Lajme

Bashkëpunëtore e Ndraghetas, çmontohet banda shqiptare në Itali që trafikonte kokainë e heroinë

Shkatërrohet në Itali, grupi i trafikantëve shqiptarë që bashkëpunonte me mafien kalabreze Ndrangheta, për monopolin e trafikun e kokainës e heroinës në Abruzzo. Paratë e drogës pastroheshin në aktivitete sipërmarrëse lojëra fati, baste sportive, sallone automjetesh e lokale. Ky organizim kriminal akuzohet dhe për metoda mafioze e armë me të cilat zhvaste e mbante nën kërcënim sipërmarrësit e territorit.

Autoritetet e policisë e financës italiane të provincës së Chietit në rajonin e Abruzzo-s kanë ekzekutuar mëngjesin e sotëm një operacion antidrogë që ka çuar në shkatërrimin e një grupi trafikantësh shqiptarë me bazë në territorin e komunave Vasto e San Salvo.

Me urdhër të Prokurorisë së Antimafias së Aquilas, 150 forca policore me ndihmën e  trupave speciale, të policisë shkencore, drejtorisë së krimit ekonomik e financiar e repartit  ajror, kanë ekzekutuar 20 urdhër ndalimin, 18 në arrest me burg e 2 në arrest shtëpiak, ndaj personave anëtarë të grupit kriminal shqiptar nën akuzat e trafikut të lëndëve narkotike, organizim kriminal e armëmbajtje pa leje.

Lexo më shumë  Rusët i futen tregut të pronave në Shqipëri, zyra biznesi në zonat bregdetare

Operacioni i sotëm është vazhdim i operacionit të ekzekutuar më 2019 e i koduar Evelin.

Ky grup trafikantësh shqiptarë kishte marrë nën kontroll territorin pas ekzekutimit të operacionit Evelin, që çoi në shkatërrimin e një grupi tjetër shqiptarësh me të cilin ishin në rivalitet.

Trafikantët  kishin monolizuar  trafikun e tregjet e shitjes së kokainës dhe heroinës në territorin e Abruzzoz, duke përdorur dhe forcën e armëve.

Kanalet e mbërritjes së drogës ishin kryesisht në Kalabri, falë lidhjeve me mafian kalabreze në Vibo Valentia në Kalabri, si dhe klanet e tyre në Emilia Romagna, Puglia e Abruzzo.

Aktiviteti investigativ ka zbardhur  të njëjtin skenar të njohur tashmë nga antimafia italiane; anëtarë të një organizimi kriminal që investojnë paratë e fituara nga trafiku i drogës, në sektorin sipërmarrës, në lokale, në salla lojërash fati e baste sportive, sallone shitjesh automjetesh, aktivitetet e të cilave i përdornin dhe për pastrimin e kapitaleve të pista.

Lexo më shumë  “E pabesueshme, qesharake, absurde…”, reagimet ndaj deklaratës së Borrellit, se mezi pret të punojë me qeverinë e re të Serbisë

Materialet e përgjimeve telefonike, filmike, kanë dokumentar dhe metodat e zhvatjes e kërcënimit të dhunshëm që ky grup kriminal përdorte në mjaft lokale të zonës, duke pasur nën kontroll sistemin e sigurisë së tyre.

Ndaj disa prej personave të ndaluar rëndon dhe akuza e bashkëpunimit kriminal me metoda mafioze.

Operacioni u kodua me emrin “Blue Marine III”, që është dhe emri i lokalit në komunën San Salvo që frekuentohej nga anëtarët e këtij grupi kriminal. Materialet investigative përgjuese e filmike , të kryera pranë këtij lokali, ishin baza operative e hetimeve të këtij operacioni.

Rruga Press

YouTube player