BE vendos kushte për Teheranin – Von der Leyen: Nuk ka heqje sanksionesh pa ndryshim të sjelljes së Iranit
Bashkimi Evropian nuk është i gatshëm të shqyrtojë heqjen e sanksioneve ndaj Iranit pa parë më parë ndryshime konkrete në sjelljen e Teheranit.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se sanksionet janë vendosur për të nxitur ndryshime reale në politikat e Iranit dhe se çdo vendim për lehtësimin e tyre do të varet nga veprimet që do të ndërmarrë pala iraniane.
Ajo sqaroi se vetëm një ndryshim i besueshëm dhe i verifikueshëm mund të hapë rrugën për shqyrtimin e heqjes së sanksioneve.
Von der Leyen kujtoi gjithashtu se qëndrimi i partnerëve perëndimorë mbetet i njëjtë: nuk do të ketë transferim fondesh dhe as lehtësim masash pa përmbushjen e kushteve të përcaktuara për Iranin.
Komentet e saj vijnë në një kohë kur vijojnë diskutimet për një marrëveshje më të gjerë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Ndërkohë, mediat iraniane raportojnë se Teherani kërkon lirimin e rreth 12 miliardë dollarëve asete të ngrira përpara nisjes së negociatave të detajuara për një marrëveshje të mundshme paqeje.
Qëndrimi i Bashkimit Evropian tregon se rruga drejt heqjes së sanksioneve mbetet e lidhur ngushtë me hapat që Irani do të ndërmarrë në periudhën e ardhshme.
Rruga Press

