Lajme

Banka e Shqipërisë: Kthehet interesi për licenca të reja në sektorin bankar

Prej vitit 2015, sektori bankar në Shqipëri ka ndjekur një proces konsolidimi dhe përqendrimi, me uljen e numrit të përgjithshëm të bankave nga 16 në 12. Këtë vit, ky proces do të vijojë me përthithjen e Alpha Banka Albania nga Banka OTP Albania, pasi marrëveshja e zyrtarizuar në dhjetor 2021 të marrë miratimet e nevojshme rregullatore.

Megjithëse në këto vite sektori ka pasur një tendencë të qartë drejt konsolidimit, interesi për marrjen e licencave të reja për aktivitet bankar nuk mungon. Një nga institucionet financiare jobanka që vepron në Shqipëri është e interesuar në parim për të hyrë në tregun bankar dhe ka zhvilluar sondazhe me Bankën e Shqipërisë lidhur me mundësitë për t’u licencuar. Në rrugë jozyrtare, Banka e Shqipërisë është përgjigjur se për momentin nuk është e prirur të lëshojë licenca të reja për banka tregtare dhe ka lënë të kuptohet se, në këtë fazë, vlerëson me prioritet konsolidimin e bankave ekzistuese në treg. Kriza e gjatë financiare dhe pandemia kanë theksuar më shumë nevojën për banka më të mëdha dhe më të forta, që të jenë në gjendje t’i përgjigjen kërkesave në rritje për kapital dhe zhvillimeve të mundshme negative në të ardhmen.

Licenca e fundit për një bankë të re në Shqipëri është dhënë në vitin 2006, ndërsa në vazhdim ndryshimet në strukturën e sektorit kanë ndodhur vetëm nëpërmjet shitblerjes së subjekteve ekzistuese.

Dokumenti kryesor që rregullon licencimin e bankave tregtare është ligji “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, që përcakton në mënyrë të detajuar kushtet dhe kërkesat që duhet të përmbushin subjektet e interesuara. Kriteret kryesore për miratimin e aplikimit janë që aksionerët e bankës të kenë reputacion të mirë, burim të ligjshëm të kontributeve në kapital, veprimtari të ligjshme të regjistruar dhe të kontrolluar dhe të kenë mundësi financiare për derdhjen e fondeve shtesë. Kritere të tjera janë ato të lidhura me ekzistencën e strukturave dhe të stafeve të kualifikuara, të një plani i biznesi real dhe konkurrues, etj.

Lexo më shumë  Asambleja Parlamentare e NATO-s miraton avancimin e statusit të Kosovës

Përveç parashikimeve të ligjit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar në vitin 2009 një dokument për politikat e licencimit të subjekteve bankare.

Sipas dokumentit, Banka e Shqipërisë, në procesin e licencimit, synon të ruajë përqasjen konservatore dhe të kujdesshme në funksion të licencimit të subjekteve bankare të shëndosha dhe të qëndrueshme. Dokumenti e bën të qartë se banka qendrore është e prirur t’iu japë prioritet subjekteve me eksperiencë të provuar në tregun bankar dhe kryesisht grupeve bankare nga tregjet e zhvilluara. Banka e Shqipërisë, pa cënuar parimin e barazisë dhe trajtimit të njëjtë dhe jodiskriminues të kërkesave për licencë bankare, në procesin e licencimit inkurajon hyrjen në treg të bankave të huaja me reputacion e besueshmëri të lartë, dhe që vijnë nga tregje të zhvilluara dhe të konsoliduara. Madje, në dokument, thuhet shprehimisht se “Banka e Shqipërisë do të jetë e vëmendshme në mënyrë që sistemi bankar të mos mbingarkohet me subjekte bankare të vogla, të cilat operojnë në një pjesë të kufizuar të tregut, pasi kjo mund të cënonte qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e sistemit.”

Një qasje e tillë është nxitur në vitet e fundit edhe nga institucionet partnere ndërkombëtare, si banka Botërore apo Fondi Monetar Ndërkombëtar, që kanë këshilluar shmangien e dhënies ose blerjes së licencave ekzistuese nga investitorë jo të specializuar.

Për sa i takon iniciativave të individëve apo bizneseve vendase pa përvojë bankare për të krijuar apo për të blerë pjesëmarrje influencuese në subjektet ekzistuese bankare, ata “inkurajohen të sigurojnë për këtë qëllim partneritet të qëndrueshëm në strukturën e kapitalit aksioner me institucione bankare që zotërojnë ekspertizë, besueshmëri dhe reputacion”. Një partneritet të tillë u detyrua të lidhte grupi Balfin, që për të marrë miratimin e blerjes së Tirana Bank formoi përkohësisht një bashkim investitorësh me bankën nga Maqedonia e Veriut, Komercijalna Banka.

Lexo më shumë  Konjufca takon ambasadorin Szunyog, diskutojnë për harmonizimin e ligjeve

Në vitet e fundit Shqipëria dhe rajoni në përgjithësi janë përballur me një valë largimi të shumë grupeve të mëdha bankare të Eurozonës, për shkak të efekteve që shkaktoi kriza e gjatë financiare dhe rritja e ndjeshme e kostove rregullatore. Në këtë proces, blerës kanë qenë kryesisht investitorë lokalë dhe rajonalë, me një përvojë më të pakët në sektorin bankar.

Banka e Shqipërisë ka treguar një lloj fleksibiliteti në ndryshimin e kontrollit mbi bankat ekzistuese, duke i hapur rrugë blerjeve të Tirana Bank nga grupi Balfin apo të UBA nga kompania e sigurimeve Eurosig. Por, në dhënien e licencave të reja ajo po bën të qartë se do të ndjekë një politikë konservatore dhe do të jetë e vështirë t’iu hapë rrugën investitorëve pa eksperiencë të gjatë dhe kapacitete të mëdha financiare. Në stadin e tanishëm të zhvillimit të tregut bankar shqiptar, grupet e huaja bankare janë më të prirura për të hyrë në treg përmes blerjes së bankave ekzistuese, sesa duke ngritur banka të reja.

Për këtë arsye, duket se do të jetë e vështirë që në afatin e shkurtër numri i bankave tregtare në Shqipëri të rritet përsëri. (monitor)

YouTube player