Lajme

Abdullahu: Raporti Rama-Vuçiq s’prodhon trashëgimi politike që do të kultivohet

Historiani Durim Abdullahu ka vlerësuar se raportet e mira mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk do të prodhojnë trashëgimi politike për shtetet përkatëse kur të dy liderët nuk do të jenë më në pushtet.

Gjatë vizitës së sotme të Ramës në Beograd, Vuçiqi në konferencë për media ka deklaruar se “kemi nisur ta ndryshojmë trashëgiminë e keqe politike me Shqipërinë”.

Megjithatë, Abdullahu më shumë i sheh si raporte të mira mes të dy liderëve sesa raporte të përmirësuara mes Shqipërisë dhe Serbisë. Guri i provës, siç thotë historiani, do të jetë pasi këta të dy nuk do të jenë më në pushtet.

“Ata edhe mund të kenë nisur ta ndryshojnë këtë raport të keq, por ndryshimi nuk nënkupton gjithmonë ndryshim të mirë. Besoj më shumë është ndryshim që lidhet me raportet e këtyre liderëve që në periudha të ndryshme i kemi parë shumë të afërt. Kur këta të dy të mos jenë në krye të shtetit, është guri i provës nëse marrëdhëniet mes shteteve përkatëse janë përmirësuar. Unë nuk besoj se marrëdhëniet mes Ramës dhe Vuçiqit kanë prodhuar trashëgimi politike që mund të kultivohet edhe më tutje kur këta dy të mos jenë në pushtet në shtetet përkatëse”, ka thënë Abdullahu në “Interaktiv” të KTV-së.

Lexo më shumë  Në letrën drejtuar kreut të OKB-së, të rinjtë nga Serbia ekspozuan gënjeshtrat e regjimit të Vuçiqit dhe mbështetën rezolutën për Srebrenicën

Si qasje arbitrare për të hyrë më thellë në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, Abdullahu e ka konsideruar propozimin e Ramës për draftstatutin e Asociacionit. Sipas tij, kryeministri i Shqipërisë po përpiqet të tregojë një lloj shqiptari ndryshe.

“Kur ndërhyrja vjen prej shteteve të tjera, është përpjekje për të luajtur rolin e tyre në diplomacinë ndërkombëtare. Kur vjen prej Tiranës, sidomos në formën qysh ka ardhur pa një konsultim me Qeverinë e Kosovës, është qartë qasje arbitrare për të hyrë më thellë në krejt marrëdhëniet Kosovë – Serbia, dhe për ta shtyrë përpara atë dimension që Rama është munduar vazhdimisht t’ia mvesh profilit të tij politik prej lideri, që është dimension përtej kufijve të Shqipërisë. Është dimension i cili është përtej kufijve të Shqipërisë. Një dimension i cili nuk shkon vetëm për shqiptarët jashtë Shqipërisë, që dorën zemër nuk ka treguar kujdes për shqiptarët në Luginë e Maqedoni, por më shumë është përpjekje për të treguar një lloj shqiptari ndryshe që të merret vesh me të gjithë, edhe me Vuçiqin”, ka thënë Abdullahu.

Lexo më shumë  Musliu: Shumica e mediave serbe kontrollohen nga Beogradi, pavarësisht se ku veprojnë

Rruga Press

YouTube player