Bota

Biden premton ndihma për fermerët amerikanë

Konflikti në Ukrainë ka krijuar probleme tek rrjeti i furnizimeve ushqimore dhe ka ngritur çmimet në mbarë botën, tha të mërkurën Presidenti Joe Biden gjatë një vizite në një fermë në shtetin Illinois. Presidenti njoftoi se qeveria do të ndërmarrë veprime për të ndihmuar bujqësinë amerikane. Analistët thonë se dëmet në bujqësi, të shkaktuara nga agresioni rus në Ukrainë, mund të krijojnë probleme afatgjata në shkallë botërore, veçanërisht për vendet me të ardhura të ulëta.

Shteti i Illinoit është përtej oqeanit nga Ukraina por efektet e agresionit rus kanë mbërritur deri në Shtetet e Bashkuara.

Agresioni 11-javor rus në Ukrainë ka vënë në rrezik burimet globale të drithrave, vajit të gatimit dhe plehrave kimike. Çmimet botërore të ushqimeve janë rritur gati 13% që nga fillimi i luftës, thotë Shtëpia e Bardhë.

Gjatë një vizite në një fermë të mërkurën, Presidenti Biden tha se po bën gjithçka për të ndihmuar fermerët amerikanë të përballojnë situatën, për të cilën fajëson udhëheqësin rus Vladimir Putin.

Lexo më shumë  Pistorius e hodhi poshtë kandidaturën – Scholz do të rikandidojë për kancelar të Gjermanisë

“Ju jeni shtylla kryesore e vendit tonë. Por ju gjithashtu ushqeni botën. Dhe siç shihet nga lufta e Putinit në Ukrainë, ju jeni shtylla kryesore e lirisë”, u tha fermerëve Presidenti Biden

Zoti Biden njoftoi një seri veprimesh në ndihmë të bujqësisë amerikane në mënyrë që të arrihen dy korrje në vit, teknologji që kërkon më pak pleh kimik dhe dyfishimin e financimeve në 500 milion dollarë për prodhimin e plehrave kimike në vend.

Presidenti i Bankës Evropiane të Investimeve, Werner Hoyer, dha alarmin këtë javë duke thënë se sasi marramendëse gruri janë bllokuar në Ukrainë si rezultat i luftës.

“Ukraina është hambari i Evropës, dhe aktualisht ka 8.5 miliardë dollarë rezerva drithërash nga korrjet e vitit të kaluar. Ata nuk mund ta eksportojnë grurin sepse u është bllokuar dalja në det. Është një çështje kryesore që duhet adresuar. Ata po mbjellin tokat e tyre dhe brenda disa muajsh mund të kenë korrje të mira, ndoshta 70% të korrjeve të një viti më parë, dhe çfarë do të bëjnë me to?”, shtroi pyetjen zoti Hoyer.

Lexo më shumë  Merkeli shpreh shqetësim të madh për rolin e Muskut në administratën Trump

Efektet janë përhapur tashmë. Muajin e kaluar, protestat e fermerëve në Sri Lanka kundër rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe karburantit çuan në dorëheqjen e kryeministrit dhe qeverisë.

Kriza ka gjasa të godasë më rëndë në pjesë të botës ku burimet tashmë po pakësohen, thonë për Zërin e Amerikës analisti Desmond Lachman.

“Është një kthim mbrapa për ekonominë globale. Vendet që varen kryesisht nga importi i ushqimeve dhe energjisë do të ndikohen më shumë. Edhe në rrafshin politik do të jetë shumë e vështirë për ato vende.”

Historia tregon se drithrat kanë një ndikim të madh në zhvillimet e vendeve. Në Francën e vitit 1788, kur çmimi i bukës u rrit, fshatarët u revoltuan, duke kërkuar qeverisje të bazuar në parimet e lirisë dhe barazisë. Një vit më pas vendi u përfshi në revolucion./voa/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *