A po përgatitet regjimi i Vuçiqit ta shpallë lëvizjen studentore “terroriste”?
Shkruan The Geopost
Revista serbe Vreme ka ngritur shqetësime për atë që e cilëson si rritje të represionit ndaj studentëve, analistëve, ekspertëve dhe gazetarëve kritikë ndaj pushtetit në Serbi, duke paralajmëruar se në qarqe të afërta me regjimin mund të ekzistojnë plane për diskreditimin ose edhe ndalimin e lëvizjes studentore.
Gazetari Nedim Sejdinoviq analizon zhvillimet pas skandalit për përdorimin e një topi zanor gjatë protestave në Beograd, si dhe reagimet e institucioneve dhe mediave pranë pushtetit.
Sipas tij, mbetet e paqartë se si Zyra e Prokurorit të Lartë publikoi një deklaratë që sugjeronte se vetë studentët kishin shkaktuar incidentin, ndërsa mediat pro-regjimit nisën një fushatë intensive kundër personave që pretendohet se kishin marrë pjesë në një “komplot”.
Sejdinoviq paralajmëron se nuk mund të përjashtohet mundësia që regjimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të synojë neutralizimin e lëvizjes studentore para zgjedhjeve të ardhshme.
“Është e mundur që në krye të regjimit të ekzistojë dëshira për ta eliminuar kundërshtarin më të rrezikshëm – lëvizjen studentore. Ta shpallin atë organizatë terroriste ose ekstremiste dhe ta pengojnë të marrë pjesë në zgjedhje. Tingëllon jorealiste, por kjo nuk do të thotë se një plan i tillë nuk ekziston”, shkruan ai.
Nga ana tjetër, kryetari i partisë opozitare SRCE, Zdravko Ponosh, vlerëson se një veprim i tillë do të ishte politikisht i rrezikshëm për pushtetin.
“Mendoj se do të ishte vetëvrasëse për Aleksandar Vuçiqin, sepse do të prodhonte një revoltë të paparë të qytetarëve. Ai mund të përpiqet ta mohojë lëvizjen studentore, por nëse përpiqet ta ndalojë atë, do të ishte më mirë t’i qëllonte vetes në këmbë”, deklaroi Ponosh për Vreme.
Edhe avokati Bozho Preleviq ka kundërshtuar pretendimet për karakter ekstremist të lëvizjes studentore.
Ai tha se deklaratat e prokurorisë, fushata mediatike dhe procedurat e nisura ndaj analistit ushtarak Aleksandar Radish synojnë të largojnë vëmendjen nga çështje të tjera të rëndësishme dhe të relativizojnë akuzat për përdorimin e një topi zanor gjatë protestave.
“Lëvizja studentore nuk ka asnjë atribut që mund të çojë në shpalljen e saj si organizatë terroriste. Qëllimet e saj janë të njohura – sundimi i ligjit”, tha Preleviq.
Sipas Vreme, zhvillimet e fundit kanë shtuar frikën se presioni ndaj studentëve dhe zërave kritikë në Serbi mund të intensifikohet në prag të proceseve të ardhshme politike dhe zgjedhore.
Rruga Press

