Bota

Dora greke nuk u zgjat për emigrantët që po fundoseshin

Dy refugjatë sirianë kujtojnë udhëtimin e tyre të vështirë dhe fajësojnë rojat bregdetare greke për fundosjen e anijes.

Kur anija e mbingarkuar u nis nga Libia, muajin e kaluar, rreziku qe i qartë për Ahmedin*, sirian 21-vjeçar. “Anija ishte shumë e rëndë”, thotë ai. “Ne ishim të ulur pranë njëri-tjetrit dhe kishte një frikë të vazhdueshme që do të fundoseshim”.

Në anijen e kaltër të braktisur, që do të bëhej shpejt titull ndërkombëtar, ai pa rreth 750 njerëz të mbledhur së bashku, sup më sup, në pamundësi për të lëvizur. Ata të gjithë shpresonin të arrinin në Evropë.

Ahmedi u largua nga Siria me mikun e tij Mohammedin*, 23 vjeç. Të dy kërkuan të përdornin pseudonime pasi që kishin frikë që Qeveria greke do t’i ndëshkonte, sepse folën për atë që panë atë natë.

Ata janë dy nga 104 të mbijetuarit e fundosjes së anijes në brigjet e Pylosit, Greqi. Shtatëdhjetë e tetë persona u konfirmuan të vdekur.

Ashtu si qindra njerëz të tjerë në bord, shoqëruesi i tyre i tretë, kushëriri i Mohammedit, nuk u gjet kurrë.

Rruga e tyre drejt Mesdheut qendror qe e gjatë. Ahmedi dhe Mohammedi thanë se u larguan nga shtëpia duke shpresuar për një të ardhme pa dhunë.

Udhëtimi i tyre i çoi në Liban, pastaj në Egjipt dhe Libi.

Ata kaluan rreth një muaj në Libi, ku kontrabandistët i mbanin të mbyllur në një apartament me egjiptianë, pakistanezë dhe sirianë të tjerë që po ashtu po udhëtonin.

Mohammedi thotë se kontrabandistët rrihnin egjiptianët dhe pakistanezët, i shanin dhe fyenin vazhdimisht.

Më në fund, në ditët e para të qershorit, atyre u thanë: “Sot do të niseni”.

Ata u nisën me kamionë drejt bregdetit, hipën në varka të vogla dhe pastaj u vendosën në një anije peshkimi, e quajtur Adriana, në ujërat më të thella.

“Ata rrihnin njerëzit”, rrëfen Ahmedi.

“Ata i rrihnin teksa i çonin në kuvertën e poshtme të anijes … Atje poshtë ishte shumë keq. Vinte era naftë dhe peshk. Nuk mund të merrje frymë”.

Ahmedi dhe shokët e tij paguan ryshfet prej 200 dollarësh për të zënë një vend në kuvertën e sipërme. Por kudo që pasagjerët uleshin, ata ishin të ngjeshur me njëri-tjetrin. Gratë dhe fëmijët mbaheshin poshtë. Nga vendi i tyre i ngushtë në kuvertën e sipërme, të rinjtë mund të shihnin detin.

Humbja e vetëdijes

Gjatë ditës së dytë të lundrimit, motori i anijes filloi të prishej. “Ata e riparonin dhe pas një kohe, prishej përsëri”, thotë Mohammedi. “Sa herë që e riparonin, pas dy-tri orësh ndalonte sërish”.

Pas ditës së dytë në det, nuk kishte më ushqim dhe ujë. Paniku filloi të përfshinte anijen. “Njerëzit filluan të humbnin vetëdijen”, shton Ahmedi.

“Ata binin në tokë. Ju binte të fikët. Disa dridheshin. Ne shihnim dhjetëra, qindra njerëz në atë gjendje”. Ata dëgjuan se zënkat po shpërthenin në të gjithë anijen për shkak të urisë, etjes dhe frikës. “Unë, Ahmedi dhe i afërmi im, i cili tani është i zhdukur, përpiqeshim gjithmonë të mos humbnim shpresat”, thotë Mohammedi. “Kur dikush qante, bënim shaka. “Do t’ia dalim”, thoshim me vete. Por të gjithë po çmendeshin”. Në ditën e katërt, ata dëgjuan lajmet shqetësuese.

Lexo më shumë  Eurodeputeti Picula: Serbia dëshiron ta kompensojë humbjen e Kosovës duke rritur ndikimin e saj në Mal të Zi e BeH

“Disa njerëz që vinin nga poshtë thanë: ‘Ka njerëz të vdekur atje poshtë’”, rrëfen Ahmedi. “Ata thanë se kishte gjashtë trupa të pajetë në anije. Pesë trupa ishin poshtë, dhe ne nuk i pamë. Njëri ishte në kuvertën e sipërme. Atë e pamë”.

Ahmedi dhe Mohammedi thanë se udhëtarët filluan të telefononin autoritetet italiane dhe rojat bregdetare greke për të kërkuar ndihmë. “Duke filluar nga dita e katërt e tutje, roja bregdetare greke ishte në dijeni për ne”, thotë Mohammedi.

Në ditën e pestë, më 13 qershor, ata thanë se dukej sikur “Adriana” kishte ndaluar së lëvizuri plotësisht. Pasdite, një helikopter u pa në qiell.

Udhëtarët nuk e kuptonin dot nga kuverta, por ishte roja bregdetare greke. Pasdite, një dhe më pas një anije tjetër tregtare kaluan afër “Adrianas”.

Njerëzit thoshin: “Na merrni me vete”. Ata thoshin, “Jo”, thotë Mohammedi. “Ne kërkuam ndihmë, por ata refuzuan të na ndihmonin”.

Një anije e rojës bregdetare greke më në fund iu afrua anijes së peshkimit rreth mesnatës, në minutat e parë të 14 qershorit, thanë shokët. “Na ndiqni”, na thanë. “Ne i ndoqëm”, shton Mohammedi. “Gjysmë ore më vonë, anija jonë ndaloi plotësisht. Nuk mund të lëvizte. Ata u kthyen dhe na lidhën në anijen e tyre”.

Ahmedi dhe Mohammedi thanë se roja bregdetare filloi të tërhiqte anijen e tyre që kishte ngecur, por ajo mori një kthesë të fortë dhe “Adriana” u shkund majtas, pastaj djathtas dhe më pas u përmbys.

“Ata ishin pranë nesh kur u përmbys. Në momentin që u fundos, ata u larguan nga ne. Ata qëllimisht na fundosën”, thotë Mohammedi. “Ne ishim në majë të anijes dhe mund të shihnim gjithçka qartë”.

Të hedhur në Detin e errët Mesdhe, qindra njerëz u përpoqën të gjenin diçka për t’u mbajtur, një mënyrë për të mbijetuar. “Njerëzit mbaheshin tek unë”, thotë Ahmedi.

“Notoja nën ujë dhe largohesha nga njerëzit. Sa herë që ikja, hasja dikë tjetër dhe ata prapë mbaheshin për të shpëtuar veten”.

Pas një ore e gjysmë, Ahmedi thotë se vuri re një anije të rojës bregdetare dhe notoi drejt saj.

“Ata ishin 200 ose 300 metra larg nesh”, tregon ai. “Unë notova drejt tyre dhe hipa në anije. Nuk na u afruan për të na shpëtuar. Ata qëndronin larg dhe vetëm ata që dinin të notonin shkonin drejt tyre, si unë”.

Pasi arriti në anijen e rojës bregdetare, Ahmedi u ribashkua me Mohammedin. Të dy u përqafuan me njëri-tjetrin, të tronditur dhe të gëzuar që e gjetën njëri-tjetrin.

Filluan të pyesnin për shokun e tyre të tretë. Ai nuk ia kishte dalë dhe ata e kuptuan se sa i paplotë ishte lehtësimi i tyre.

Të mbijetuarit u nxorën në breg. Mohammedi rrëfen se kur u mbajtën për herë të parë në qytetin grek të Kalamatas, autoritetet erdhën për të marrë dëshminë e tij për tragjedinë tri ose katër herë.

“Kur u treguam se na kishin tërhequr me litar, ata ndaluan”, thotë ai. “Ata thoshin se problemi ishte tek anija jonë. Ata i shkruan deklaratat tona me fjalët e tyre. Ata nuk e shkruanin atë që thamë. Na bënin ta themi dhe ta shkruajmë”.

Lexo më shumë  Ligji për “agjentë të huaj” para Kuvendit të Republikës Sërpska më 22 maj

Ahmedi thotë se asnjë zyrtar nuk e ka marrë ndonjëherë dëshminë e tij.

“Vakumi i dëshmive”

Të dy burrat janë tani në kampin e refugjatëve, Malakasa, 40 kilometra në veri të Athinës. Janë në pritje të shqyrtimit të kërkesave të tyre për azil. Mohammedi dëshiron të dijë se çfarë ka ndodhur me kushëririn e tij, edhe nëse ai lajm është konfirmim se ka vdekur.

Rrëfimet e Ahmedit dhe Mohammedit kundërshtojnë rrëfimin e rojës bregdetare greke që kanë deklaruar se udhëtarët e “Adrianas” refuzuan ndihmën, se ajo ishte e palëvizshme vetëm për rreth 20 minuta para se të përmbysej dhe se roja bregdetare nuk e kishte tërhequr anijen përpara se të fundosej.

Dëshmitë e të mbijetuarve përputhen me prova të tjera.

Faqja hetimore greke, Solomon, ka publikuar emailet që tregojnë se autoritetet greke ishin njoftuar se anija ishte në rrezik nga ora 06:00 pasdite (15:00 GMT) e datës 13 qershor. Të dhënat gjurmuese të publikuara dhe verifikuara nga BBC-ja dhe “The New York Times” tregojnë po ashtu se anija nuk ka lëvizur për të paktën shtatë orë para se të përmbysej.

Kur u pyet për të komentuar mbi pretendimet se roja bregdetare tërhoqi anijen dhe ishte përfshirë në fundosjen e anijes, Ministria Greke e Çështjeve Detare dhe Politikës Ishullore i tha Al Jazeeras: “Informacioni i kërkuar është pjesë e procedurës së hetimit që po kryhet nën konfidencialitet të rreptë bazuar në udhëzimet e dhëna nga prokurori i Gjykatës së Lartë. Lidhur me detajet e planit të operacionit të rojës bregdetare helene, nuk mund të bëhen komente të mëtejshme nga shërbimi ynë”.

Gishtat janë drejtuar drejt rojës bregdetare greke si për fundosjen e anijes ashtu edhe për numrin e madh të viktimave.

“Është evidentuar se roja bregdetare helene përdor një sërë taktikash për të zhvendosur anijet në zona të tjera territoriale në mënyrë që të shmangin përgjegjësinë për kërkimin, shpëtimin dhe paraqitjen e kërkesave të tyre për mbrojtje ndërkombëtare”, thotë Hope Barker, analiste e politikave në Rrjetin e Monitorimit të Dhunës Kufitare.

Organizata po bën thirrje për një hetim të pavarur dhe që “Frontex”, Agjencia Kufitare e Bashkimit Evropian të tërhiqet nga Greqia.

“Shkeljet e të drejtave themelore nga rojat bregdetare helene janë operacione rutinë dhe të sistematizuara, të cilat kanë rezultuar se janë të nënhetuara nga shteti grek. Ekziston një vakum përgjegjësie që lejon që këto veprime të vazhdojnë pandërprerë”, thotë Barker.

Në Malakasa, Mohammedi rrëfen se nuk mund të ndalet së menduari për momentin kur anija u përmbys dhe për britmat e njerëzve përreth tij. Ai nuk e di se si mbijetoi.

“Unë thërrisja emrat e Ahmedit dhe kushëririt tim”, tregon ai. “Në atë moment dëgjova një zë që thërriste: “Nënë! Nënë!’ E pyeta atë person për emrin dhe ai më tha: “Fuat”. “Ai dhe unë i treguam njëri-tjetrit emrat tanë, në mënyrë që cilido prej nesh që do të mbijetonte, të mund t’ia çonte lajmin familjes së tjetrit”.

*Emrat e përdorur në tekst janë pseudonime.

Rruga Press

YouTube player