Bota

Arma ruse e propagandës

E ndez televizorin dhe shikon kanalet shtetërore ruse, të premten pasdite, dhe nuk do të shohësh pak lajme se raketat e shtetit rus po godasin kryeqytetin e Ukrainës.

E kundërta, makineria propagandistike shtetërore është mobilizuar që të paraqesë pushtimin moskovit si fushatë defensive për të “çliruar” Ukrainën, duke u përqendruar më shumë në të ashtuquajturën mbrojtje të Donbasit, që kinse po sulmohet nga Kievi.

“Situata jonë është shqetësuese. Armiku po sulmon pozicionet tona, dhe është duke hyrë në shtëpitë e civilëve”, ka thënë Leonid Pasechnik, lider i republikës së vetëshpallur në Luhansk, për kanalin “Rossiya-24”.

Një shirit “breaking news” në “Channel One” thoshte se “Ukraina ka lëshuar raketa mbi republikën popullore të Donetsk në shtatë minutat e fundit”.

Lajmet shtetërore ruse kryesisht ndjekin narrativin e Vladimir Putinit mbi luftën, të cilin ai e shpalosi mëngjesin e së enjtes, në adresimin e tij, kur edhe lajmëroi për një “operacion special ushtarak” për “demilitarizim” të Ukrainës dhe për të mbrojtur banorët e Donbas ndaj të cilëve ai thotë se ushtrohet “gjenocid” ukrainas.

Gjatë mëngjesit të së premtes, sulmi rus ndaj kryeqytetit ukrainas thjesht mohohej.

“Kievi, si qytet ku jetojnë civilë, nuk është bombarduar nga askush. Nuk ka pasur asnjë lloj terrori aty, as udhëzime për të shkaktuar një gjë të tillë”, tha eksperti i “Channel One”, Artyom Sheinin, të premten, duke kontradiktuar hapur një mori raportimesh që tregojnë të kundërtën.

Gjersa bëhet gjithmonë e më e vështirë për mediat shtetërore për të mohuar pushtimin gjithëpërfshirës në territorin e Ukrainës, disa kanale kanë filluar që t’i paraqesin ushtarët rusë si liberatorë të shumëpritur.

“Njerëzit në qytetin e Kharkivit kanë vetëm një problem me ushtrinë ruse: ‘Pse u vonuat kaq shumë?’”, tha Olga Skabeyeva, një nga prezantueset televizive më të njohura të vendit.

Lexo më shumë  SHBA-ja ka dërguar fshehurazi në Ukrainë raketa me rreze të gjatë, thonë zyrtarë amerikanë

Gjatë intervenimit ushtarak rus në Siri më 2015, shikuesve u shfaqeshin shpesh imazhe të avionëve ushtarakë teksa shkatërronin objektivat e tyre. Evitimi i tyre për të shfaqur imazhe të tilla shërben si shenjë që autoritetet ruse janë të vetëdijshme për shqetësimin e thellë të popullit me konfliktin.

Televizioni vazhdon të mbetet burimi kryesor i lajmeve për rusët, edhe pse në dekadat e fundit besueshmëria në të ka rënë. Anketat në të kaluarën kanë treguar se 62 për qind e popullsisë thonë se lajmet i marrin prej televizionit. Por anketat gjithashtu tregojnë se shumica e njerëzve nën moshën 40 vjeçare preferojnë të marrin lajmet online ose nëpërmjet mediave sociale.

Pavarësisht ndërhyrjes së shtetit në mediat ruse, lexuesit ende mund të zgjedhin të lexojnë në disa burime të pavarura të cilat kanë raportuar drejt përfshirjen e shtetit në luftë, duke përfshirë edhe platformën e famshme online “Meduza” dhe kanalin televiziv “Dozhd” – të cilët së fundmi të dyja janë shpallur si “agjentë të huaj”.

Ata që mund të lexojnë në gjuhën angleze kanë ende qasje në shtypin e huaj, dhe ka ende shumë kanale të pavarura të njohura të administruara nga gazetarë që janë kthyer në blogerë.

Për dallim nga WhatsApp, aplikacioni me mesazhe të koduara Telegram i lejon përdoruesit që të “ndjekin” ngjashëm me Twitterin, i cili përdoret vetëm nga 3 për qind e popullsisë. Alexei Pivovarov, një gazetar veteran rus, administron një faqe me gati 500 mijë ndjekës, duke grumbulluar lajme të pavarura mbi luftën, nga Rusia, Ukraina dhe Perëndimi.

Faqe të tjera janë më të opinionuara. Duke komentuar mbi një deklaratë të fundit nga Kremlini zyrtar, Valentina Matviyenko, e cila doli në mbrojtje të pushtimit duke thënë se “ishte mënyra e vetme për të ndalur një luftë vëllazërore”, përdoruesi i Telegramit, Stalingulag, shkroi për 300 mijë ndjekësit e tij: “Kjo është plotësisht oruelliane, lufta është paqe, liria është skllavëri”.

Lexo më shumë  Paketa amerikane 61 miliardëshe, Zelensky: SHBA është fener i demokracisë

Ka shenja që Kremlini do të mundohet të monopolizojë mënyrën se si rusët perceptojnë ngjarjet në Ukrainë, duke censuruar burimet e pavarura që raportojnë mbi luftën.

Të enjten, vrojtuesi i mediave ruse, Roskomnadzor, kërkoi që mediat ruse të citojnë vetëm “informata dhe të dhëna zyrtare” gjatë mbulimit të konfliktit. Vrojtuesi tha se burimet të cilat nuk i binden këtij urdhri do të bllokohen menjëherë.

Ngjashëm, Rusia më parë ka kërcënuar se do të bllokojë të paktën 10 burime lajmesh nëse nuk i fshijnë raportimet e tyre të video-hulumtimeve nga kritikuesi i Kremlinit, i burgosuri Alexei Navalny. Shumica e tyre iu bindën këtyre urdhrave.

Transmetuesi shtetëror RT – i cili deri tani ka përsëritur të njëjtat tema të luftës që janë transmetuar në televizionin shtetëror rus – ka filluar të shfaqë shenja se stafi është rehat me mbulimin e luftës nga ky rrjet.

Të paktën një anëtar i stafit të RT-së në gjuhën angleze, dhe një analist i shpeshtë i RT-së në Moskë, kanë dhënë dorëheqje këto ditë për shkak të pozicionit të redaksisë mbi luftën, mëson “The Guardian”.

“Për shkak të ngjarjeve të fundit, sot kam dhënë dorëheqje të menjëhershme nga RT”, ka shkruar të enjten në Twitter, Jonny Tickle, autor i mëparshëm i lajmeve për RT në Moskë.

Korrespodenti i rregullt i cili ka dhënë dorëheqje tha, me kusht anonimiteti, se një “eksod i stafit” veçse ka ndodhur në kanal.

“Një numër njerëzish veçse e kanë lënë punën – dhe shumë të tjerë po mendojnë të njëjtën gjë.”

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *