Lajme

Begaj kërkon mbështetjen e Polonisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Për herë të parë pas 20 vjetësh, një president polak qëndroi për vizitë në Shqipëri. Andrzej Duda u prit me nderimet më të larta shtetërore nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. Ky i fundit, i kërkoi atij mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Gjatë fjalës së tij në konferencën e përbashkët me Duda, kreu i shtetit shqiptar tha se Samiti i ardhshëm i NATO-s i Vilniusit do të ishte rast i mirë për të mbështetur aspiratat e Kosovës për anëtarësim.

“Polonia ka qenë ndër vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës. I kërkova mikut tim Duda ndikimin e tij për një rivlerësim nga autoritetet polake të situatës së përgjithshme gjeopolitike në Evropë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me synim lidhjen sa më shpejt të jetë e mundur të marrëdhënieve diplomatike me Kosovën. Përtej pranisë së lartë ushtarake të Polonisë në kuadër të KFOR-it në Kosovë, në rrethanat aktuale, ky hap do të ishte i një rëndësie edhe më të madhe gjeopolitike. Kërkova gjithashtu mbështetjen e Polonisë për anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në NATO, ku Samiti i ardhshëm i Vilniusit në korrik të këtij viti, është një rast i mirë për të mbështetur aspiratat e Kosovës”, deklaroi Begaj.

Lexo më shumë  Drejtori Gërvalla: RTK po funksionon në mënyrë të pavarur më shumë se kurrë

Në seancën plenare të Parlamentit Evropian dy ditë më parë kancelari gjerman, Olaf Scholz tha se, “është e turpshme që 20 vjet më parë hapëm perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor dhe sot nuk e kemi bërë ende”, duke kërkuar hapjen ndaj këtij rajoni.

Begaj theksoi sot se, deklarata e kancelarit gjerman është lajm shumë i mirë për faktin që pas agresionit rus në Ukrainë, vëmendja e Bashkimit Evropian është e përqendruar në Ballkanin Perëndimor.

“Kemi disa zhvillime të rëndësishme që lidhen me dhënien e statusit kandidat për Bosnjë Hercegovinën, hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, liberalizimin e vizave me Kosovën, kemi edhe Procesin e Berlinit, i cili këtë vit do të bëhet në Shqipëri, patëm një Samit të BE me Ballkanin Perëndimor në dhjetor të vitit të kaluar. Kjo tregon që Ballkani Perëndimor është në fokus të BE-së. Shpresoj që procesi i zgjerimit të përshpejtohet, të bëhet me ritme të shpejta. Kjo varet edhe nga disa rregulla që ne duhet të punojmë më shumë për t’i realizuar. Për mua deklarata e kancelarit Scholz është e mirëpritur”, tha Begaj.

Lexo më shumë  Rusët i futen tregut të pronave në Shqipëri, zyra biznesi në zonat bregdetare

Presidenti polak Andrzej Duda tha se kancelari është i ndërgjegjshëm për deklaratat, ndërsa theksoi edhe nevojën që shtetet të mos i bëjnë shantazhe vendeve që synojnë anëtarësimin duke i bllokuar ato.

“Do të ishte jo mirë nëse çdo shtet anëtar do të përdorte një shantazh të tillë ndaj shteteve që kandidojnë për në anëtarësim në BE, që kanë pretendime të ndryshëm dhe që nuk do të plotësohen kriteret, që do të ketë bllokime lidhur me pranimin në BE mendoj se kjo është në kundërshtim me interesat e të gjithë Unionit dhe gjithmonë e kam cekur se pas daljes së Britanisë nga BE, pranimi i vendeve të tjera është shumë i rëndësishëm, një shenjë që tregon se BE-ja është gjallë, atraktive, tërheqëse dhe që i tregon gjithë botës që BE-ja është një organizëm që vepron pa pushim”, deklaroi Duda.

Presidenti polak deklaroi se, shpreson që së shpejti Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin Begaj ai tha se kjo vizitë është një sinjal për t’i gjallëruar marrëdhëniet shqiptaro-polake.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *