KryesoreLajme

Arben Taravari shpall kandidaturën për president të Maqedonisë së Veriut

Kryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari, shpalli kandidaturën e tij për president të Maqedonisë së Veriut për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 24 prill dhe 8 maj.

Taravari shpalljen e kandidaturës e bëri më 15 shkurt në qytetin e Gostivarit të Maqedonisë së Veriut.

Ai do të jetë kandidat i koalicionit të opozitës shqiptare, Lidhjes Evropiane për Ndryshim (LEN). Ky koalicion përbëhet nga Lëvizja Besa, Alternativa, Lidhja Demokratike, njëri krah i Aleancës për Shqiptarët (ASH) dhe mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet në Kosovë.

Kandidatura e Arben Taravarit është diskutuar edhe më 30 janar në Prishtinë, gjatë një takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe katër udhëheqësve të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Lexo më shumë  Publikon pamjet – ministri Çeku tregon se si do të duket Teatri i ri Kombëtar

“Është privilegj të kem besimin e kaq shumë faktorëve. Është përgjegjësi të jem i zgjedhuri dhe i besuari i tyre. Është mision të jem zëri juaj…Ne kemi mundësinë që diversitetin e vendit tonë ta shndërrojmë në artin e bashkëjetesës dhe harmonisë. Ndryshimi ka nisur dhe kjo tashmë shihet”, tha Taravari para drejtuesve të opozitës shqiptare, ku ishte i pranishëm edhe Bekim Qoku, këshilltar i kryeministrit Kurti.

Arben Taravari aktualisht është kryetari i Komunës së Gostivarit. Ai tha se pret që në zgjedhjet presidenciale të ketë mbështetjen e të gjitha etnive në Maqedoninë e Veriut.

“Unë do të kërkoj mbështetje nga të gjitha partitë politike, përfshirë edhe partitë tjera shqiptare, maqedonase, boshnjake, turke, rome dhe të të gjithë atyre që vlerësojnë se unë jam njeriu që duhet të udhëheq shtetin”, theksoi Taravari.

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut u shpallën një ditë më parë nga kreu i Kuvendit, Jovan Mitrevski.

YouTube player