KryesoreLajme

FMN ul parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë në 2024

Lulëzimi turistik i Shqipërisë këtë vit nuk duket se e ka “bindur” Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) që të jetë optimist për ekonominë shqiptare. Në raportin e fundit të pasqyrës ekonomike globale, të publikuar në prill, FMN ka rishikuar me ulje ecurinë ekonomike të vendit për këtë vit. Fondi pret që ekonomia shqiptare të rritet me 3.1% në vitin 2024, nga 3.3% që kishte qenë vlerësimi fillestar në raportin e tetorit 2023.

Shqipëria renditet në këtë mënyrë ndër vendet që do të kenë rritjen më të ulët, e katërta nga gjashtë shtete gjithsej.

Rritjen më të lartë pritet që ta ketë Kosova, me 3.8%. Edhe për Kosovën, FMN ka bërë një rishikim të lehtë në ulje, nga 4% që ishte vlerësimi i tetorit. Mali i Zi pritet të ketë një ecuri prej 3.7%, i njëjtë me tetorin.

Rishikimi më i ndjeshëm në rritje është për Serbinë, që tashmë pritet të zgjerohet me 3.5%, nga 3% që ishte vlerësimi fillestar. Për Maqedoninë e Veriut pritet rritje prej 2.7% (0.2 pikë përqindje më shumë) dhe për Bosnjë-Hercegovinën është bërë rishikimi më i fortë në ulje, nga 3% në 2.4%.

Lexo më shumë  Instituti Ndërkombëtar Republikan: Shqipëria dhe Kosova, vendet më pro-perëndimore në Ballkanin Perëndimor! Serbia në krah të Rusisë

FMN pret që inflacioni të ulet në 3.5%, pas një mesatareje prej 4.8% në 2023, për të zbritur pas vitit 2025 në 3%, që është dhe objektivi i Bankës së Shqipërisë. Deficiti i llogarisë korente (që mat transaksionet e mallrave dhe shërbimeve me vendet e tjera) pritet të përkeqësohet lehtë në -3.8% të prodhimit të Brendshëm bruto (PBB), nga 3.7% në 2023.

Për vitin 2023, rritja ekonomike e vendit shënoi një rritje me bazë vjetore prej 3,44%, sipas vlerësimeve paraprake të INSTAT. Në krahasim me vitin 2022, kur PBB-ja u rrit me 4.85% u shënua një ngadalësim,

Ndërtimi, pasuritë e paluajtshme dhe administrata publike kanë qenë kontribuuesit më të mëdhenj të rritjes në 2023, ndërsa industria dhe bujqësia shënuan tendencë negative.

Lexo më shumë  Lansohet programi Kompakti MCC-Kosovë mbi 236 milionë dollarësh për përmirësimin e energjisë elektrike

Ndonëse Shqipëria shënoi vitin më të mirë turistik në 2023, me më shumë se 10 milionë shtetas të huaj që hynë në vend, konsumi ishte mjaft i dobët. Konsumi i popullatës u rrit me vetëm 2.96% në 2023, nga 7.37% vitin e mëparshëm, duke shënuar nivelet më të ulëta që nga koha e pandemisë.

Madje në gjysmën e dytë të vitit, kur kulmon turizmi, konsumi u rrit me ritme shumë të ngadalta (2.21% në tremujorin e tretë dhe 1.55% në të katërtin). Vlerësohet se niveli i lartë i emigracionit, sidomos i të rinjve dhe shtrenjtimi i çmimeve kanë ulur konsumin vendas, që nuk është arritur të kompensohet nga turistët e huaj, që qëndrojnë në Shqipëri për pak ditë dhe janë të prirur të shpenzojnë pak./ Monitor

Rruga Press

YouTube player