A është e përfshirë ministrja Ibrahimaj me kompanitë fantazmë të inceneratorëve?
Shpërthimi i skandalit të kompanive fantazëm me pronarë pensionistë dhe azilantë, që shërbenin për të shmangur detyrimet tatimore dhe për të justifikuar punimet e pakryera nga bosët e inceneratorëve, të cilët i kishin marrë që më parë paratë nga qeveria për këto punime, duket se ka vënë në syrin e ciklonit edhe ministren aktuale të Financave, Delina Ibrahimaj. Kjo jo për shkak të funksionit që mban sot në qeverinë Rama, por për punën që ka kryer para 25 prillit si Drejtore e Përgjithshme e Tatimeve.
Këtë të enjte, ministrja është përfshirë në debate me deputetin opozitar, Agron Shehaj, i cili i ka kërkuar llogari se si është e mundur që gjithë kjo skemë ka funksionuar në “indiferencën” e plotë të organeve tatimore. Znj Ibrahimaj u përgjigj se kanë qenë vetë këto organe që kanë zbuluar qysh në vitin 2018 skema të tilla, po pa shkuar më larg për të përcaktuar nëse bëhej fjalë për të njëjtat firma që i kanë shërbyer inceneratorëve për të vjedhur paranë publike.
Pas replikës së parë, Agron Shehaj është ngritur përsëri për të bërë dy pyetje: Si është e mundur që Drejtoria e Tatimeve nuk e ka informuar qeverinë se kompanitë fantazëm që “blenin” domate, ishin po ato që më pas i shisnin beton dhe asfalt inceneratorëve? Dhe pse kur ka vënë re këtë mashtrim, qeveria ka vazhduar t’i paguajë me para publike Klodian Zoton, Klodian Mërtirin dhe Stela Gugalljen?
Asnjërës prej këtyre pyetjeve kyçe, ministrja e Financave nuk iu përgjigj dot.
Arsyet e kësaj heshtjeje mund të jenë disa. Ajo mund të ketë lidhje me paaftësinë e saj, me faktin se për një çështje kaq të nxehtë ajo nuk jep dot asnjë shpjegim më tepër sesa ai për të cilin ka marrë miratim në zyrat e kryeministrisë dhe së treti se ajo vetë mund të jetë në një mënyrë apo në një tjetër, në skandalin e moshetimit të këtyre kompanive fantazëm, të ngritura për të zhvatur buxhetin e shtetit.
Pikërisht këtë version të fundit mbrojnë burime pranë LSI, e cila po merret prej një jave me diskutimin e këtij skandali. Sipas tyre, si qeveria po ashtu edhe Drejtoria e Tatimeve, kanë qenë në dijeni se kompanitë fantazëm i shërbenin inceneratorëve për të futur në xhep paratë që i takonin publikut. “Dhe kjo nuk është thjeshtë fantazi. Ekzistojnë shkresa dhe dokumenta me firmën e ish drejtoreshës Ibrahimaj, e cila e urdhëron, disa kohë para zgjedhjeve, hetimin tatimor të ndërpresë kontrollet mbi këto mkompani deri sa për to të shprehet drejtësia”, tha burimi për Lapsi.al duke shtuar se grupi i punës së specialistëve pranë LSI-së po meret me rakordimin e këtyre shkresave zyrtare.
Një nga fëmijët e pensionistëve që u doli emri si pronarë të firmave fantazëm ka pohuar publikisht se ata janë thirrur për t’u pyetur nga krimi ekonomik për aktivitetin që thuhej se zhvillonin.
Pra diku në organet shtetërore ishte ndezur drita e kuqe e alarmit. Po a janë lënë ato jashtë vëmendjes kur u kuptua se ato duhej të justifikonin paratë që shkonin për inceneratorët? A kanë pasur djeni organet tatimore konkretisht për këto firma? Dhe a shpjegohet mosveprimi ndaj tyre me një vendim për të pezulluar kontrollet nga ish Drejtoresha e Tatimeve, sot ministre?
Deri tani ministrja Ibrahimaj është përgjigjur me fjalë boshe dhe retorikë të përgjithshme, ndërkohë që pyetjet për të janë tejet të thjeshta: a ka qenë ajo në djeni të aktivitetit të kompanive fantazëm? a ka dhënë ajo urdhër për të ndërprerë përkohësisht kontrollet ndaj tyre? a është bërë kjo në mënyrë që bosët e inceneratorëve të vazhdonin të vidhnin me fatura të rreme?
Këto pyetje mbeten ende pa përgjigje, por ama një fakt është i pakundërshtueshëm: Znj. Ibrahimaj, që ishte drejtoreshë tatimesh në kohën e funksionimit të kësaj skeme, u promovua politikisht duke u bërë ministre, po ashtu si dhe Alqi Bllako e Lefter Koka që u graduan deputetë të rilindjes./Lapsi.al
Rruga Press