Lajme

Ambasadori gjerman: Kosova ta përgatitë draftstatutin e Asociacionit

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Jorn Rohde, ka thënë se Kosova duhet ta përgatitë draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një deklaratë për media pas takimit që të martën e ka zhvilluar me anëtarët e Komisionin parlamentar për punë të jashtme dhe diasporë, ai ka thënë se vizioni nuk është draft.

“Drafti më i mirë mund të përgatitet nga Kosova për Kosovën. Një vizion nuk është draft. Çka na duhet është një draft nga Kosova shumë shpejt, të shohim se çfarë idesh konkrete ka për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe. Ky, mendoj që është obligim i Kosovës për ta sjellë përpara këtë proces”, është shprehur Rohde pas interesimit të gazetarëve.

Lexo më shumë  I arratisuri Sekiraqa është strehuar në Hotelin e Radojçiqit në Kopaonik të Serbisë

Ekipi menaxhues, i përbërë nga anëtarë serbë, më 2 maj në Bruksel prezantoi një draftstatut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por ai u hodh poshtë nga institucionet e Kosovës, nën arsyetimin se përmbajtja e tij ishte antikushtetuese.

Ndërkohë që para dy javësh kryeministri Kurti ka paraqitur vizionin e tij për zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes bazike, i cili bazohet në modelin që Kroacia e aplikon për serbët. Përpos që në të theksohet se Asociacioni duhet të burojë nga autorizimet e konventave të Këshillit të Evropës, sipas tij, ai duhet t’u ofrojë pjesëtarëve të komunitetit serb mundësinë për të promovuar dhe mbrojtur interesat e veta përmes një kornize vetëmenaxhimi.

Lexo më shumë  Ministrja e Katarit e fton ministrin Murati të nënshkruajë një memorandum bashkëpunimi për projekte të përbashkëta

Vizioni i prezantuar nga kryeministri Kurti bazohet në modelin e Këshillit Nacional të Serbëve në Kroaci (SNV). Sipas faqes zyrtare, Këshilli Kombëtar Serb (KNS) “është organ politik, këshillues dhe koordinues i zgjedhur në mënyrë demokratike që vepron si vetëqeverisje e serbëve në Republikën e Kroacisë lidhur me çështjet e të drejtave të tyre civile dhe kombëtare, si dhe çështjet e identitetit, pjesëmarrjes dhe integrimit të tyre në shoqërinë kroate”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *