Bota

Marrëveshja SHBA-Iran ul ndjeshëm çmimin e naftës në tregjet globale

Çmimet e naftës kanë rënë ndjeshëm dhe aksionet në bursa janë rritur pasi Shtetet e Bashkuara dhe Irani njoftuan marrëveshjen, në kuadër të së cilës do të hapet edhe Ngushtica strategjike e Hormuzit.

Kështu, nafta e papërpunuar ra me 4.7 për qind, në 83.24 dollarë për fuçi, ndërsa tregjet reaguan pozitivisht nga Evropa deri në Azi.

Në kontinentin e vjetër, treguesit në bursat e Gjermanisë dhe Francës u rritën me 1.7 për qind, ndërsa ai në bursën e Londrës me 0.6 për qind.

Treguesit në muajt e fundit kanë përjetuar luhatje, shpeshherë duke u rritur ose duke rënë ndjeshëm, në varësi të zhvillimeve në Lindjen e Mesme.

Lexo më shumë  Ursula von der Leyen mirëpret marrëveshjen SHBA–Iran

Nafta e papërpunuar, që përpara fillimit të konfliktit tregtohej me 70 dollarë për fuçi, arriti në 120 dollarë gjatë luftës.

Por këtë të hënë, tregjet aziatike u rikuperuan, teksa investitorët mirëpritën akordin. Kështu, bursa e Tokios u mbyll me treguesin në rritje prej 5 për qind, ndërsa ajo e Koresë së Jugut me 5.2 për qind.

Rajoni u prek jashtëzakonisht nga rritja e çmimeve të energjisë, pasi është tejet i varur nga nafta dhe gazi natyror i lëngshëm i Lindjes së Mesme.

Lexo më shumë  Izraeli thotë se nuk tërhiqet nga tokat e pushtuara në Liban, Siri e Gazë

Megjithatë, ekspertët financiarë kanë paralajmëruar se situata do të kërkojë kohën e saj për t’u rikthyer në nivelet e paraluftës.

Sipas tyre, në Ngushticën e Hormuzit ndodhet një numër i konsiderueshëm cisternash të bllokuara, që presin të përdorin kalimin detar.

Gjithashtu, rifillimi i prodhimit të naftës dhe ngarkimi i saj në anije mund të kërkojnë javë të tëra, çka do të thotë se përpara ndodhet ende një periudhë pasigurie dhe paqëndrueshmërie.

YouTube player