Njësoj si në Shqipëri, diaspora shqiptare vijon protestat në qytete të botës
Që prej 1 qershorit, pasditet dhe mbrëmjet i kanë gjetur me mijëra protestues sheshin përballë kryeministrisë, të cilët thërrasin njëzëri “Rama në Burg, Berisha në Burg”.
Këto protesta masive për nga pjesëmarrja dhe apartiake kanë frymëzuar edhe diasporën shqiptare, e cila që prej 5 qershorit ka organizuar protesta solidarizuese në 26 qytete të Europës dhe Amerikës.
Me të njëjtat thirrje kolektive si në vend, edhe shqiptarët e larguar kanë kërkuar anulimin e ndërhyrjeve në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë dhe dorëheqjen e Edi Ramës, e cila sipas tyre në rast se do realizohej do të sillte kthimin e tyre në atdhe. Ata e konsiderojnë emigrimin pasojë të shkaqeve që denoncohen në protesta, duke e lidhur largimin e tyre me korrupsionin, mungesën e mirëqenies ekonomike dhe mënyrën e qeverisjes së vendit.
Mbi 55 protesta janë thirrur nëpër diasporë, duke i dhënë jehonë ndërkufitare problematikave që kanë shtruar në narrativën publike qytetarët që jetojnë në Shqipëri. 13 dhe 14 qershori ishin ditët me mobilizimin më të madh të diasporës, ku u zhvilluan të paktën 33 protesta në qytete të ndryshme të botës. Nga Filadelfia në SHBA, Hamburgu dhe Berlini në Gjermani, Melbourne në Australi, Padova në Itali, Stockhlom të Suedisë, deri në Toronto në Kanada.
Shqiptarët u mblodhën në sheshe publike me pankarta dhe thirrje të ngjashme me ato që dëgjohen çdo mbrëmje para Kryeministrisë në Tiranë.
“Nëse do të ndërronte sistemi politik do të kthehesha në Shqipëri”
Tre protestuese shqiptare në tre vende europiane që jetojnë në Suedi, Norvegji dhe Gjermani, tregojnë arsyet pse iu bashkuan mobilizimit të diasporës.
29-vjeçarja Silvana Palushi jeton prej tre vitesh në Gjermani dhe ka qenë organizatore dhe pjesëmarrëse aktive në tre protesta të mbajtura, në të cilat shprehu shqetësimin se problematikat që ngrihen nga qytetarët në Shqipëri nuk kufizohen vetëm brenda vendit.
“Ne besojmë se Shqipëria nuk ka mungesë potenciali dhe as mungesë njerëzish të aftë. Problemi qëndron te mënyra se si organizohet pushteti dhe ekonomia. Për këtë arsye, protestat nuk kanë qenë vetëm reagim ndaj një ngjarjeje të caktuar, por shprehje e një pakënaqësie më të thellë ndaj një realiteti që për shumë qytetarë është bërë i papranueshëm”, u shpreh Silvana, duke shtuar se Shqipëria ka nevojë për drejtësi sociale.
Teksa kritikët shprehen se shqiptarët që kanë emigruar po jetojnë shumë mirë në vendet përkatëse, sipas Silvanës, shpesh harrohen arsyet pse ata janë larguar.
“Një pjesë e mirë e diasporës nuk është larguar sepse e ka dëshiruar emigrimin, por sepse ka ndjerë mungesë mundësish, pasiguri dhe mungesë perspektive në vendin e vet. Për këtë arsye, kur qytetarët protestojnë në Shqipëri, shumë emigrantë e shohin veten në ato kërkesa dhe ndihen të përfaqësuar prej tyre”, shtoi Palushi.
Nga ana tjetër, Esmeralda Korra jeton në Suedi prej 7 vitesh, por ky fakt nuk e ka shkëputur emocionalisht nga Shqipëria. E nxitur nga protestat në vend, ajo ka organizuar më 13 qershor protestën në Malmö, Suedi. Esmeralda dhe shqiptarët e tjerë kanë bërë të njëjtat kërkesa si në Shqipëri.
“Kërkesat tona ishin në përputhje të plotë me ato të Tiranës, ku do të veçoja anulimin e menjëhershëm të ligjit për zonat e mbrojtura, ndalimin e shkatërrimit të natyrës dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama si përgjegjës kryesor i kësaj klime rrënuese”, u shpreh Esmeralda Korra.
Shumë emigrantë nuk i humbasin lidhjet me Shqipërinë pasi kanë familjarë që jetojnë ende në vend, çka përbën një nga arsyet e forta pse diaspora proteston.
“Protestat në Shqipëri kanë gjetur një mbështetje kaq të madhe në diasporë sepse ne që kemi ikur nuk kemi harruar si është të jetosh atje. Prindërit dhe vëllai im, po ashtu edhe miq të mi jetojnë ende atje. Duke jetuar në një vend si Suedia, ku ligji dhe qytetari respektohen, ne natyrshëm duam të njëjtën gjë për vendin tonë”, tha Korra.
Edhe Ardita Halimi, me origjinë nga Prishtina pavarësisht se ka emigruar në moshën 1 vjeçare dhe jeton në Oslo, Norvegji shprehet se për çështje ardhetarizmi është shumë e ndjeshme, pasi mendon se këto çështje i prekin të gjithë pavarësisht kufijve.
“Fillimisht protestat u organizuan si reagim ndaj çështjes së tjetërsimit të tokave dhe investimeve të diskutueshme, por me kalimin e kohës mesazhi u zgjerua edhe drejt pakënaqësisë për keqqeverisjen, mungesën e transparencës dhe mënyrën se si po menaxhohen interesat publike”, u shpreh Ardita.
Sipas saj, protestat kanë evoluar nga një reagim ndaj një çështjeje konkrete në një shprehje më të gjerë pakënaqësie ndaj qeverisjes dhe mungesës së transparencës.
“Ajo që më shtyu të dal në protestë ishte ndjenja e përgjegjësisë dhe përkatësisë. Edhe pse jetoj jashtë, zhvillimet në Shqipëri më prekin dhe më interesojnë. Kur bëhet fjalë për të ardhmen e vendit tonë, ndihem e detyruar të jap kontributin tim, qoftë edhe duke ngritur zërin në mënyrë paqësore.” përfundoi ajo.
Pyetjes nëse do të ktheheshin në Shqipëri në rast të një ndryshimi të sistemit politik, tre protestueset e diasporës i’u përgjigjën pozitivisht, duke e lidhur rikthimin e tyre me nevojën për ndryshime të thella politike në vend.
Pjesëmarrja e diasporës i ka dhënë këtij mobilizimi një dimension ndërkombëtar, duke e kthyer atë në një formë komunikimi solidariteti mes shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit. Për shumë prej tyre, emigrimi nuk e ka zbehur lidhjen me Shqipërinë, por ka forcuar ndjeshmërinë ndaj problematikave që ata i konsiderojnë si shkaktarë të largimit të tyre.
Protestat e diasporës shqiptare pritet të vijojnë edhe gjatë fundjavës së 27-28 qershorit, me tubime të paralajmëruara në të paktën 11 qytete të Europës dhe Amerikës së Veriut.
Më 27 qershor do të zhvillohen protesta në Amsterdam, Bruksel, Frankfurt, Këln, Oslo, Rennes dhe Romë. Ndërsa më 28 qershor në Londër, Milano, New York dhe Torino. Fundjava e ardhshme pritet të dëshmojë vazhdimësinë e angazhimit të shqiptarëve jashtë vendit në këtë lëvizje qytetare. /citizens.al/

