EditorialKryesore

Antipolitika në pushtet dhe fantazma e konservatorizmit

Nga Pavjo Gjini

Ideologjia të zgjedh më shumë sesa e zgjedh… Për shembull, ideja se çdo individ e zgjedh lirshëm bindjen e tij politike në pamje të parë duket se është një konstatim i çliruar nga çdo lloj influence ideologjike, mirëpo nëse reflektohet pak më gjatë se cila ideologji e mbështet më së shumti këtë ide, del se kjo bindje kinse neutrale është ndër më karakteristiket e liberalizmit. Bindja se njësia fillestare e analizës është individi i cili zgjedh lirshëm aderimin e tij shoqëror është diçka të cilën ideologji të tjera si konservatorizmi apo komunizmi për shembull nuk e ndajnë.


Në këto kushte mbipërcaktimi ideologjik, hapi i duhur edhe pse veç fillestar ndaj ideologjisë nuk është ai i mohimit të plotë të saj (nuk ka gjë më neoliberale sesa konstatimi i 30 viteve të fundit se ideologjitë kanë vdekur), por bërja permanente e llogarive se ku jeta jonë e përditshme, kornizat shoqërore brenda të cilave zgjedhim dhe qasjet që kemi ndaj këtyre kornizave përcaktohen nga familja, krahina, pozicioni aktual shoqëror, gjinia, orientimi seksual, subjekti politik që mbështet, ngrehina juridike dhe prirjet botërore. Kritika e ideologjisë si njësi fillestare analize ka organizimin e bindjeve shoqërore dhe jo bindjet individuale. Bindjet individuale nuk janë për t’u marrë të mirëqena, por për t’u parë se prej nga janë mbipërcaktuar.


Kështu që nëse të pyesin se çfarë bindjesh politike ke teksa po drejton një institucion në të cilin të ka emëruar një kolektiv me bindje të majta dhe ti refuzon të pranosh se ndan të njëjtën bindje me atë kolektiv, sigurisht që pozicioni neurotik në të cilin gjendesh nuk është thjesht neurozë e jotja, por e të gjithë kolektivit. Ti thua se bindjet ideologjike t’i influencojnë revistat shkencore peer-review, mirëpo as ti, as kolektivi dhe as politika nuk jemi projekt shkencor, por politiko-shoqëror. Shkenca në pamje të parë të mbulon nga përcaktimi ideologjik, mirëpo në fakt zbulon më shumë sesa mbulon. Esenca domosdoshmërisht shfaqet. Nëse them teksa jam në politikë se për orientim në punët e saj i zë besë vetëm komunitetit shkencor, nëse them se dua shkencën dhe jo politikën, është si të them se jam antipolitik. Kjo antipolitikë është një lloj politike e cila i shkon shumë përshtat qasjes neoliberale.


Deri në 2008 në fushën e politikës ky personazh konceptual antipolitik ishte në pushtet në botën perëndimore. Në variantin ideal vinte nga një subjekt politik majtist dhe implementonte të gjitha reformat neoliberale djathtiste duke ia hapur fushën e veprimit brenda institucioneve shoqërore dhe shtetërore forcave mbizotëruese të tregut. Prejardhja e tij majtiste shërbente si ilustrimi shembullor i vdekjes së çdo lloj majtizmi apo përkatësie ideologjie alternative. Mirëpo pas krizës financiare të 2008 këta ish-të majtë neoliberalë vazhduan të ndjekin misticizmat e likuidimit të politikës nga shoqëria dhe ekonomia. E majta alternative ndaj saj që pati mundësinë të lindte, e shtyrë nga kriza financiare, protestat e 2011 në një pjesë të madhe të perëndimit dhe pranvera arabe, dështoi të bëhej mbizotëruese në format e Sirizas, Podemosit, Laburistët, Sanderistët e të ngjashëmve të tyre. Dhe pikërisht ngaqë kjo e majtë e re nuk ia doli, tashmë në fushën e politikës personazhi konceptual në pushtet është Trumpi. Nëse na duket shumë larg mendo shpërndarjen e pamatë të diskursit të Berishës në trojet tona.
Aderimi në shkencë dhe refuzimi i politikës, ia dorëzon politikën këtij lloj rivali. Rivali e ka vënë përpara situatën duke i interpretuar pakënaqësitë me liberalizmin si shenja se atë e kanë marrë peng të majtët. Meqë majtizmi nuk duket gjëkundi konservatori trillon komplotin se nuk duket pikërisht ngase është i mbuluar.

Lexo më shumë  Eurodeputetja holandeze reagon pas ndalimit të shtetasve të Kosovës në Serbi

Pakënaqësitë me kapitalizmin oligarkik, i cili për disa si Varufakis është shndërruar në një tekno-feudalizëm, i interpreton jo si probleme strukturore të tij, por si shenja se atë e kanë marrë peng lojtarë të përveçëm të tij si Sorosi e të ngjashëm. Ndërsa nevojën për solidaritete botërore për të përballuar krizat botërore si pandemia dhe ngrohja globale i interpreton si komplote të komunizmave stalinistë. Kështu ky kompleks konservatoro-konspiracionist teksa sheh një axhendë të vetme kudo ka përfunduar të jetë e vetmja axhendë ne terren, në kuptimin e të vetmes fabul që ua kuptimëson jetën qytetarëve, e të vetmes fabul që i adreson pasiguritë e rezentimentet e tyre në mënyrë të pervertuar. Pasigurinë radikale që ndjejnë nga mënyra sesi funksionon kapitalizmi bashkëkohor, gjendjen e plotë të shpronësimit që kanë nga çdolloj vendimmarrje dhe ndjenjën e të qënit objekte të politikave të forcave të mëdha që nuk arrijnë t’i penetrojnë dhe drejtojnë, kjo fabul konservatoro konspiracioniste ua rikuptimëson duke i shndërruar ata në subjekte të denja për fabula, subjekte të denja për t’u manipuluar dhe subjekte të denja për të dyshuar. Dhe terreni i ka mbetur i lirë këtij kompleksi post-industrial konservator meqë të gjitha forcat e tjera të mëdha flasin gjuhën e sistemit, gjuhën e establishmentit, kërkojnë të besohet ende në të dhe mbahen pas idesë se gjërat duhet të mbahen gjallë ashtu siç janë veç të rregullohen pak më mirë duke vendosur individë qelibarë në krye të institucioneve, një fabul kjo e cila menjëherë të identifikon me establishmentin.

Lexo më shumë  Sveçla: Dejan Jankoviq është dërguar në paraburgim për 48 orë


Kur sillemi si ky personazh antipolitik që ishte në pushtet deri në 2008 refuzojmë ta shohim të tatëpjetën. Na pëlqejnë shifrat, na e ka qejfi të na duket vetja matematicienë që dimë t’i masim me saktësi shkencore jetët e njerëzve si të ishin numra. Kjo qasje na vendos tepër afër neoliberalit pikërisht ngase mohon çdolloj aderimi ideologjik. Kur mbajmë këtë qasje besojmë dëshpërimisht te progresi, numrat na duken gjithnjë në rritje, drejt një pafundësie të keqe do thoshte Hegeli. Në instancë të fundit, kur mbajmë këtë qasje duam të mbajmë në këmbë të njëjtin model ekzistues, veç për të treguar se ne dimë ta drejtojmë më mirë atë se të gjithë të tjerët para nesh; ta shohim teksa falë nesh rritet në renditje botërore për nga suksesi. Madje edhe atë pak bukë të përditshme që rishpërndajmë sot na duket tepër majtas sipas kësaj qasjeje antiideologjike. Mirëpo këtë e bëjmë për nga sentimentalizmi politik dhe jo për nga ideologjia.


Meqë nuk ia vë veshin ideologjisë, ky personazh konceptual nuk e di se nuk është në pushtet në ideologjinë e përditshme të qytetarëve. Madje do habitet shumë shpejt kur njerëzit, sidomos ai prekariati riosh që aq shumë do ta formalizojë, ta shohin si një oportunist të një establishmenti të vjetër (edhe pse atij i duket vetja i freskët), establishment i cili nuk është agjendë e popullit të tij. Kritika e ideologjisë do t’i bënte punë t’i kuptonte këto qorrsokaqe dhe të mendohej më gjatë kur të mendohej e të fliste. Mirëpo kjo me kushtin që edhe vetes t’i qasej si objekt studimi dhe jo ta mendojë veten si i vetmi subjekt që sheh veç të tjerët si objekte, objekte të politikave të tij.


Prej dekadës së kaluar dhe deri më sot tema kyçe në politikën perëndimore (dhe këtu ne shqiptarët tashmë jemi bërë perëndimor tepër perëndimor) është se çfarë ia hapi fushën e veprimit klaneve konservatoro-konspiracioniste (KKK). Dhe për t’iu përgjigjur kësaj teme urgjente, kurdo paçim takat, personazhi konceptual në fjalë, antipolitiku që ndjek shkencën, do kontribuojë më shumë si objekt për t’u shpjeguar sesa si subjekt shpjegues. Nevoja për narrativa dhe fabula nuk ka të sosur.

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *