intensifikuar nga ana e Perëndimit dhe shpresoj që do të intensifikohen edhe më shumë në muajt e ardhshëm për të finalizuar apo përmbyllur shqetësimet për sigurinë në Ballkan. Sepse kjo është gjëja kryesore për Perëndimin pas Banjskës sepse ajo ngjarje ishte ilustrim se çfarë mund të ndodhë në rajon nëse Beogradi vazhdon me këto politika dhe dukshëm Rusia ka interes për ta mbajtur statu-quo-në në rajon, ashtu siç është që është një argument shtesë për regresin në rajonin tonë në këto 12 vitet e kaluara”, ka thënë ajo në “Interaktiv” të KTV-së.

Biserko është shprehur se i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak nuk ishte autoritet bindës për palët e as “s’kishte energji”.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti në Graçanicë ua dorëzon çelësat e banesave 56 familjeve të komunitetit joshumicë

Për Biserkon, Lajçaku ishte si ndërmjetës në një proces ku Kosova e Serbia nuk dialoguan.

“Nuk mendoj se Lajcaku ishte një person që kishte energji dhe një autoritet bindës qoftë për serbët apo shqiptarët. Ai ishte aty si ndërmjetësues, por në fakt nuk kishte dialog në tri vitet e fundit. Palët udhëtonin në Bruksel dhe palët takoheshin të ndarë kryesisht me BE-në, dhe kishin disa përfundime që i kishin në tavolinë.  Dhe nuk ka se çfarë të ndodhë me dialogun më tutje sepse ka marrëveshje që duhet zbatuar”, është shprehur ajo.

Sipas saj, pasues i mirë për Lajçakun mund të jetë ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor dhe ish-përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian në Bosnjë-Hercegovinë, Paddy Ashdoën, duke u shprehur se ata kanë njohuri mbi situatën në Ballkan.

Për çështjen e serbëve lokalë në Kosovë, Biserko ka potencuar se Qeveria e Kosovës duhet “t’i përvetësojë me një empati dhe me një kornizë të re, që do të hapte rrugën për një perspektivë të integrimit ekonomik dhe stabilizimit të tyre në këtë shoqëri”.

Lexo më shumë  Eurostat: Shqipëria e pesta në Europë për numrin e të burgosurve në raport me popullsinë

Ajo ka thënë se kjo do të ishte e vështirë për shkak të përçarjes së shkaktuar nga Lista Serbe dhe Beogradi.

“Duhet të kërkohet një udhëheqësi për serbët e Kosovës. Serbët duhet të kërkojnë një udhëheqësi tjetër. Mbase edhe disa njerëz nga Lista Serbe mund të jenë pjesë e këtij formacioni të ri. Unë s’kam informata se kush do të ishte opsion i rëndësishëm nga Lista Serbe që të merrte pjesë në të ardhmen në jetën politike të serbëve të Kosovës. Kështu që mendoj se ka shumë sfida për Kosovën, për qeverinë e Kosovës, për shoqërinë kosovare në tërësi për sa i përket integrimit të komunitetit serb”, ka deklaruar Biserko.

E për rrugën drejt integrimit, Biserko ka thënë se Kosova ka shënuar sukses, e kjo shtoi se u pa në procesin e Këshillit të Evropës. Sipas zyrtares serbe, vendet ndërkombëtare janë të shqetësuara dhe po ecin drejt përmbylljes së sovranitetit të Kosovës.

“Nganjëherë ata nuk miratojnë hapat që ndërmerren nga Qeveria e Kosovës, por kjo Qeveri e ka ndryshuar dinamikën dhe status-quo-në, që ka qëndruar për një kohë të gjatë e pandryshuar”, ka thënë ajo.

Rruga Press

YouTube player